Qendra MINBER

Pejgamberi (a.s.) dhe morali familjar

Home » Pejgamberi (a.s.) dhe morali familjar

 

 

 

 

 

Të nderuar besimtarë!

            Garancia e një shoqërie paqësore dhe të lumtur është familja e fortë dhe e sigurt. Familja është vatër lumturie dhe dashurie e ngritur nëpërmjet martesës legjitime midis një burri dhe një gruaje, të cilëve, sipas fesë, u lejohet të martohen. Familja është institucioni më i vjetër dhe më i qëndrueshëm në historinë e njerëzimit. Ajo është shkollë unike ku formohet besimi, identiteti dhe personaliteti dhe ku brezave të ardhshëm u mësohen vlerat shpirtërore dhe atdhetare. Në ajetin fisnik që lexuam në fillim të hytbes, Allahu (xh.sh.) thotë: “Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja për njerëzit që mendojnë”.[1] Sipas këtij ajeti kuranor, familja është vatra e dashurisë, respektit, dhembshurisë dhe mëshirës.

            Të nderuar besimtarë!

Të gjitha bukuritë dhe hollësitë e moralit familjar ne i mësuam nga Profeti ynë (a.s.). I Dërguari i Allahut (a.s.) ishte jashtëzakonisht i dhembshur dhe i sjellshëm me familjen e tij. Mirësia ishte e dukshme në të gjitha fjalët dhe sjelljet e tij. Ai kurrë nuk lëndoi ose ofendoi ndonjë anëtar të familjes së tij dhe as nuk u foli ashpër atyre. Pejgamberi (a.s.) gjithmonë e shprehte dashurinë  për gruan e tij, Hatixhen (r.a.), duke thënë: “Unë jam begatuar me dashurinë e saj”.[2] Me fjalën: “Për çdo shpenzim që bëni për familjet tuaja duke shpresuar në pëlqimin e Allahut, do të merrni shpërblim”,[3] ai (a.s.) çdo sakrificë të bërë për familjen e konsideronte si një vepër të mirë që fitonte pëlqimin e Allahut.

Kur braktisen vlerat morale të përcaktuara në Kur’a dhe sunet, familjet mbeten të privuara për paqe dhe lumturi. Është për të ardhur keq, që sot, grupe të caktuara që kanë në shënjestër familjen, përpiqen t’i largojnë gratë nga vlerat e tyre të shenjta të amësisë e burrat nga atësia dhe të dobësojnë rolet e burrave dhe grave brenda familjes. Devijimet e ndaluara nga Islami,  që janë në kundërshtim me natyrën njerëzore, paraqiten si të pafajshme nën maskën e bashkëjetesës civile; marrëdhëniet jashtëmartesore paraqiten si normale dhe martesa paraqitet si barrë dhe mundim. Ndërkohë që, martesa dhe familja janë urdhëresa të Zotit, suneti i Profetit (a.s.) është domosdoshmëri e natyrshme. Gjithashtu, ato janë thelbësore për vazhdimin e prejardhjes njerëzore dhe të popujve. I Dërguari i Allahut (a.s.), në një hadith, martesën e përkufizon në këtë formë: “Martesa është mënyra më e mirë për t’u larguar nga e ndaluara dhe për të ruajtur nderin”.[4]

Të nderuar besimtarë!

Në asnjë mënyrë nuk duhen legjitimuar rrugët që cenojnë dëlirësinë dhe moralin dhe që çojnë drejt imoralitetit që shkatërron shoqërinë dhe brezat. Lakuriqësia dhe veshjet pa asnjë kriter nuk duhet të portretizohen si pjesë e jetës. Alkooli, bixhozi dhe lëndët narkotike nuk duhet të portretizohen si normale. Gjithashtu, marrëdhëniet abuzive, divorcet, dhuna e inatet nuk duhen treguar si të zakonshme. Nuk duhet harruar se imoraliteti, alkooli dhe bixhozi janë ndër mëkatet e mëdha dhe të ndaluara nga feja jonë. Paralajmërimet e Allahut (xh.sh.) për këto çështje janë mjaft të qarta: “Dhe mos iu afroni imoralitetit (zinasë), sepse vërtet ai është vepër e shëmtuar dhe është një rrugë shumë e keqe”.[5]

Në ditët tona, më shumë se kurrë më parë, struktura e familjes është nën rrethim nga lobet globale, interesat e fshehtë dhe fuqitë imperialiste. Këto forca të liga e kanë kthyer si synim të tyre dobësimin e lidhjeve familjare, privimin e brezave për të qenë njerëz me personalitet dhe identitet si dhe ndarjen e tyre nga vlerat thelbësore të njeriut. Prandaj, duke patur parasysh këtë situatë krijimi, mbrojtja dhe forcimi i një familjeje nuk është thjesht një përgjegjësi individuale; gjithashtu është përgjegjësia fetare, morale dhe humanitare e çdo personi me besim, ndërgjegje dhe mirëkuptim. Në lidhje me këtë, në hadithin që lexuam në fillim të hytbes, Pejgamberi (a.s.) thotë: “Neglizhimi i përgjegjësive familjare i mjafton personit si mëkat”.[6]

Të nderuar besimtarë!

Në këtë kohë, kur vlerat familjare po minohen, detyra jonë është që ta vlerësojmë familjen, parajsën tonë në tokë, fortesën dhe strehën tonë të fundit. Në jetën familjare, ne duhet të respektojmë kufijtë e asaj që është e ligjshme dhe e paligjshme, siç janë vendosur nga Zoti, dhe të marrim për bazë vlerat morale të Profetit tonë (a.s.). Duke zbatuar urdhrin e Allahut (xh.sh.): “Urdhëro familjen tënde të falë namaz, e edhe ti vetë zbatoje atë[7], duhet të përpiqemi të rrisim ndërgjegjësimin e familjarëve për kryerjen e adhurimeve. Ndër detyrat tona është lehtësimi i martesave si themel i ngritjes së familjes dhe inkurajimi i të rinjve që të martohen. Duhet pasur kujdes që kohën tonë të vyer të cilën duhet ta kalojmë me familjen tonë, të mos e çojmë dëm para televizorit dhe telefonit. Komunikimi brenda familjes duhet të jetë dinamik. Emocionet e familjarëve tanë duhen marrë vazhdimisht në konsideratë. Gjithashtu, fëmijët nuk duhet t’i privojmë nga ngrohtësia, dashuria dhe përzemërsia familjare.

Hytben e sotme po e përfundojmë me lutjen e Pejgamberit (a.s.) që thotë:

“O Allah, Zot i çdo gjëje! Më bëj mua dhe familjen time midis atyre që janë vërtet të përkushtuar ndaj Teje në këtë botë dhe në botën tjetër!”[8]

[1] Rum: 21.

[2] Muslimi: Fedailu’s Sahabe, 75.

[3] Buhariu: Xhenaiz, 36; Muslimi: Zekat, 48.

[4] Buhariu: Nikah,3; Muslimi: Nikah, 1.

[5] Isra: 32.

[6] Ebu Daud: Zekat, 45.

[7] Taha: 132.

[8] Ebu Davud: Vitr, 25.