Të nderuar besimtarë, në ajetin që lexuam Allahu xh. sh. thotë: “O Profet! Ne të kemi dërguar ty si dëshmitar, sjellës të lajmit të mirë dhe paralajmërues; njëkohësisht (të kemi çuar) si thirrës, që i fton njerëzit në rrugën e Allahut me urdhrin e Tij dhe si pishtar ndriçues.”[1]
Ndërsa në hadithin që lexuam Profeti a. s. ka thënë: “Kam lënë tek ju dy gjëra, që nëse kapeni pas tyre nuk do të humbisni kurrë pas largimit tim: Librin e Allahut dhe Sunetin e Profetit të Tij.”[2]
Të nderuar besimtarë, falenderimet janë për Allahun Krijuesin e gjithësisë, i Cili dërgoi në mesin e njerzëve Profetin a. s. si dëshmitar, përgëzues dhe paralajmërues. Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi Profetin tonë të dashur që kemi privilegjin të jemi prej ummetit të tij.
Në vitin 571, kur lindi Pejgamberi a.s., njerëzimi kishte humbur në errësirën e injorancës. Padrejtësia, mizoria, dëshpërimi dhe pasiguria ishin në kulmin e tyre. Ndjenja e dhembshurisë ishte mpirë, virtyti dhe urtësia ishin zhdukur. Çdo ditë, njerëzit zgjoheshin në një botë ku të fortët shtypnin të dobëtit. Zemrat e pafuqishme kishin etje për të vërtetën, drejtësinë dhe mëshirën, dhe britma e të shtypurve kishte arritur në pikën më të lartë. Njerëzit që kishin humbur udhëzimin kishin nevojë për mëshirën hyjnore. Në një situatë të tillë, Allahu i Madhëruar nuk i la vetëm robërit e Tij. Si manifestim i dhembshurisë dhe mëshirës së Tij të pafundme, Ai dërgoi profetin e Tij të fundit, Muhammedin a.s., i cili u kujtoi njerëzve përgjegjësitë dhe detyrat e tyre deri në fund të kësaj jete. Allahu xh. sh. duke iu drejtuar Pejgamberit a.s thotë:
وَمَآ أَرۡسَلۡنَٰكَ إِلَّا رَحۡمَةٗ لِّلۡعَٰلَمِينَ
“Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), veçse si mëshirë për botët”[3]
Të nderuar besimtarë, duhet theksuar se revolucioni më i madh në botën e mendjes dhe ideve të njerëzimit ndodhi pikërisht me ardhjen e Profetit a.s.. Me ardhjen e tij, errësira u ndriçua. Periudha e injorancës u kthye në paqe dhe qëndrueshmëri. Mizoritë u kthyen në drejtësi. Çdo personi iu dha e drejta e tij. Të dobëtit dhe të pafuqishmit fituan sërish dinjitetin e të qenit njeri. Fytyrat e jetimëve dhe të pastrehëve buzëqeshën. Me ardhjen e tij a.s., dija dhe urtësia, dhembshuria dhe mëshira, drejtësia dhe barazia u përhapën në të gjitha anët e botës.
Të nderuar besimtarë, secili prej nesh kur kujton dhe përmend Profetin a. s., le t’ia bëjë vetes këto pyetje: A e besojmë ne Profetin a.s. ashtu siç duhet dhe e a duam atë më së shumti? A i bindemi atij siç duhet dhe a i mbrojmë porositë që na janë lënë nga ai? A e ndërtojmë jetën tonë në përputhje me sunetin e tij dhe a e përvetësojmë moralin e tij të bukur? A e posedojme respektin dhe mëshirën që ai kishte për të moshuarit, dashurinë dhe dhembshurinë që kishte për fëmijët, mirësinë dhe mëshirën që kishte ndaj të gjithë njerëzve? A qëndrojmë gjithmonë pro moralit, drejtësisë dhe virtytit? A qëndrojmë kundër të gjitha llojeve të së keqes, sherrit dhe gënjeshtrës? A punojmë për të qenë “umeti më i mirë” që Zoti i Plotfuqishëm e lavdëron? A bëjmë përpjekje të mjaftueshme për të përcjellë mesazhin e të Dërguarit të Allahut tek mbarë njerëzimi?
Të nderuar vëllezër e motra, Allahu xh. sh. në Kuranin Famëlartë thotë:
لَّقَدۡ كَانَ لَكُمۡ فِي رَسُولِ ٱللَّهِ أُسۡوَةٌ حَسَنَةٞ لِّمَن كَانَ يَرۡجُواْ ٱللَّهَ وَٱلۡيَوۡمَ ٱلۡأٓخِرَ وَذَكَرَ ٱللَّهَ كَثِيرٗا
“Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun”[4]
Prandaj, detyra jonë si besimtarë është që ta njohim dhe kuptojmë drejtë Profetin a.s.
Të ecësh në rrugën e tij të drejtë do të thotë t’i përmbahesh fort sunetit të tij. Të kuptosh qëllimin e dërgimit të tij do të thotë t’ua përcjellësh brezave të ardhshëm jetën e tij shembullore dhe përpjekjen e tij të nderuar.
Prandaj, detyra jonë si besimtarë është që ta njohim, ta kuptojmë drejtë dhe ta ndjekim Profetin a.s.
[1] Ahzab: 45, 46.
[2] Muvatta’, Kaderi, 3.
[3] Enbija, 107.
[4] Ahzab, 21.