
Të Nderuar Besimtarë!
Çdo krijesë në univers është krijuar për një qëllim të caktuar. Edhe njeriu, i cili përmes mendjes dhe vullnetit të tij shquhet ndaj krijesave të tjera, është dërguar në këtë botë për një qëllim madhor. Allahu i Lartësuar na vetëdijëson lidhur me këtë përmes ajetit Kuranor ku thotë: “A mendon njeriu se do të lihet në vullnet të vetin, pa përgjegjësi?”.[1]
Besimtarë Të Dashur!
Ibadeti është respektimi i urdhrave dhe ndalesave të Islamit me një qëllim të sinqertë. Ai është falënderim për mirësitë e panumërta që na ka dhënë Zoti ynë i Lartësuar. Ibadeti është pasqyrimi i imanit në jetën tonë. Ai është një mburojë që e ruan njeriun nga të këqijat dhe një udhërrëfyes që e shpie atë drejt qetësisë dhe lumturisë.
Besimtarë Të Nderuar!
Adhurimet (Ibadetet) sjellin mirësi dhe dobi jo vetëm për individin, por për mbarë shoqërinë. Po, me të vërtetë namazi e mbron njeriun nga sjelljet e turpshme, mëkatet dhe gabimet. Megjithatë, nëse një besimtar fal namaz, por vazhdon të shkelë urdhrat dhe ndalesat e Allahut xh.sh, si dhe vazhdon t’i mundojë familjen, fqinjët dhe njerëzit e tjerë, ai duhet ta rishikojë namazin e tij. Zeqati i kujton njeriut ndarjen e pasurisë me të tjerët, mbështetjen e nevojtarëve dhe pastrimin nga koprracia e përtacia. Përderisa myslimani nuk largohet nga egoizmi, koprracia, lakmia, xhelozia, shpërdorimi (israfi), kamata, mendjemadhësia dhe kryelartësia, ai nuk e ka kuptuar thelbin e vërtetë të zeqatit. Nëse Haxhi i kujton njeriut se njerëzit para Allahut janë të barabartë, nëse i kujton Tevhidin (Njësimin e Zotit) dhe unitetin, njohjen dhe urtësinë, mahsherin/mbledhjen dhe llogarinë në ditën e Ahiretit, atëherë qëllimi i haxhit është arritur. Agjërimi i mëson njeriut takvanë (devotshmërinë) dhe durimin. Nëse besimtari vazhdon të gënjejë, të bëjë përgojim dhe thashetheme, dhe vazhdon të shkelë të drejtën e tjetrit (hakun e personit), atëherë, siç theksohet në hadithin fisnik, nga agjërimi i tij nuk do t’i mbetet gjë tjetër përveç urisë dhe etjes.[2]
Të Nderuar Besimtarë!
Adhurimet nuk janë të kufizuara vetëm në një kohë dhe vend të caktuar. Përhapja e dashurisë, respektit, dhembshurisë dhe mëshirës mes nesh, si dhe përpjekja për të bërë që mirësia të mbizotërojë në tokë, janë gjithashtu ibadet. Përmbushja e përgjegjësive ndaj anëtarëve të familjes, trajtimi i tyre me butësi e mëshirë, si dhe gëzimi i jetimëve dhe nevojtarëve, janë gjithashtu ibadet. Fitimi i rrizkut me rrugë hallall dhe shpenzimi i tij në rrugë të lejuara, është gjithashtu ibadet. Puna dhe prodhimi, si dhe të qenit të dobishëm për atdheun, kombin dhe mbarë njerëzimin, janë gjithashtu ibadet. Madje, edhe largimi i një pengese të vogël nga rruga, në Islam llogaritet si ibadet.
Besimtarë Të Nderuar!
Për një musliman, nuk mund të imagjinohet një jetë pa ibadet. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: Zoti im as nuk do të kujdesej për ju, sikur të mos ishte lutja juaj”.[3] Prandaj, adhurimi i Zotit, fitimi i pëlqimit (rizasë) të Tij dhe arritja e dashurisë së Tij, është fitimi më i madh për ne. Sa fitim i madh është që ta vlerësojmë kapitalin e jetës sonë me ibadete dhe vepra të mira, e si shpërblim të fitojmë botën tjetër (Ahiretin) duke jetuar sipas hadithit të Resulullahut (a.s.) që thotë se “…Veprat më të dashura tek Allahu janë ato që bëhen vazhdimisht, edhe nëse janë pak”[4] Gjithashtu, mbjellja e shprehisë së adhurimit te fëmijët tanë përmes buzëqeshjes dhe fjalëve të ëmbla, është trashëgimia më e vyer që mund t’u lëmë atyre.
Hutben e sotme dua ta përfundoj me këtë lutje të Pejgamberit tonë të dashur (a. s.):
اللّهُـمَّ أَعِـنِّي عَلـى ذِكْـرِكَ وَشُكْـرِك ، وَحُسْـنِ عِبـادَتِـك
“O Allah! Më ndihmo që Të të kujtoj Ty (të bëj dhikër), Të të falënderoj dhe të Të bëj adhurim në mënyrën më të bukur!”[5]
[1] Kijamet: 36.
[2] Buhariu: Savm, 8; Ibn Maxheh, Sijam, 21.
[3] Furkan: 77.
[4] Ebu Davud: Tatavvu’, 27.
[5] Ebu Davudi: Vitr, 26; Nesaiu: Sehv, 60.