Të nderuar besimtarë!
Një nga institucionet që, Islami i ka dhuruar njerëzimit, është “institucioni i vakëfit”. Vakëfi nënkupton ofrimin e begative dhe mirësive që kemi për të mirën e njerëzve dhe të gjitha krijesave, vetëm për hir të Allahut. Vakëfi është një nga mënyrat për t’i kthyer mundësitë që na janë besuar nga Zoti në çelësat e xhennetit. Vakëfi është një veprimtari bamirësie e bazuar në botëkuptimin se “Më i miri nga njerëzit është ai që është i dobishëm për të tjerët”. E thënë ndryshe, vakëfi është një burim i pandërprerë hajri e bamirësie.
Vakëfet janë ndër institucionet që mbajnë në këmbë shoqëritë. Ato, ashtu siç përforcojnë unitetin dhe bashkimin, gjithashtu mbështesin virtytet si bashkëpunimin, solidaritetin dhe ndarjen e mirësive me tjerët. Vakëfet ndërtojnë një shoqëri të sigurt dhe paqësore, kultivojnë farat e dhembshurisë dhe mëshirës në botën e ekzistencës. Ato kontribuojnë në zhvillimin dhe përhapjen e shkencës dhe mençurisë, kulturës dhe artit. Ato ndërtojnë ura bamirësie dhe mirësie mes të pasurve dhe të varfërve. Ato shërbejnë në dominimin e drejtësisë, të drejtave, barazisë dhe një qytetërimi që siguron një jetë njerëzore në tokë.
Të nderuar besimtarë!
Në Islam, ngritja e vakëfeve ka qenë gjithmonë e inkurajuar. Ata që janë nismëtarët dhe mbështesin këto institucione bamirësie janë gjithmonë të lavdëruar. Të parët tanë, të cilët ishin të vetëdijshëm për këtë të vërtetë, ndërtuan xhami, medrese, spitale, kuzhina ushqimore, biblioteka, karvane, ura dhe shatërvane. Vakëfet e themeluara nga e kaluara e deri më sot kanë qenë strehimore për të pastrehët, jetimët dhe të moshuarit. Kanë qenë shpresë për njerëzit në nevojë, për ata me halle e mundime, si dhe shtëpi për të rinjtë që do të martoheshin. Gjatë historisë së qytetërimit islam, kulturës së vakëfeve i është dhënë aq shumë rëndësi, saqë janë ngritur vakëfe edhe për zogjtë shtegtarë.
Profeti (a.s) thotë në një hadith se:
إِذَا مَاتَ الإِنْسَانُ انْقَطَعَ عَنْهُ عَمَلُهُ إِلاَّ مِنْ ثَلاَثَةٍ إِلاَّ مِنْ صَدَقَةٍ جَارِيَةٍ أَوْ عِلْمٍ يُنْتَفَعُ بِهِ أَوْ وَلَدٍ صَالِحٍ يَدْعُو لَهُ
Kur njeriu vdes, i ndërpriten veprat, përveç tre llojeve: sadaka el-xharije/lëmoshës së vazhdueshme, diturisë që sjell dobi për njerëzit ose fëmijës të drejtë që do të lutet për të”.[1]
Myslimanët anë e kënd botës besojnë dhe respektojnë këshillat dhe përgëzimet e të Dërguarit a.s., të cilat i kanë shndërruar në veprime konkrete përmes vakëfeve që kanë themeluar. Me anë të këtyre vakëfeve, vazhdojnë të kontribuojnë në punë të hajrit dhe bamirësie. Në këtë kontekst, lutemi për të gjithë vëllezërit muslimanë që kanë qenë iniciatorë dhe mbështetës të ngritjes dhe ndërtimit të vakëfeve. Allahu u dhëntë begati në këtë botë dhe i mëshiroftë në ahiret.
Të nderuar vëllezër e motra!
Allahu xh.sh. në Kuranin Famëlartë na urdhëron ku thotë:
وَتَعَاوَنُواْ عَلَى ٱلۡبِرِّ وَٱلتَّقۡوَىٰۖ وَلَا تَعَاوَنُواْ عَلَى ٱلۡإِثۡمِ وَٱلۡعُدۡوَٰنِۚ وَٱتَّقُواْ ٱللَّهَۖ إِنَّ ٱللَّهَ شَدِيدُ ٱلۡعِقَابِ
“Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira dhe në të ruajturit nga të këqijat dhe jo në gjynahe dhe armiqësi! Frikësojuni Allahut, sepse Ai dënon ashpër”.[2]
Duke u bazuar në perspektivën që na ofron feja jonë islame rreth bamirësisë dhe mirësisë ndaj njeriut, në veçanti, dhe krijesave në përgjithësi, kemi përgjegjësinë t’u qëndrojmë pranë personave nevojtarë pa bërë asnjë dallim. Një rëndësi të veçantë ka edhe themelimi dhe ngritja e vakëfeve, të cilat do të kontribuonin në edukimin, arsimin dhe përgatitjen e rinisë, duke i lidhur ata me vlerat fetare dhe duke i bërë të dobishëm për familjen, shoqërinë, vendin dhe njerëzimin në përgjithësi.
Qytetërimi ynë është një qytetërim i bazuar në vakëfe. Vakëfet kanë ekzistuar gjithmonë, që nga koha e Profetit (a.s) e deri në ditët e sotme. Detyra jonë në këtë kontekst është që ta ruajmë dhe mbrojmë këtë vlerë të madhe, duke përdorur dhe shfrytëzuar asetet e vakëfeve në përputhje me qëllimin për të cilin ato janë dedikuar. Po ashtu, është detyrë e jona të shmangim çdo qëndrim dhe sjellje të gabuar që mund të dëmtojë pronat dhe pasuritë e vakëfeve.