Të nderuar besimtarë!
Njëherë njëri prej shokëve të nderuar të Pejgamberit a.s erdhi pranë tij dhe i tha: “Më trego diçka rreth islamit, në mënyrë që mos të kem nevojë të pyes njeri tjetër për këtë çështje”. Pas kësaj Profeti a.s. i tha:
قُلْ آمَنْتُ بِاللّٰهِ ثُمَّ اسْتَقِمْ
“Thuaj i besova Allahut pastaj qëndro i pa lëkundur në rrugën e drejtë”.[1]
Me këto fjalë të qarta dhe koptimplota, I Dërguari i Allahut na mëson se muslimani duhet të posedojë një besim të palëkundur dhe një qëndrim të drejtë.
Muslimani duhet të jetë i qëndrueshëm. Ky qëndrim është i bazuar në besim ku muslimani e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij më shumë se këdo dhe çdo gjë tjetër dhe si udhërrëfyes të tij ka Kur’anin dhe Sunetin. Në përputhje me ajetin Kur’anor وَهُوَ مَعَكُمۡ أَيۡنَ مَا كُنتُمۡۚ “Ai është me ju kudo që të gjendeni”[2], muslimani jeton dhe vepron duke qenë i vetëdijshëm se është nën mbikëqyrjen e Zotit në çdo kohë.
Besimtarët, ashtu si haxhinjtë që qëndrojnë në Arafat duke zhveshur të gjitha gradat dhe statuset, e kthejnë fytyrën kah Shtëpia e Allahut, Qabes dhe zemrën e tyre drejtë Allahut.
Të nderuar vëllezër dhe motra!
Qëndrimi i besimtarit është i drejtë. Sepse, ky qëndrim është vetëdija e të qenit rob ndaj Krijuesit, gjë që na mban gjallë besimin, pjek moralin tonë dhe na jep personalitet. Muslimani nuk duhet ta sakrifikojë adhurimin e tij për jetën e përkohshme të kësaj bote, pavarësisht rrethanave. Ai nuk duhet ta lërë pas dore adhurimin e tij për arsye të tilla si puna, studimet, shkolla dhe pushimet. Ndërkaq, Pejgamberi a.s. me anë të një Hadithi Kudsi që ka përcjellur tek ne, na informon se: “Gjëja më e dashur që e afron robin me Allahun dhe e bën atë të arrijë dashurinë e Tij janë së pari adhurimet e detyrueshme dhe pastaj adhurimet vullnetare”.
Qëndrimi i besimtarit është i drejtë, sepse ky qëndrim është i atillë që moralin e Profetit a.s. e merr si kriter në çdo aspekt të jetës; duke nisur nga familja te lagjja ku banon, nga jeta e biznesit te tregtia, nga shkolla e në rrugë. Besimtari, duke zbatuar fjalën e Allahut në Kur’anin Fisnik:
ٱلَّذِينَ يُنفِقُونَ فِي ٱلسَّرَّآءِ وَٱلضَّرَّآءِ وَٱلۡكَٰظِمِينَ ٱلۡغَيۡظَ وَٱلۡعَافِينَ عَنِ ٱلنَّاسِۗ
“Të cilët japin lëmoshë edhe kur janë në mirëqenie, edhe kur janë në vështirësi, e mposhtin zemërimin dhe ua falin fajet njerëzve”,[3] në jetën e përditshme, duhet ta zëvendësojë dhunën me dashuri, zemërimin me mëshirë dhe të keqen me të mirën. Të gjitha gjërat e ndaluara si kamata, alkooli, bixhozi, imoraliteti, shpifja dhe gënjeshtra duhet ti shikoj si pjesë e dënimit të xhehennemit. Tiparet e këqija si përtacia, indiferenca, lypja dhe fitimi pa punuar, duhet ti zhdukë nga jeta e tij. E thënë ndryshe, nuk duhet ta shtrijë dorën drejt asgjëje që nuk e meriton.
Qëndrimi i besimtarit është i drejtë, sepse ky qëndrim është human dhe i ndërgjegjshëm që kundërshton shtypjen dhe dhunën dhe qëndron në krah të të shtypurve dhe të viktimizuarve. Prandaj, përballë rasteve ekstreme të varfërisë dhe padrejtësive nuk duhet të sillemi sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe sikur gjithçka është normale.
Të nderuar besimtarë!
Sot, ne si besimtarë kemi nevojë për një qëndrim të drejtë dhe një formë jetese siç ka urdhëruar Allahu dhe i I Dërguari i Tij. Ashtu siç na e bën të ditur Pejgamberi a.s. në hadithin e tij ku thotë:
اَلْمُؤْمِنُ لِلْمُؤْمِنِ كَالْبُنْيَانِ يَشُدُّ بَعْضُهُ بَعْضًا
“Besimtari për besimtarin është si shembulli i një ndërtese, ku secila pjesë përforcon njëra-tjetrën” [4], kemi nevojë për një qëndrim që na bashkon dhe që e trajton njëri-tjetrin me dhembshuri dhe mëshirë. Na duhet një qëndrim i ndershëm, i vendosur dhe parimor, pa u magjepsur ose pa u përkulur para interesave të kësaj bote. Na duhet një qëndrim që nuk është barrë, por që e heq barrën; jo një qëndrim që është dembel, por që punon dhe prodhon; jo një qëndrim që vepron me inat dhe urrejtje, por që vepron me dashuri dhe respekt. Shkurtimisht, na duhet një qëndrim që pasqyron besimin tonë në adhurimet tona, adhurimet tona në moralin tonë dhe moralin tonë në çdo fushë të jetës sonë.
Hytben e kësaj xhumaje po e përfundojmë duke cituar përgëzimin e Zotit që jep në Kur’anin fisnik me anë të ajetit që lexuam në hyrje:
“Pa dyshim, ata që thonë: “Zoti ynë është Allahu!” dhe pastaj qëndrojnë në rrugën e drejtë, nuk do të kenë arsye për t’u frikësuar e as për t’u dëshpëruar (kur t’u vijë vdekja)”.[5]
[1] Muslimi: Iman, 62; Ibn Hanbel, III, 413.
[2] Hadid: 4.
[3] Ali Imran: 134.
[4] Buhariu: Medhalim, 5.
[5] Ahkaf: 13.