
Të nderuar besimtarë!
Allahu xh.sh. na ka dhuruar kohë të veçanta, me qëllim që të hapim një faqe të re në jetën tonë, të rishikojmë gabimet dhe të pendohemi për mëkatet tona. Muaji i bekuar i Ramazanit, në të cilin ndodhemi, është një mundësi e madhe për t’u bërë besimtarë të dashur të Allahut, për të rregulluar veten tonë dhe për t’u larguar nga fjalët dhe sjelljet e këqija.
Në hutben e kësaj jave, duke marrë shkas nga muaji i bekuar i Ramazanit; muaji i mëshirës dhe faljes, dëshirojmë të tërheqim vëmendjen ndaj rrezikut të varësive, të cilat i zhytin familjet në pakënaqësi dhe e çojnë njerëzimin drejt rrënimit.
Varësia nuk është thjesht një zakon i rëndomtë. Ajo është një sëmundje që e shndërron njeriun në skllav të lumturisë së rreme dhe të kënaqësive të përkohshme. Është një kërcënim i madh, që bëhet shkak që njeriu, ndërkohë që shpërdoron kohën e tij, të zhytet në mëkate, të anojë drejt dhunës, e madje të rrezikojë jetën e tij dhe të familjes.
Të dashur besimtarë!
Në krye të varësive, ku secila është më e rrezikshme se tjetra, qëndrojnë alkooli dhe lëndët narkotike. Këto dy vese të këqija dobësojnë arsyen dhe vullnetin, duke e kalbur trupin dhe shpirtin e njeriut. Ato shkatërrojnë qetësinë dhe lumturinë në familje; shpërbëjnë vatrat familjare dhe shuajnë shpresat. I Dërguari i Allahut (s.a.s), në një hadith fisnik, na tërheq vëmendjen ndaj këtij rreziku, duke urdhëruar: لَا تَشْرَبِ الْخَمْرَ فَإِنَّهَا مِفْتَاحُ كُلِّ شَرٍّ “Mos pini alkool, sepse ai është çelësi i çdo të keqeje”.[1]
Besimtarë të nderuar!
Me përhapjen e mjeteve të komunikimit, një tjetër varësi ka depërtuar deri në brendësi të shtëpive tona, bixhozi digjital. Me keqardhje duhet të pohojmë se bixhozi digjital është shtrirë në një pjesë të konsiderueshme të shoqërisë. Ky lloj bixhozi, i cili nis me shuma të vogla, bëhet shkak që njeriu të shesë shtëpinë e makinën, të shpenzojë të gjithë pasurinë e tij dhe të zhytet në batakun e borxheve të pafundme. Kështu, ky zakon i keq bëhet shkak për shpërbërjen e familjeve. Lidhur me këto vese shkatërruese, Allahu i Madhërishëm na paralajmëron në ajetet fisnike, ku thotë: “O besimtarë! Me të vërtetë, pijet alkoolike, bixhozi, idhujt dhe shigjetat e fallit janë vepra të ndyta nga punët e djallit. Prandaj, largohuni nga këto, me qëllim që të shpëtoni!”.[2]
Besimtarë të dashur!
Një tjetër varësi që ka marrë peng jo vetëm të rinjtë dhe fëmijët, por edhe prindërit, është varësia digjitale. Varësia digjitale është shpërqëndruese dhe e vetmon njeriun. Ajo arrin deri aty sa dhimbjen e tjetrit, në vend që ta shohë si “një situatë ku duhet ndihmuar”, e kthen thjesht në “një përmbajtje për t’u parë”. Për shkak të varësisë digjitale, koha po shpërdorohet në faqet e blerjeve, lojërat virtuale dhe dëfrimet e kota, duke çuar dëm jetën tonë.
Mënyra më efikase për t’u mbrojtur nga çdo lloj lënde që errëson arsyen, nga bixhozi dhe varësitë digjitale, është që të mos u afrohemi kurrë këtyre të këqijave. Rruga më e mirë është t’u ofrojmë të rinjve dhe fëmijëve tanë një mjedis familjar të mbushur me dashuri dhe besim. Pavarësisht të gjitha masave, nëse vëllezërit tanë bien pre e këtyre zakoneve të dëmshme, ne duhet t’u zgjasim dorën dhe të mos i lëmë në mëshirën e njerëzve të ligj. Gjithashtu, nuk duhet t’u japim fëmijëve telefonat apo tabletat në dorë, thjesht për rehatinë tonë. Nuk duhet t’i lëmë të vegjlit tanë të zhyten në lojëra të dëmshme, filma vizatimorë apo dëfrime të tilla, vetëm që ata të hanë ushqimin apo të rrinë të qetë në një qoshe të shtëpisë.
Të nderuar besimtarë!
Duke përfituar nga atmosfera e begatë e muajit të Ramazanit, duhet ta rishikojmë edhe një herë jetën tonë. Kështu, të fillojmë një jetë të re duke shpëtuar nga veset e dëmshme që mund ti kemi. Të mos harrojmë se jeta e njeriut nuk është aq e parëndësishme dhe e pavlerë, sa për t’u kalbur nga varësitë apo për t’u konsumuar në platformat digjitale.
[1] Ibn Maxheh: Eshribeh, 1.
[2] Maide: 90.