
Të nderuar besimtarë!
Feja e lartë, Islami, kërkimin e dijes e ka bërë të detyrueshëm për çdo mysliman, qoftë burrë apo grua. Dituria i mundëson personit të njohë veten, Zotin dhe të kuptojë qëllimin e krijimit. Urdhri në ajetin fisnik اِقْرَأْ بِاسْمِ رَبِّكَ الَّذ۪ي خَلَقَۚ “Lexo me emrin e Zotit tënd”[1] na tregon se fitimi i diturisë duhet të bëhet në emër të Allahut dhe për hir të Tij.
Sipas Islamit, dituria nuk është thjesht një garë për profesion, karrierë apo përfitime të kësaj bote. Themeli i diturisë, të cilën Zoti e urdhëroi të mësohet dhe Profeti (a.s.) na udhëzoi drejt saj, është vendosja e Kuranit famëlartë në qendër të jetës. Gjithashtu, qëllimi i dijes është që të mbjellë dashurinë për Zotin dhe të Dërguarin e Tij në zemrat e njerëzve; që të krijojë një mendësi e cila respekton Krijuesin dhe tregon dhembshuri për krijesat; që të zëvendësojë dhunën me dashuri, urrejtjen me dhembshuri dhe mërinë e armiqësinë me dashuri dhe respekt. Gjithashtu, që të rrisë breza besnikë, të moralshëm dhe të virtytshëm.
Të nderuar besimtarë!
Ne, si myslimanë, vlerën e madhe që ka dituria e kemi mësuar nga Pejgamberi ynë (a.s.), i Dërguari i Allahut (a.s.), i cili thotë: إِنَّمَا بُعِثْتُ مُعَلِّماً “Unë jam dërguar si mësues”,[2] gjatë ditëve shumë të vështira në Mekë, shtëpinë e njohur si Dârulerkam e pati kthyer në një vatër diturie; ndërkaq që në ditët e para në Medinë, Mesxhidin Nebij e pati kthyer në vatër urtësie. Muhamedi (a.s.) me hadithin e tij: “Ose ji mësues, ose nxënës, ose dëgjues, ose mbështetës i dijes. Mos ji i pesti, ndryshe do të shkatërrohesh!”,[3] na nxit ne për nxënien e diturisë. Me hadithin: “Kushdo që ndjek një rrugë në kërkim të diturisë, Allahu do t’ia lehtësojë rrugën për në Xhennet”,[4] përgëzon me xhenet kërkuesit e dijes dhe mësuesit e saj. Çdo mësues që e pranon Pejgamberin e Nderuar (a.s.) si udhëzues në jetë, kohën që e shpenzon për mësim dhe edukim duhet ta vlerësojë me ndjenjën e adhurimit dhe nxënësit duhet t’i shikojë si amanet prej Allahut. Së pari, atyre duhet t’u mësojë besimin në Zot dhe në të Dërguarin e Tij, pastaj t’u tregojë rrugën për t’u bërë një njeri i mirë dhe mysliman i vërtetë, i formuar me vlera, si: drejtësia, dhembshuria, morali i mirë dhe të kuptuarit e asaj që është e lejuar dhe e ndaluar.
Të dashur besimtarë!
Rrënjët e problemeve me të cilat përballemi sot, qëndrojnë në mangësinë tonë për t’i edukuar fëmijët sipas urdhrit të Zotit dhe vlerave të larta morale të Profetit (a.s.). Sot, për fat të keq, shumë nga të rinjtë tanë janë të bllokuar në varësi të ndryshme që në moshë të re; disa në rrjetet online, disa në rrjetën e ideve të çoroditura, të mendimeve të devijuara dhe interpretimeve që shtrembërojnë natyrën e tyre, disa përballen me bullizim nga bashkëmoshatarët dhe të tjerë humbasin në modën dhe imitimin e pakufishëm. Është për të ardhur keq që shumë fëmijë neglizhohen nga prindërit dhe shoqëria, nuk rriten sipas vlerave shpirtërore dhe braktisen në mëshirën e keqbërësve, duke i çuar ata në krime të ndryshme. Paralajmërimi i Pejgamberit (a.s.) rreth kësaj është mjaft i qartë duke thënë: “Asnjë prind nuk i ka dhënë ndonjëherë fëmijës së tij një dhuratë më të vlefshme sesa sjelljet e mira”.[5]
Të nderuar besimtarë!
Pas familjes, shkollat janë shtylla më e rëndësishme e edukimit. Dashuria, respekti dhe toleranca, të cilat nuk mësohen në familje apo shkollë, shndërrohen në zemërim dhe dhunë, bullizim nga bashkëmoshatarët dhe grindje në rrugë. Në mënyrë të ngjashme, drejtësia, dhembshuria dhe mirësjellja, të cilat nuk mësohen, çojnë në padrejtësi, kaos dhe imoralitet në shoqëri. Atëherë, le t’i njohim fëmijët tanë që i kemi amanet prej Allahut, me moralin e lartë të Pejgamberit (a.s.), i cili thotë: “Unë jam dërguar për të plotësuar moralin e mirë”.[6] Le t’u mësojmë atyre rrugët që të ndajnë të mirën nga e keqja dhe të drejtën nga e gabuara. Le të përmbushim përgjegjësitë tona, duke punuar së bashku me familjet, shkollat dhe shoqërinë, në mënyrë që fëmijët tanë të rriten si individë të përkushtuar ndaj vlerave. Gjithashtu, të mundohemi që rregullat e moralit dhe edukatës t’ua mësojmë atyre si me shpjegim ashtu edhe në praktikë.
Hytben e kësaj xhumaje po e përfundojmë me lutjen e Pejgamberit (a.s.), që thotë:
“O Allah, më bëj dobi me atë që më ke mësuar! Më mëso dituri që do të më sjellë dobi dhe ma shto diturinë time!”[7]
[1] El-‘Alak: 1.
[2] Ibn Maxheh: Sunnet, 17.
[3] Darimi: Mukaddime, 26.
[4] Tirmidhiu: ‘Ilm, 19.
[5] Tirmidhiu: Birr, 33; Ibn Hanbel: IV, 77.
[6] Ibn Hanbel: II, 381.
[7] Tirmidhiu: Deauatt 128; Ibn Maxheh: Sunnet, 23.