
Të Nderuar Besimtarë!
Në ajetin që lexuam më sipër, Allahu xh. sh. thotë: “Vërtet, Ne e krijuam njerin në formën më të bukur. Pastaj e zbritëm atë në më të ultin e të ultëve”.[1]
Ndërsa në hadithin e mësipërm, I Dërguari i Allahut a.s. thotë: “Ai që e pranon me gjithë zemër Allahun si Zot, Islamin si fe dhe Muhamedin si profet, do ta shijojë shijen e besimit”.[2]
Zoti i Plotfuqishëm, sunduesi i vetëm i qiejve dhe i tokës, e krijoi njeriun në formën të përsosur. Ai e pajisi njeriun me intelekt, që i mundëson atij të dallojë të drejtën nga e gabuara dhe me një ndërgjegje që e udhëzon në rrugën e së mirës. Si qenie e fuqishme, e vetëdijshme, e vetëvendosur dhe përgjegjëse, njeriu është krijesa e veçantë e universit.
Allahu xh. sh., I Cili e krijoi njeriun nga hiçi, e ushqen, i jep ujë dhe e mbron atë, dëshiron prej tij vetëm që të besojë dhe të bëjë vepra të mira. Arsyeja e ekzistencës njerëzore është që të mbajë mbi supe besimin dhe amanetin e të qenit rob ndaj Allahut dhe ta bëjë botën një shtëpi paqësore, të drejtë dhe të jetueshme për njerëzimin.
Besimtarë Të Nderuar!
Njerëzit si krijesa të Zotit, posedojnë cilësi jashtëzakonisht të larta, si dhe fuqi e aftësi të privilegjuara. Këto cilësi u mundësojnë njerëzve të synojnë të mirën dhe të jetojnë jetën e tyre në një mënyrë pozitive. Megjithatë, njerëzit gjithashtu mund të dëshirojnë të keqen dhe të përhapin mizori në të gjithë botën. E thënë ndryshe, ashtu siç mund të ndërtojnë një botë të lumtur përmes durimit, vendosmërisë, vetëmohimit, paqes dhe drejtësisë, gjithashtu mund të rrezikojnë veten dhe ata përreth tyre përmes injorancës, egoizmit, ambicies, nxitimit dhe mosmirënjohjes.
Kjo është arsyeja pse Zoti nuk e ka lënë kurrë njerëzimin jashtë vëmendjes. Allahu xh.sh., pasi krijoi gjithësinë, nuk është tërhequr mënjanë dhe nuk e ka lënë botën në mëshirë të fatit. Ai vazhdimisht sheh, mbikëqyr dhe drejton. Zoti nuk e ka lejuar njerëzimin të mbetet vetëm, pa begati ose pa ndihmë në këtë jetë. Ai është gjithmonë me ne, më afër se damari i qafës. Ndërkaq, mbështetja më e madhe e Zotit për ne është udhëzimi i Tij përmes Profetit dhe librit të Tij.
Të Dashur Besimtarë!
Ligji hyjnor që Zoti i ka dërguar njerëzimit me anë të Pejgamberit a.s. si udhërrëfyes, dritë jete dhe burim shpëtimi, dhe që i fton ata që zotërojnë mendje të shëndoshë ta pranojnë këtë recetë shpëtimi, quhet fe. Feja ka ekzistuar që me njeriun e parë dhe do të vazhdojë të ekzistojë deri në ditën e fundit. Ndërsa, ne si besimtarë që jemi mbledhur sot në këtë xhami të bekuar këtë të xhuma, të gjithë e dimë se, إِنَّ ٱلدِّينَ عِندَ ٱللَّهِ ٱلۡإِسۡلَٰمُۗ “Feja e vërtetë tek Allahu është vetëm Islami”.[3] Deri në Ditën e Gjykimit, i gjithë njerëzimi është përgjegjës që të jetë Umeti i Profetit tonë të nderuar a.s. dhe t’i përgjigjet ftesës së tij. Sepse siç deklarohet në Kur’anin Fisnik:
وَمَن يَبۡتَغِ غَيۡرَ ٱلۡإِسۡلَٰمِ دِينٗا فَلَن يُقۡبَلَ مِنۡهُ وَهُوَ فِي ٱلۡأٓخِرَةِ مِنَ ٱلۡخَٰسِرِينَ “Kush kërkon tjetër fe përveç Islamit, nuk do t’i pranohet dhe ai në botën tjetër do të jetë i humbur”.[4]
Të Nderuar Besimtarë!
Islami është një sistem unik besimi dhe etike. Shprehja e fjalës së dëshmisë/shehadetit duke thënë وَأَشْهَدُ أَنَّ مُحَمَّدًا عَبْدُهُ وَرَسُولُهُ أَشْهَدُ أَنْ لَا إِلَٰهَ إِلَّا ٱللَّٰهُ tregon hapjen e dyerve të besimit, shpresës dhe lumturisë për këtë botë dhe botën tjetër. Ai që kalon nëpër këtë portë, e falë namazin me rregullsi dhe zell. Sepse, namazi është shtylla e fesë sonë dhe drita e zemrave tona. Ai që e pranon këtë dëshmi, agjëron me dashuri dhe durim. Agjërimi është mburoja që na mbron nga skllavëria e egos tonë dhe shejtanit. Ai që futet nga kjo portë besimi, e jep zekatin me sinqeritet dhe bujari. Zekati është ura që transformon pasuritë e përkohshme të kësaj bote në fitim dhe vëllazëri të përjetshme. Peroni që i dorëzohet kësaj dëshmie besimi, e kryen haxhin me besnikëri dhe nënshtrim. Haxhi është udhëtimi i shenjtë që bashkon besimtarin me veten dhe me besimtarët e tjerë nën hijen e Qabes.
Besimtarë Të Nderuar!
Qëllimi i adhurimit në Islam është t’i mundësojë njeriut të krijojë komunikim të shëndetshëm me veten, Zotin e tij dhe të gjitha qeniet e tjera. Prandaj, çdo akt adhurimi pret përfundimin e një morali të mirë. Jeta muslimane jetohet duke mbështetur parimet morale, si dhe adhurimin. Mbrojtja e të drejtave dhe parandalimi i shtypjes, nxitja e dhembshurisë dhe parandalimi i dhunës, janë kërkesa thelbësore për të qenë musliman. Mbushja e jetës me begati përmes drejtësisë, ndershmërisë, përulësisë dhe bujarisë është karakteri thelbësor i muslimanit. Le të mos harrojmë se ata që përmbushin kërkesat e besimit islam, janë pikërisht ata që ia kushtojnë mendjen e tyre të vërtetës, zemrat e tyre mirësisë dhe mundësitë e tyre materiale dhe shpirtërore përpjekjeve të dobishme.
[1] Tin: 4-6.
[2] Muslimi: Iman, 56.
[3] Ali Imran: 19.
[4] Ali Imran: 85.