Qendra MINBER

Njeriu: Krijesa unike e Gjithësisë

Home » Njeriu: Krijesa unike e Gjithësisë

 

Të Nderuar Besimtarë!

Çdo ditë që lind do të perëndojë dhe çdo shpirt do ta shijojë vdekjen. Çdo gjë e krijuar do të përballet me fundin e caktuar. Detet do të vlojnë, malet do të lëvizin nga vendi e yjet do të bien. Ata që janë në varre do të nxirren jashtë dhe secili njeri do ta kuptojë qartë se çfarë ka vepruar e çfarë ka lënë mangët në këtë botë.

 

Besimtarë Të Dashur!

Ka njerëz që nuk mendojnë se përse u krijuan, nga erdhën dhe ku po shkojnë. Harrojnë veten, harrojnë Zotin e tyre, harrojnë vdekjen dhe llogarinë; harrojnë xhenetin e xhehenemin. Ata bredhin nën hijen e ligësisë; thyejnë zemra dhe lëndojnë shpirtra. Shndërrohen në Kabil dhe marrin jetë njerëzish. Bëhen si Karuni e krekosen me pasurinë e tyre. Bëhen si Nemrudi e mburren me pushtetin e tyre. Bëhen si Ebu Xhehli e verbohen para të vërtetës dhe hakut. Por, ka edhe njerëz që botën e shohin si vendmbjellje të ahiretit dhe punojnë me devotshmëri si për këtë botë, ashtu edhe për botën tjetër. Këta njerëz me besimin e tyre të drejtë, me veprat e tyre të mira dhe me fjalët e tyre të vyera çlirojnë zemrat e njerëzve.

O Njeri I Nderuar !

Ti je esenca e gjithësisë, je qenia unike e universit dhe je krijesa më e zgjedhur e Krijuesit Fuqiplotë. Është Allahu i Madhëruar Ai i Cili krijoi botën dhe gjithçka në të, duke i vënë ato në shërbimin tënd. Është Ai që të dha formën më të bukur. Është Ai që të pajisi me ndërgjegje dhe vetëdije, për të dalluar të mirën nga e keqja. Është Ai që dërgoi libra për të të treguar rrugët e paqes e të lumturisë, dhe që zgjodhi pejgamberët si udhërrëfyes për ty. Përkundër gjithë këtyre begative: “O njeri, ç’të mashtroi ty kundrejt Zotit tënd Bujar?”.[1] Çfarë të pengon ty të jesh rob i sinqertë ndaj Allahut? Çfarë të ndalon t’i zbatosh urdhëresat e Tij e të largohesh nga ndalesat e Tij?

Besimtarë Të Nderuar!

Sot, fatkeqësisht, jemi dëshmitarë të një epoke ku kontradiktat jetojnë krah për krah më shumë se kurrë. Në njërën anë, ka nga ata që përpiqen ta shndërrojnë botën në një kopsht xheneti për veten, familjen, kombet e tyre dhe mbarë njerëzimin; ndërsa në anën tjetër, ka nga ata që duan ta kthejnë tokën në një ferr të vërtetë, duke shtypur të pafajshmit e duke u bërë zullum të pambrojturve. Në njërën anë, ka njerëz plot mirësi e fisnikëri, të cilët nuk lëndojnë as edhe një milingonë; ndërsa në anën tjetër, ka nga ata që të dehur nga mendjemadhësia dhe kryelartësia, shkatërrojnë e djegin çdo vend ku kalojnë. Në njërën anë, ka prej atyre që mundohen që mirësia dhe mëshira të jetësohen; ndërsa në anën tjetër, ka prej atyre që me ligësitë e tyre duan ta dënojnë njerëzimin me një errësirë të pafund. Pejgamberi ynë i Nderuar (s.a.s), këtë dilemë e shpreh kështu në hadithin e tij fisnik: Besimtari është fisnik dhe bujar, ndërsa mëkatari i shthurur (faxhir) është i pacipë dhe koprrac”.[2]

Te Nderuar Besimtarë!

Çdo gjë rrjedh: uji, historia, yjet, njeriu dhe idetë,

Kanalet janë dysh: prej njërit rrjedh dritë, prej tjetrit errësirë.

Po, në këtë botë ku drita dhe errësira rrjedhin njëkohësisht, detyra jonë si besimtarë është që përmes besimit tonë ta shndërrojmë çdo vend ku ndodhemi në një vend sigurie; në një shtëpi qetësie e lumturie përmes adhurimeve tona; dhe në një ambient tolerance e dashurie përmes moralit tonë të bukur. Detyra jonë është të mos lejojmë dominimin e ligësisë dhe padrejtësisë, por të bëjmë që dashuria dhe përzemërsia të mbizotërojnë në çdo fushë të jetës sonë.

Hutben e kësaj xhumaje dua ta përfundoj duke përcjellë këtë hadith fisnik të Pejgamberit (a. s.):

‏ إِنَّ مِنَ النَّاسِ مَفَاتِيحَ لِلْخَيْرِ مَغَالِيقَ لِلشَّرِّ وَإِنَّ مِنَ النَّاسِ مَفَاتِيحَ لِلشَّرِّ مَغَالِيقَ لِلْخَيْرِ فَطُوبَى لِمَنْ جَعَلَ اللَّهُ مَفَاتِيحَ الْخَيْرِ عَلَى يَدَيْهِ وَوَيْلٌ لِمَنْ جَعَلَ اللَّهُ مَفَاتِيحَ الشَّرِّ عَلَى يَدَيْهِ ‏”‏ ‏.‏

Vërtet, prej njerëzve ka të tillë që janë çelësa të së mirës dhe kyçës të së keqes. Po ashtu, ka njerëz që janë çelësa të së keqes dhe kyçës të së mirës. Lum për ata që Allahu i ka bërë çelësa të së mirës, dhe mjerë për ata që Allahu i ka bërë çelësa të së keqes!”.[3]

[1] Infitar: 6

[2] Ebu Daudi: Edeb, 6

[3] Ibn Maxheh: Sunet, 19