Të nderuar besimtarë!
Kalimi i çdo momenti nënkupton pakësimin e kapitalit tonë jetësor. Çdo minutë që kalon na afron më shumë me vdekjen. Duke qenë kështu, ne ndonjëherë e harrojmë besëlidhjen tonë të bindjes ndaj Allahut. Kështu ndodh që shpërfillim përgjegjësitë tona ndaj Zotit, familjes, mjedisit dhe njerëzimit. Gjithashtu ndonjëherë e shpërfillim ditën e llogarisë duke e ndotur botën tonë shpirtërore me gabime dhe mëkate. Ndërkaq, Allahu xh.sh na këshillon që ta vlerësojmë çdo moment të jetës, duke dhënë llogari për të kaluarën tonë dhe duke planifikuar të ardhmen bazuar në mirësi dhe bamirësi. Duke na tërhequr vëmendjen në Kur’anin Fisnik ku thotë:
يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ ٱتَّقُواْ ٱللَّهَ وَلۡتَنظُرۡ نَفۡسٞ مَّا قَدَّمَتۡ لِغَدٖۖ وَٱتَّقُواْ ٱللَّهَۚ إِنَّ ٱللَّهَ خَبِيرُۢ بِمَا تَعۡمَلُونَ
“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe çdo njeri le të shikojë se ç’ka përgatitur për të nesërmen! Kijeni frikë Allahun, sepse Ai di çdo gjë që bëni ju!”[1] na urdhëron që të përgatitemi për botën e përjetshme me besim, adhurim, moral të mirë dhe duke u penduar nga mëkatet dhe gabimet.
Të nderuar besimtarë!
Një nga begatitë që Allahu Fuqiplotë u ka dhuruar robërve të Tij është pendimi. Pendimi është një adhurim që ka nisur me historinë njerëzore. Të gjithë profetët, duke filluar nga Profeti Adem a.s., janë penduar dhe kanë thirrur umetin e tyre që të pendohen tek Allahu. Pendimi është bërja pishman nga mëkatet dhe nënkupton kthimin në thelbin dhe natyrën e pastër njerëzore. Pendimi është kthimi i robit te Zoti i tij dhe kërkimi i faljes prej Tij. Allahu xh.sh. në ajetin e Kur’anit Fisnik na fton të gjithë ne besimtarëve të pendohemi ku urdhëron:
وَتُوبُٓوا اِلَى اللّٰهِ جَم۪يعاً اَيُّهَ الْمُؤْمِنُونَ لَعَلَّكُمْ تُفْلِحُونَ
“Të gjithë ju, o besimtarë, kthehuni tek Allahu të penduar, që të arrini shpëtimin!”[2]
Prandaj, besimtari nëse ka rënë në ndonjë mëkat ose ka bërë ndonjë gabim duhet të përpiqet në maksimum që të largohet prej tyre. Nëse kemi treguar mospërfillje në kryerjen e dispozitave që ka urdhëruar Islami, menjëherë duhet të kthehemi te Zoti ynë. Nëse kemi adhurime të lëna mangët që nuk i kemi kryer në kohën e vet, duhet ti plotësojmë pa humbur kohë. Gjithashtu, nuk duhet ta harrojmë kurrsesi urdhërin e Zotit ku thotë:
وَاعْبُدْ رَبَّكَ حَتّٰى يَأْتِيَكَ الْيَق۪ينُ
“Dhe adhuroje Zotin tënd derisa të të vijë vdekja!”[3]
Nëse e kemi lënduar familjen me fjalët dhe veprimet tona; nëse i kemi braktisur fëmijët tanë, të cilët janë krijuar me natyrë të pastër, në mëshirën e njerëzve dashakeq; nëse nuk i kemi respektuar prindërit tanë, të cilëve na ndalohet tu themi qoftë edhe “of”, atëherë le të kërkojmë falje nga Allahu xh.sh.
Nëse e kemi ndotur gjuhën tonë me vese të këqija si përgojimet, thashethemet dhe fyerjet; nëse i kemi errësuar zemrat tona me të këqijat si arroganca, mburrja dhe zilia; nëse nuk i kemi braktisur gjërat e ndaluara si alkooli, bixhozi, kamata dhe u kemi hyrë në hak qoftë personave apo shoqërisë; nëse kemi bërë përfitime të padrejta përmes mëkateve të tilla si ryshfeti dhe korrupsioni, atëherë le të heqim dorë dhe të pendohemi pa humbur kohë.
Nëse kemi shkelur kufijtë e privatësisë, qoftë në jetën reale apo në mjedisin virtual; nëse e kemi fyer nderin dhe dinjitetin e njerëzve me gënjeshtra dhe shpifje, le të kërkojmë falje nga Zoti ynë pa vonesë.
Nëse i kemi shkëputur lidhjet farefisnore me të afërmit tanë; nëse i kemi shqetësuar fqinjët; nëse nuk jemi kujdesur për të drejtat dhe hakun e jetimëve; nëse kemi përdorur gjuhë të neveritshme në komunikim me njerëzit, le të pendohemi menjëherë.
Shkurtimisht, le t’ia kthejmë të drejtat dhe hakun kujtdo që ka të drejta dhe hak mbi ne, le ti kërkojmë hallallin dhe të bëjmë paqe patjetër me ata që kanë të drejta dhe hak mbi ne dhe le të kërkojmë sinqerisht falje nga Allahu.
Të nderuar besimtarë!
Pavarësisht se sa mëkate mund të kemi bërë, mëshira e Zotit përfshin gjithë universin. Dera e Tij e pendimit është e hapur. I Dërguari i Allahut a.s. në një hadith ka thënë:
كُلُّ بَنِي آدَمَ خَطَّاءٌ وَخَيْرُ الْخَطَّائِينَ التَّوَّابُونَ
“Të gjithë bijtë e Ademit bëjnë gabime dhe më të mirët e atyre që gabojnë janë ata që pendohen për gabimet e tyre”.[4] Atëherë, le të japim llogari për veprimet tona para Ditës së Gjykimit kur gojët do të vulosen dhe duart, këmbët dhe lëkura do të tregojnë se çfarë kanë vepruar. Le ta marrim veten në llogari para se të merremi në llogari. Le t’i kërkojmë Zotit tonë falje dhe të pendohemi te Ai për të gjitha gabimet dhe mëkatet që kemi bërë. Të mos harrojmë se pendimi i bërë pasi shpirti të ketë arritur në fyt nuk ka vlerë tek Allahu.
Hytben po e përfundojmë me kuptimin e këtij ajeti në suren Nisa, që lexuam në fillim ku Allahu xh.sh. thotë:
“Allahu është pranues i pendimit vetëm për ata që bëjnë ndonjë të keqe nga padituria dhe pendohen shpejt. Pra, këtyre Allahu ua pranon pendimin. Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë”.[5]
[1] Hashr: 18.
[2] Nur: 31.
[3] Hixhr: 99.
[4] Ibn Maxheh: Zuhd, 30.
[5] Nisa: 17.