Qendra MINBER

Puna e ndershme është adhurim

Home » Puna e ndershme është adhurim

 

 

 

 

 

Të nderuar Besimtarë!

Një ditë, ndërsa Profeti a.s.  po bisedonte me shokët e tij, pranë tyre kaloi një burrë i fortë dhe trupmadh. Disa nga shokët, të impresionuar nga pamja e burrit, thanë: “O i Dërguar i Allahut! Do të donim që ky njeri ta përdorte forcën e tij në rrugën e Allahut!” Pas kësaj, Profeti a.s. u tha:

Nëse ky person punon për të siguruar jetesën për familjen dhe fëmijët e tij, ai është në rrugën e Allahut. Nëse punon për të përmbushur nevojat e prindërve të tij, ai është në rrugën e Allahut. Nëse punon për të mbrojtur nderin dhe dinjitetin e tij, ai është në rrugën e Allahut.[1]

Feja jonë e lartë, Islami, e gjykon si adhurim mundin dhe punën e personit nëse ai, për të fituar riskun e familjes dhe vetes punon në përputhje me urdhrat dhe ndalesat e Allahut, me mjete të ligjshme dhe legjitime, duke mos iu bërë askujt barrë. Mundin e dorës dhe djersën e ballit, Islami i pranon si të shenjta. E nga ana tjetër ka ndaluar përtacinë, mjerimin, lypjen dhe humbjen e kohës dhe të jetës. Allahu xh.sh. në ajetin në vijim na ka këshilluar të punojmë për fitim e lumturisë së kësaj bote dhe ahiretit duke urdhëruar:

         وَأَنَّ سَعۡيَهُۥ سَوۡفَ يُرَىٰ  وَأَن لَّيۡسَ لِلۡإِنسَٰنِ إِلَّا مَا سَعَىٰ

dhe se njeriu do të ketë vetëm atë për të cilën ka punuar; se përpjekjet e tij do të shihen[2]

Islami, aq sa i kushton rëndësi vetë fitim hallall e të lejuar, po aq i kushton rëndësi edhe mjeteve të fitimit legjitim. Për këtë arsye ekzistojnë rregulla për të punuar, për të hapur një biznes dhe për të fituar para. Në këtë kontekst, nuk është e ligjshme të blihen ose të shiten gjëra që Allahu i ka ndaluar. Prandaj, muslimani nuk mund të prodhojë, blejë, shesë, përdorë ose të ndihmoj në përdorimin e alkoolit, i cili shkatërron arsyen dhe vullnetin dhe shkakton aksidente dhe vrasje. Bixhozi, i cili shkatërron familjet dhe krijon plagë të pariparueshme në jetën shoqërore, nuk mund të luhet dhe nuk mund të mundësohet luajta e tij. Besimtari nuk mund të marrë, të japë ose të jetë ndërmjetës për kamatën, e cila ia heq bereqetin pasurisë dhe jetës dhe që është armik i punës dhe i djersës. Gjithashtu muslimani nuk mund të përfshihet si dhe nuk mund të fitoj nga aktivitetet haram që prishin stabilitetin shoqëror, si përfshirja në tregun e zi dhe spekulimet, dhënia borxh me kamatë dhe grumbullimi i mallrave të tregut.

Të Nderuar Besimtarë!

Sipas Islamit, edhe nëpunësi ose punëtori ka përgjegjësi të caktuara aty ku fiton riskun. Ai duhet ta konsiderojë vendin e punës nga i cili siguron jetesën dhe materialet që gjenden aty si një amanet dhe nuk duhet t’i dëmtojë ato. Punonjësit nuk duhet të përdorin asnjë send në vendin e punës për nevojat e tyre personale dhe nuk duhet ti ndajnë informacionet private të punës me të tjerët. Duhet të respektojë orarin e punës dhe të mos e neglizhoj punën. Duhet të jetë respektues ndaj kolegëve të tij/saj, të mbrojë të drejtat e tyre sikur të ishin të tijat dhe të shmangë në mënyrë strikte çdo sjellje që do t’i dëmtonte ata.

Islami gjithashtu edhe punëdhënësit i ka ngarkuar një sërë përgjegjësish. Sipas kësaj, punëdhënësi duke patur parasysh paralajmërimin e Pejgamberit a.s. ku thotë:

أَعْطُوا الْأَجِيرَ أَجْرَهُ قَبْلَ أَنْ يَجِفَّ عَرَقُهُ

Jepjani punëtorit hakun e punës para si ti thahet djersa e ballit”,[3] duhet që t’ia japi hakun punëtorit të plotë dhe në kohë. Duke u nisur nga kjo, punëdhënësi me qëllim për të ulur koston e punës nuk duhet ta punësoj personin në punë të rëndë me një pagesë të ulët dhe nuk duhet ti privoj ata nga të drejtat sociale.

Punëdhënësi në të njejtën kohë, është përgjegjës për ti siguruar punëtorit zbatimin e nevojave dhe të drejtave të tij. Prandaj punëdhënësi duke patur parasysh fjalën e qartë të Allahut “…sepse namazi është detyrë për besimtarët në kohë të caktuar[4], nuk duhet ta pengoj ose kufizoj që punonjësi të falë pesë namazet e përditshme dhe namazin e xhumasë në kohë, të agjëroj, ose që punonjëset besimtare të mbajnë shaminë që është urdhër i Zotit e zbukurimi i besimtares. Përveç kësaj, punëdhënësi nuk duhet të kufizojë përdorimin e orëve të pushimit ose të lejeve javore ose vjetore.

Duke zbatuar urdhërin e Allahut xh.sh. që thotë:

فَلَا تَتَّبِعُوا الْهَوٰٓى اَنْ تَعْدِلُواۚ

Dhe mos shkoni pas epsheve tuaja e të shtrembëroni drejtësinë![5], punëdhënësi e ka për detyrë ti mbrojë meritat ligjore dhe të drejtat e punëtorëve. Për këtë arsye ai nuk mund të ushtrojë presion sistematik mbi punëtorin. Nuk mund të flasë, të veprojë ose të sillet në një mënyrë që do të dëmtonte nderin, dëlirësinë dhe dinjitetin e tyre. Ai nuk duhet ta pushojë padrejtësisht nga puna ose ta viktimizojë familjen dhe fëmijët e tij.

Punëdhënësi, është gjithashtu përgjegjës për sigurinë në vendin e punës dhe për të mundësuar që punëtori të punojë në një mjedis pune të shëndetshëm. Asnjë punëtor nuk mund të punësohet në një punë ku jeta e tij do të ishte në rrezik ose shëndeti i tij mendor, fizik ose shpirtëror do të dëmtohej. Ndërkaq, paralajmërimi i Pejgamberit a.s. rreth këtyre çështjeve është mjaft i qartë ku thotë se: “Kushdo që u bën dëm njerëzve, Allahu do ta dëmtojë atë. Kushdo që ua vështirëson gjërat njerëzve, Allahu do t’ia vështirësojë gjërat atij.[6]

 Të nderuar besimtarë!

Tek Allahu nuk ka epërsi në të qenit punonjës ose punëdhënës. Epërsia qëndron në devotshmëri; domethënë, t’i frikësohesh Allahut siç duhet, të përmbushësh urdhrat dhe të shmangësh ndalesat e Tij. Atëherë, le ta konsiderojmë pëlqimin e Allahut, drejtësinë, ndershmërinë, hakun dhe fitimin e zemrave mbi të gjitha përfitimet e tjera. Le të mos harrojmë se paqja dhe lumturia nuk janë vetëm në konsumim dhe kursim, por edhe në bamirësi dhe mjaftueshmëri.

Hytben po e përfundojmë me këtë hadith të Pejgamberit a.s. ku thotë:

أَيُّهَا النَّاسُ اتَّقُوا اللَّهَ وَأَجْمِلُوا فِي الطَّلَبِ فَإِنَّ نَفْسًا لَنْ تَمُوتَ حَتَّى تَسْتَوْفِيَ رِزْقَهَا وَإِنْ أَبْطَأَ عَنْهَا فَاتَّقُوا اللَّهَ وَأَجْمِلُوا فِي الطَّلَبِ خُذُوا مَا حَلَّ وَدَعُوا مَا حَرُمَ

O ju njerëz, frikësojuni Allahut dhe jini të ndershëm në kërkimin e jetesës, sepse asnjë shpirt nuk do të vdesë derisa të marrë të plotë riskun e tij, edhe nëse vonohet. Pra, frikësojuni Allahut dhe jini të ndershëm në kërkimin e jetesës. Merrni atë që është e lejuar dhe lini atë që është e ndaluar.”[7]

[1] Taberani: el-Mu’xhemu’l-eusat, VII, 56.

[2] Nexhm: 39-40.

[3] Ibn Maxheh: Ruhun, 4.

[4] Nisa: 103.

[5] Nisa: 135

[6] Ebu Daud: Kada, 31.

[7] Ibn Maxheh: Tixharet, 2.