Të nderuar besimtarë!
Në ajetin që lexuam më sipër Allahu xh.sh. thotë si vijon:
“O bijtë e Ademit, Ne ju dërguam rroba që të mbuloni vendet e turpshme, si edhe për zbukurim; por, petku i devotshmërisë është më i miri. Këto janë disa shenja të Allahut, që ju të merrni këshillë”.[1]
Ndërsa në hadithin që përmendëm Pejgamberi a.s. thotë kështu:
“Atë që e kanë trashëguar njerzit nga fjalët e pejgamberëve është: Nëse nuk turpërohesh vepro si të duash”.[2]
Feja jonë e lartë, Islami, ka vendosur kritere dhe standarde të caktuara për çdo aspekt të jetës, duke nisur nga ngrënia dhe pirja deri te të folurit dhe sjellja, nga veshja dhe blerja deri te argëtimi. Allahu i Lartmadhëruar na ka informuar për këto kritere në Kur’anin Famëlartë dhe Profeti a.s na i ka mësuar ato duke i jetuar vetë së pari. Respektimin dhe zbatimin e këtyre kritereve ndryshe e quajmë “takua/devotshmëri”.
Takuaja/Devotshmëria është të pasurit ndrojtje dhe frikë Allahun ashtu siç e meriton Ai. Ajo është të kthehesh drejt së mirës dhe të qëndrosh larg së keqes; Është mbrojtja nga të gjitha llojet e mëkateve dhe haramit; Është që ne të jetojmë me vetëdijen që Zoti na sheh dhe na vëzhgon në çdo kohë dhe është i vetëdijshëm për gjithçka që bëjmë. Devotshmëri do të thotë të jetosh një jetë pa harruar vdekjen, ringjalljen, gjykimin, xhennetin dhe xhehennemin.
Të nderuar besimtarë!
Kur devotshmëria vendoset në zemrat tona, zemrat bëhen qendra e mirësisë. Kështu ajo na pastron nga ndjenjat e këqija si hipokrizia, arroganca, krenaria dhe tendenca për tu dukur. Kur devotshmëria pasqyrohet në gjuhën tonë, fjalët tona bëhen të drejta dhe të bukura. Kështu ajo na mban larg shkatërrimeve të tilla si përgojimi, gënjeshtra, thashethemet dhe shpifjet. Kur devotshmëria drejton mendjet tona, sjellja jonë kthehet në mirësi dhe elegancë, mëshirë dhe drejtësi, dashuri dhe afrimitet. Kështu që, të këqijave që errësojnë botën tonë si mizoria, padrejtësia dhe dhuna, nuk u ngelet vend në jetën tonë.
Atëherë kur devotshmëria shfaqet në veshjen tonë, me atë ne mbrojmë dinjitetin e trupit, sepse çdo njeri, burrë apo grua, kanë privatësinë e tyre fizike. Islami, për të parandaluar dëmtimin e kësaj privatësie na urdhëron që t’i mbulojmë pjesët e trupit, që duhet të mbulohen dhe të mos ua ekspozojmë ato të tjerëve. Për gratë, pjesët që duhet të mbulohen kur janë në prani të burrave të huaj dhe kur dalin jashtë shtëpive të tyre janë i gjithë trupi përveç fytyrës, duarve dhe këmbëve. Ndërsa për meshkujt pjesa minimale që duhet mbuluar është pjesa midis kërthizës dhe kapakut të gjurit. Veshja e rrobave që zbulojnë gjymtyrët është cenim i dinjitetit të trupit, i cili na është besuar nga Zoti. Nuk duhet harruar se, para së gjithash, mbulimi është një urdhër i Allahut, jo një zgjedhje personale. Ajo është stoli e besimtarit dhe një domosdoshmëri natyrore. I Dërguari i Allahut në një hadith të tij thotë:
إِنَّ اللَّهَ عَزَّ وَجَلَّ حَلِيمٌ حَيِيٌّ سِتِّيرٌ يُحِبُّ الْحَيَاءَ وَالسَّتْرَ
“Allahu xh.sh. është Halim, Posedues Turpi dhe Mbulues i turpeve. I do ata që kanë turp dhe mbulohen.[3]
Devotshmëria, kur reflektohet në hapat tonë të fejesës, martesës dhe dasmës, shtëpitë tona ndërtohen mbi paqen, lumturinë dhe dashurinë. Islami e lejon argëtimin në dasma brenda kufijve legjitimë. Mirëpo, konsumimi i alkoolit, shkelja e kufijve të privatësisë dhe praktika të ngjashme nuk kanë vend në islam dhe nuk përputhen me moralin e muslimanit. Përveç kësaj, shpenzimet e tepërta për martesë bëjnë, që si çifti i martuar ashtu edhe familja të përjetojnë shumë vështirësi financiare dhe morale. Kjo bën, që të rinjtë ose të mos martohen fare ose ta vonojnë martesën e tyre. Ndërkaq, paralajmërimi i Profetit a.s. rreth kësaj çështjeje është shumë i qartë ku thotë se:
إِنَّ أَعْظَمَ النِّكَاحِ بَرَكَةً أَيْسَرُهُ مُؤْنَةً
“Martesa më e begatë është ajo me më pak mundime”.[4]
Të nderuar besimtarë!
Duhet të mundohemi që vetëdija e devotshmërisë të mbizotërojë në çdo moment dhe në çdo aspekt të jetës tonë. Prandaj, le të qëndrojmë larg fjalëve, qëndrimeve dhe sjelljeve të gabuara që dëmtojnë dinjitetin tonë dhe që janë të papajtueshme me ndershmërinë njerëzore. Të mos harrojmë se ato, që do ta bëjnë botën tonë të begatë dhe jetën e përtejme parajsë është besimi ynë i drejtë, veprat tona të mira, morali ynë i bukur dhe ndjenja jonë e përgjegjësisë.
Hytben e kësaj xhumaje po e mbyllim me lutjen e Pejgamberit a. s. ku thotë:
اللَّهُمَّ إِنِّي أَسْأَلُكَ الْهُدَى وَالتُّقَى وَالْعَفَافَ وَالْغِنَى
“O Allah, kërkoj nga Ti udhëzimin, devotshmërinë, dëlirësinë dhe pasurinë e zemrës”.[5]
[1] A’raf: 26.
[2] Buhariu: Edep, 78.
[3] Nesaiu: Gusul, 7.
[4] Ibn Hanbel: VI, 83.
[5] Muslimi: Dhikr, 72.