
Të nderuar besimtarë!
Një nga parimet themelore të fesë sonë të lartë është namazi. Namazi është një akt adhurimi i urdhëruar nga Zoti i Plotfuqishëm për të gjithë profetët dhe umetet e tyre. Namazi është shtylla e fesë, miraxhi/ngritja e besimtarit dhe reflektimi i besimit në jetë. Është manifestimi i paqes, nënshtrimit dhe të qenët rob ndaj Allahut. Namazi, i kryer me respektin e duhur ndaj rregullave, kushteve dhe etikës së tij, disiplinon shpirtrat tanë, shton begatitë në jetën tonë, sjell paqe në shtëpitë tona, na mbron nga ambicia dhe mburrja e kësaj bote, qetëson shpirtrat e lodhur dhe na mëson durimin përballë vështirësive dhe fatkeqësive.
Namazi nuk ka të bëjë vetëm me disa lëvizje specifike; ai është një udhërrëfyes për jetën dhe na mban në rrugën e duhur. Me nisjen e namazit, marrim “Tekbirin Iftitah”/Allahu Ekber, duke deklaruar se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut (xh.sh.). Me “Kijamin”/qëndrimin në këmbë, deklarojmë se do të qëndrojmë pro së vërtetës e do t’i kundërvihemi së kotës dhe se nuk do të pranojmë kurrë shtypjen apo tiraninë. Me “Kiraetin”/leximin e Kuranit, ne recitojmë Kuranin dhe pohojmë se do t’i përfshijmë mesazhet e tij të përjetshme në çdo aspekt të jetës sonë. Me “Ruku”/përuljen, ne deklarojmë se nuk do t’i përulemi kurrë askujt përveç Zotit. Me sexhden, ne arrijmë qetësinë dhe gëzimin e afërsisë sonë me Allahun (xh.sh.). Dhe me dhënien e selamit ne japim siguri se askujt nuk do t’i ndodhë asnjë dëm përmes fjalëve ose veprave tona.
Të dashur besimtarë!
Për Profetin tonë (a.s.), namazi ishte një detyrë që ai nuk e braktisi kurrë deri në fund të jetës së tij. Megjithëse në ditët e tij të fundit ishte shumë i sëmurë, ai kurrë nuk i braktisi namazet me xhemat; edhe pse me vështirësi, gjithmonë shkonte në xhami për t’u falur. I Dërguari i Allahut (a.s.) namazin e shihte si mburojë dhe ditën e tij e fillonte me namazin e sabahut të dëshmuar nga engjëjt, ndja dhe thoshte: “Kushdo që e fal namazin e mëngjesit është nën mbrojtjen e Allahut”.[1] Ai (a.s.) e konsideronte lënien e namazit si të barabartë me humbjen e botës dhe gjithçkaje që ka në të, duke paralajmëruar kështu: “Kush nuk e fal namazin e pasdites është sikur të ketë humbur familjen dhe pronën e tij”.[2] I Dërguari i Allahut (a.s.) e fillonte ditën e tij me begatitë e namazit të sabahut dhe e përfundonte atë me qetësinë e namazit të natës dhe thoshte: وَلَوْ يَعْلَمُونَ مَا فِي الْعَتَمَةِ وَالصُّبْحِ لأَتَوْهُمَا وَلَوْ حَبْوًا “Nëse njerëzit do ta dinin shpërblimin e namazit të mëngjesit dhe të jacisë, do të vinin në xhami edhe nëse do t’u duhej të zvarriteshin”.[3]
Të nderuar besimtarë!
Në jetën e Profetit tonë të nderuar, Muhamedit (a.s.), namazi ishte një akt adhurimi që mbante gjallë lidhjen e robit me Zotin dhe xhamitë ishin vendet e shenjta ku ky adhurim merrte jetë. I Dërguari i Allahut (a.s.) thotë: إِذَا رَأَيْتُمُ الرَّجُلَ يَتَعَاهَدُ الْمَسْجِدَ فَاشْهَدُوا لَهُ بِالإِيمَانِ “Nëse e shihni dikë që shkon rregullisht në xhami për t’u falur, dëshmoni për besimin e tij!”[4] Ai e shihte namazin dhe xhaminë si dy pjesë të një trupi, duke i konsideruar ato si tregues të besimit. Në të vërtetë, xhamitë janë vende të shenjta; ato janë shtëpia e Zotit, një degë e Qabesë, zemra e qyteteve, themeli i qytetërimit tonë dhe garantuesi i paqes e i qetësisë. Ato janë vende të dijes, njohjes dhe urtësisë, ku qëndrojmë krah për krah në paqe, forcojmë vëllazërinë tonë dhe përmirësojmë jetën me dije të saktë dhe të vërtetë.
Të dashur besimtarë!
Xhamitë dhe namazi u ofrojnë njerëzve të sotëm, të kapluar nga hedonizmi, shpejtësia, konsumi dhe vetmia, një shans për të marrë frymë, për të gjetur qetësi dhe për të rifituar paqen. Gjithashtu, ato kontribuojnë në paqen sociale. Ato u japin fëmijëve dhe të rinjve tanë identitet dhe personalitet, duke ngulitur tek ata ndjenjën e përgjegjësisë. Namazi dhe xhamitë i mbrojnë të rinjtë nga zakonet e dëmshme dhe ideologjitë shkatërruese, duke i bërë ata të dobishëm për familjet, shoqërinë dhe njerëzimin. Atëherë, duke iu përgjigjur thirrjes së Zotit në Kuranin fisnik, që thotë: وَأۡمُرۡ أَهۡلَكَ بِٱلصَّلَوٰةِ وَٱصۡطَبِرۡ عَلَيۡهَاۖ لَا نَسۡـَٔلُكَ رِزۡقٗاۖ نَّحۡنُ نَرۡزُقُكَۗ وَٱلۡعَٰقِبَةُ لِلتَّقۡوَىٰ “Urdhëroje familjen tënde që të falë namazin dhe këmbëngul për këtë! Ne nuk të kërkojmë ty ndonjë ushqim: jemi Ne që të ushqejmë! Përfundimi i lumtur qëndron në frikën ndaj Allahut”,[5] le t’i mësojmë familjarët tanë të falin namaz me fjalë të ëmbla, fytyra të qeshura dhe me durim. Të mos i pengojmë fëmijët tanë dhe ata që janë nën kujdesin tonë të falen, nga frika dhe shqetësimi për fitimin e rriskut. Të mos harrojmë se i Dërguari i Allahut (a.s.) e zgjonte vajzën e tij, Fatimen (r.a.) dhe dhëndrin e tij, Aliun (r.a.) për namaz kur shkonte për në namazin e sabahut.[6] Gjithashtu, të mos e injorojmë kurrë faktin se edhe në momentet e fundit të jetës së tij, Pejgamberi (a.s.) na këshilloi me fjalën: “Kini kujdes me namazin!”[7]
Me këtë rast, e lutim Allahun, Krijuesin Fuqiplotë, t’i mëshirojë ata që kanë ndërruar jetë dhe t’u japë shëndet e mirëqenie atyre që janë gjallë; nga hoxhallarët, imamët e mësuesit që kanë çuar përpara edukimin shpirtëror nga e kaluara në të tashmen, si dhe t’u japë begati bamirësve që kanë kontribuar për ndërtimin e xhamive në vendin tonë.
Hytben e kësaj xhumaje po e përfundojmë me ajetin e 45-të të sures Ankebut:
“Ti lexo atë që po të shpallet nga libri (Kurani), fal namazin, vërtet namazi largon nga të shëmtuarat dhe të irrituarat, e përmendja e Allahut është më e madhja (e adhurimeve); Allahu e di ç’punoni ju”.[8]
[1] Muslimi: Mesaxhid, 262.
[2] Buhariu: Mevakitu’s Sala, 14.
[3] Buhariu: Edhan, 9.
[4] Tirmidhiu: Iman, 8.
[5] Taha: 132.
[6] Tirmidhiu: Tefsiru’l-Kur’an, 33.
[7] Ibn Maxheh: Xhenaiz, 64.
[8] Ankebut: 45.