Qendra MINBER

Profeti a.s. dhe formimi i personalitetit

Home » Profeti a.s. dhe formimi i personalitetit

 

 

 

 

 

 

 

Të nderuar besimtarë!

Allahu xh. sh. e krijoi njeriun si qenien më të vlefshme në tokë dhe e pajisi atë me besim, arsye dhe vullnet. Si krijesë e tillë, Zoti i Lartëmadhërishëm duke ia treguar rrugën, i kërkon njeriut që ta ndërtoj personalitetin e tij me vlera si drejtësia, mëshira, besimi dhe morali i mirë. Kjo rrugë që na është treguar nga vetë Krijuesi është pikërisht formimi i identitetit dhe karakterit tonë me anë të Kuranit Famëlartë dhe Sunnetit të Profetit a.s.

Elementi më i rëndësishëm që formon personalitetin e myslimanit dhe mbron natyrën e tij, që i jep identitetin njeriut dhe i sjell lumturi në këtë botë dhe në ahiret është besimi. Por, besimi nuk është vetëm një fjalë e thjeshtë. Besimi është një perlë që zbukuron të gjitha veprimet njeriut. Është një vlerë që na bën të fortë e të qëndrueshëm përballë vështirësive të jetës. Problemet zgjidhen dhe shqetësimet gjejnë paqe në saj të besimit. Besimi i kthen dhimbjet në gëzim, frikën e kthen në guxim, përçarjet i zëvendëson me vëllazëri, armiqësinë e kthen në miqësi.

Të nderuar vëllezër e motra!

Një nga elementët e tjerë që formëson personalitetin e muslimanit është adhurimi. Si domosdoshmëri e besimit tonë, adhurimet janë shprehje e mirënjohjes sonë për bekimet e dhëna nga Zoti. Adhurimet na kujtojnë qëllimin e krijimit tonë, na forcojnë vullnetin, na mbrojnë nga e keqja dhe na drejtojnë drejt veprave të mira. Ato rrënjosin në vetëdijen tonë se ne jemi në praninë e Zotit xh. sh. në çdo moment.

Adhurimet kanë një shtrirje shumë të gjërë, ato nuk janë të kufizuara vetëm me pesë parimet themelore të Islamit. Çdo gjë që bëjmë me sinqeritet dhe çiltërsi, duke kërkuar pëlqimin e Allahut xh. sh., konsiderohet si adhurim. Myslimani është i obliguar të kryej adhurimet e tij, përveç nëse ka ndonjë justifikim të pranuar fetarisht.

 

Ndërkaq Allahu në Kur’anin Famëlartë thotë:

وَٱعۡبُدۡ رَبَّكَ حَتَّىٰ يَأۡتِيَكَ ٱلۡيَقِينُ

“Dhe adhuroje Zotin tënd derisa të të vijë vdekja!”[1]

Profeti a.s. i kryente pa mangësi adhurimet e tij edhe në kohët më të vështira dhe na mësoi edhe ne, se nuk ka jetë pa adhurim.

Të nderuar besimtarë! Një tjetër element shumë i rëndësishëm që e ndërton personalitetin e myslimanit është morali i mirë. Morali i mirë është shprehja e virtytit, mirësisë dhe besimit. Ndërkaq, i Dërguari i Allahut a.s. në lidhje me këtë thotë: “Ai që kur bën një vepër të mirë gëzohet dhe kur bën një vepër të keqe mërzitet, është besimtar”.[2] Morali është garancia e një jete të qetë dhe garancia e paqes shoqërore. Në një shoqëri ku jetohen dhe mbahen gjallë vlerat morale, mbizotërojnë virtytet si e vërteta, drejtësia dhe ndershmëria, dëlirësia dhe devotshmëria, dhembshuria dhe mëshira. Ndërsa, në një shoqëri ku humbasin vlerat morale, drejtësia zëvendësohet nga mizoria, mëshira zëvendësohet nga zemërimi, gjërat hallall zëvendësohen me ato haram dhe veprat e mira zëvendësohen nga e keqja.

Fatkeqësisht, në kohën tonë po kalojmë ditë ku dija, urtësia dhe virtyti humbasin, injoranca dhe dhuna janë të përhapura dhe nderi e dinjiteti njerëzor shpërfillet. Probleme të tilla si individualizmi, egoizmi, dhënja pas dynjasë dhe vetmia që po ndikojnë shumë në jetën shoqërore, po paraqesin kërcënim për të gjithë, sidomos për fëmijët dhe të rinjtë tanë. Por, detyra që kemi ne në kohë si këto, është që të marrim si shembull mesazhet e mbushura me mëshirë të Profetit a.s., i cili e shndërroi shoqërinë e injorancës në epokën e lumturisë. Duhet të kemi si synim që ta ndërtojmë personalitetin tonë me besim, ta brumosim atë me adhurim dhe ta përsosim me moral të mirë, si i Dërguari i Allahut a.s. Gjithashtu, për të qenë të denjë për përgëzimin që Allahu xh. sh. ka dhënë në Kuranin Famëlartë ku thotë:

ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ وَعَمِلُواْ ٱلصَّٰلِحَٰتِ طُوبَىٰ لَهُمۡ وَحُسۡنُ مَـَٔابٖ

“Për ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira ka çdo mirësi dhe vendbanim të mrekullueshëm!”[3]

Duhet që të zbatojmë të mirën, të ndalojmë të keqen dhe të mbajmë anën e të drejtës. Duhet të shmangemi nga ajo që është haram dhe të kapemi mbas asaj që është hallall. Kjo është mbrojtje nga të gjitha llojet e të këqijave dhe mëkateve. Duhet të pajisemi me dhembshuri dhe të kontrollojmë zemërimin tonë. Duhet të qëndrojmë kundër të padrejtit dhe në anën e të shtypurit. Kurrë nuk duhet të pëlqejmë padrejtësitë dhe mizoritë.

 

[1] Hixhr, 99.

[2] Ibn Hanbel, IV, 399.

[3] Rad, 29.