Qendra MINBER

Etika e punës

Home » Etika e punës

 

 

 

 

 

Të Nderuar Besimtarë!

Në këtë jetë, secili prej nesh është i angazhuar në punë dhe detyra të ndryshme. Disa prej nesh janë nëpunës, disa janë udhëheqës, disa janë punëtorë e disa janë punëdhënës. Ajo që na bën të vlefshëm te Zoti nuk është as profesioni dhe as pozita jonë. Por, ajo që na bën të vlefshëm tek Ai janë besimi, adhurimi ynë dhe të qenit individë me moral të mirë dhe me vetëdije për përgjegjësitë që kemi.

Të Nderuar besimtarë!

Zoti ynë i Plotfuqishëm në Kur`anin Famëlartë thotë:

الَّذِي خَلَقَ الْمَوْتَ وَالْحَيَاةَ لِيَبْلُوَكُمْ أَيُّكُمْ أَحْسَنُ عَمَلًا ۚ وَهُوَ الْعَزِيزُ الْغَفُورُ

Ai është që krijoi vdekjen dhe jetën, për t’ju provuar se cili prej jush është më vepërmirë. Ai është ngadhënjyesi, mëkatfalësi[1] Siç thuhet në ajet, një nga cilësitë që duhet të posedojë besimtari është që ta bëjë punën e tij në mënyrën më të mirë të mundshme. Sepse, feja jonë Islami, ka një etikë pune që na mëson. Në thelbin e kësaj etike qëndron drejtësia dhe ndershmëria, besimi dhe besnikëria e ndjeshmëria ndaj hallallit dhe haramit. Thelbi i kësaj etike është të mos marrësh atë që nuk e meriton dhe të respektosh të drejtat e njerëzve. Thelbi i saj është ta bëjmë vendin tonë më të fortë në çdo fushë dhe të kontribuojmë në paqen, lumturinë dhe prosperitetin e popullit tonë. Etika e punës në islam është përdorimi i dijes, shkencës dhe teknologjisë për të mirën e njerëzimit, për të mbizotëruar drejtësinë dhe mirësinë dhe për të parandaluar mizorinë dhe të keqen.

Besimtarë të nderuar!

I Dërguari i Allahut Muhammedi a.s. në një hadith thotë: “Allahu i Madhëruar kënaqet kur ju e bëni punën tuaj në mënyrën më të mirë të mundshme”.[2] Ne si muslimanë duhet t’i përmbahemi me gjithë zemër këtij hadithi dhe të përpiqemi ta bëjmë punën tonë me drejtësi. Gjithashtu, duhet të punojmë shumë për të fituar furnizim hallall. Ne duhet ta konsiderojmë djersën e ballit si të shenjtë. Punën tonë duhet ta shohim si një amanet që na është besuar. Nuk duhet të dëmtojmë sendet dhe materialet e vendit të punës ku fitojmë jetesën. Gjithashtu, nuk duhet të përdorim mundësitë e vendit të punës për përfitimin tonë personal.

Të nderuar besimtarë!

Në fenë tonë islame përgjegjësia dhe etika e punës nuk përfshin vetëm puntorin por përfshin edhe punëdhënësit dhe drejtuesit. Pejgamberi a.s. urdhëron duke thënë:

« أَعْطُوا الأَجِيرَ أَجْرَهُ قَبْلَ أَنْ يَجِفَّ عَرَقُهُ »

 “Jepjani pagesën punëtorit përpara se t’i thahet djersa e ballit”.[3] Atëherë, nëse jemi punëdhënës, duhet ta marrim si princip këtë hadith dhe t’ia japim pagën punëtorit, të plotë dhe në kohë. Nuk duhet t’i privojmë  ata nga të drejtat e tyre sociale. Duhet të jemi të ndjeshëm ndaj sigurisë në punë dhe ta konsiderojmë shëndetin e punëtorit si tonin. Duhet të shmangim çdo qëndrim dhe sjellje që do të dëmtojë jetën e punëtorit. Ne duhet t’i japim atij mundësinë për të pushuar dhe për të përmbushur adhurimet e tij.

Besimtarë të nderuar!

Sipas Islamit, edhe puna në sektorin publik ka etikën e vet. Para së gjithash, duhet të dimë se të drejtat publike janë e drejtat e një populli në tërësi. Qofshim nëpunës civilë apo drejtues, duhet t’i përmbushim siç duhet detyrat dhe përgjegjësitë tona. Ne duhet t’i qëndrojmë besnikë atdheut tonë dhe t’i shërbejmë atij me dashamirësi. Duhet të mundohemi me përpikmëri që drejtësinë ta mbajmë në këmbë dhe të mos devijojmë nga e drejta, mirësia dhe e vërteta. Nuk duhet ta harrojmë kurrë fjalën e Allahut në Kur`an ku thotë:

وَمَنْ يَغْلُلْ يَأْتِ بِمَا غَلَّ يَوْمَ الْقِيَامَةِ ۚ ثُمَّ تُوَفَّىٰ كُلُّ نَفْسٍ مَا كَسَبَتْ وَهُمْ لَا يُظْلَمُونَ

“…kush bën hile ai në ditën e kijametit vjen i ngarkuar me atë që ka bërë, pastaj secilit njeri i jepet ajo që e ka fituar, duke mos iu bërë e padrejtë”.[4]

Ne besojmë se ekziston një jetë e përtejme ku do të japim llogari për atë që kemi bërë dhe do të shpërblehemi plotësisht. Pra, le të ndërmarrim hapa të përgjegjshëm në jetën tonë të biznesit dhe të punës. Le të mos jemi as mashtrues dhe as të mashtruar. Të fitojmë me hallall dhe të shpenzojmë në rrugë hallall. Le të kemi kujdes ndaj hakut të njerëzve. Të bëjmë kujdes që të mos na kalojë në fyt ndonjë ushqim i ndaluar. Të mos harrojmë se çdo punë me mjete dhe rrugë hallall për të plotësuar nevojat vetjake dhe të familjes është gjithashtu ibadet.

Le ta përfundojmë hutben tonë me përgëzimin e dhënë nga Allahu:

إِنَّ الَّذِينَ آمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ إِنَّا لَا نُضِيعُ أَجْرَ مَنْ أَحْسَنَ عَمَلًا

E ata që besuan dhe bënë vepra të mira, s’ka dyshim se Ne nuk i humbim shpërblimin atij që është bamirës”.[5]

 

 

 

[1] Mulk, 2.

[2] Bejhaki, Shuabu’l-Iman, 4/334.

[3] Ibn Maxhe, Ruhun, 4.

[4] Ali Imran, 161.

[5] Kehf, 30.