Të nderuar besimtarë!
Një nga suret që rregullon marrëdhëniet e njeriut me Krijuesin e tij, njerëzit e tjerë dhe mjedisin ku ai jeton dhe sjell parime themelore mbi këtë temë është Surja El-Huxhurat.
Surja El-Huxhurat, e njohur edhe si “Surja e Moralit”, na informon se njerëzit do të gjejnë nder dhe dinjitet vetëm nëpërmjet besimit dhe Islamit. Kjo sure na kujton se besimtarët duhet të jenë të bashkuar rreth besimit, si dhe të respektojnë sjelljet e mira dhe të shmangin çdo fjalë, qëndrim apo sjellje që mund të dëmtojë unitetin dhe solidaritetin e tyre.
Urdhëri i parë i Allahut xh.sh në këtë sure është kështu:
يَٓا اَيُّهَا الَّذ۪ينَ اٰمَنُوا لَا تُقَدِّمُوا بَيْنَ يَدَيِ اللّٰهِ وَرَسُولِهِ
“O ju që keni besuar! Mos nxitoni para (urdhrit të) Allahut dhe të Dërguarit të Tij”.[1]
Të mos nxitosh përpara Allahut dhe të Dërguarit të Tij do të thotë që t’i duam ata më shumë se këdo tjetër. Do të thotë ti japim përparësi miratimit të Allahut dhe dashurisë për Profetin a.s. mbi çdo gjë tjetër. Do të thotë të jemi të lidhur me gjithë zemër me Kur’anin Fisnik dhe Sunnetin në çdo kohë dhe vend. Do të thotë t’i konsiderojmë dispozitat e Allahut dhe të Dërguarit të Tij si më të rëndësishme dhe më të vlefshme sesa vendimet, zgjedhjet, opinionet dhe mendimet tona. Shkurtimisht, mos kalimi përpara Allahut dhe të Dërguarit të Tij është një urdhër i detyrueshëm dhe një detyrim fetar për çdo besimtar.
Të nderuar besimtarë!
Një mesazh tjetër i rëndësishëm që jepet në Suren Huxhurat është urdhëri si vijon:
اِنْ جَٓاءَكُمْ فَاسِقٌ بِنَبَأٍ۬ فَتَبَيَّنُٓوا يَٓا اَيُّهَا الَّذ۪ينَ اٰمَنُوا
“O ju që keni besuar! Nëse ndonjë njeri i pandershëm ju sjell ndonjë lajm, sigurohuni mirë (në është i vërtetë)”.[2] Allahu i Plotfuqishëm në këtë ajet na bën thirrje të jemi të kujdesshëm ndaj lajmeve të rreme dhe informacionit dezinformues. Përhapja e lajmeve të rreme, qoftë në jetën reale apo në median dixhitale dhe ndarja e informacionit saktësia e të cilit nuk është e konfirmuar, shkakton përçarje dhe ngatërresa midis njerëzve dhe dëmton atmosferën e paqes dhe besimit në shoqëri. Informacioni i rremë, bën që shumë njerëz të humbasin lidhjen me jetën reale, që shumë familje të ndahen dhe shumë miqësi të shkatërrohen. Le të mos harrojmë kurrë, se ndarja e informacionit dhe lajmeve për të cilat nuk jemi të sigurt për saktësinë e tyre është një mëkat i madh dhe një përgjegjësi e rëndë.
Disa mesazhe të tjera tepër të rëndësishme që urdhërohen në këtë sure janë kështu:
لَا يَسْخَرْ قَوْمٌ مِنْ قَوْمٍ يَٓا اَيُّهَا الَّذ۪ينَ اٰمَنُوا
“O ju që keni besuar! Asnjë burrë prej jush të mos tallet me burra të tjerë…”
وَلَا تَلْمِزُٓوا اَنْفُسَكُمْ وَلَا تَنَابَزُوا بِالْاَلْقَابِۜ
“Mos e nënçmoni dhe mos e qesëndisni njëri-tjetrin me nofka (të këqija)!”[3]
Sipas Islamit, njerëzit janë të denjë për respekt dhe nderim dhe nuk mund të tallen, madje as me shaka, me ndonjë gjest dore, gjuhe, vetulle apo syri. Nderi i personit nuk mund të fyhet dhe personi nuk mund të thirret me emra që do të dëmtonin nderin dhe dinjitetin e tij. Arsyeja për të gjitha këto gabime është mburrja dhe arroganca, të cilat Allahu nuk i pëlqen kurrë, si dhe vetë-admirimi dhe nënçmimi i të tjerëve nga ana e personit veprues.
Një mesazh tjetër paralajmërues që theksohet në këtë sure është:
يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ ٱجۡتَنِبُواْ كَثِيرٗا مِّنَ ٱلظَّنِّ إِنَّ بَعۡضَ ٱلظَّنِّ إِثۡمٞۖ وَلَا تَجَسَّسُواْ وَلَا يَغۡتَب بَّعۡضُكُم بَعۡضًاۚ
“O ju që keni besuar! Mënjanoni shumë dyshime, se, vërtet, disa dyshime janë gjynah. Mos e spiunoni dhe mos e përgojoni njëri-tjetrin!”.[4] Besimtari është ai që nga duart dhe gjuha e të cilit njerëzit ndihen të sigurt. Besimtari gjithmonë mendon mirë për njerëzit dhe shqetësohet për të metat e veta, jo për ato të tjerëve. Besimtari nuk përgojon, nuk bënë thashetheme dhe nuk përhap llafe.
Të nderuar besimtarë!
Allahu xh.sh. në këtë sure i drejtohet të gjithë njerëzimit me këto fjalë:
يَٰٓأَيُّهَا ٱلنَّاسُ إِنَّا خَلَقۡنَٰكُم مِّن ذَكَرٖ وَأُنثَىٰ وَجَعَلۡنَٰكُمۡ شُعُوبٗا وَقَبَآئِلَ لِتَعَارَفُوٓاْۚ إِنَّ أَكۡرَمَكُمۡ عِندَ ٱللَّهِ أَتۡقَىٰكُمۡۚ إِنَّ ٱللَّهَ عَلِيمٌ خَبِيرٞ
“O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri tjetrin. Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe për Atë asgjë nuk është e fshehtë”[5]
Feja Islame, ndalon të gjitha format e racizmit. E megjithatë, sot, dhunuesit që e konsiderojnë veten të civilizuar dhe të zgjedhur, të cilëve u mungon çdo ndjenjë humanizmi dhe ushqehen me egërsi, shkaktojnë të gjitha llojet e mizorisë, torturës dhe shtypjes në vende të ndryshme.
Zoti na dhëntë mundësinë të transferojmë të vërtetat e shpjeguara në Suren Huxhurat në jetën tonë. Na dhëntë të gjithëve mundësinë të qëndrojmë larg çdo të keqeje që ndot mendjet, zemrat dhe gjuhët tona dhe dëmton aftësinë tonë për të jetuar së bashku në paqe.
Hytben po e mbyllim me lutjen e transmetuar prej Pejgamberit a.s.:
“O Zot! Kërkoj strehim tek Ti nga e keqja e veshëve, nga e keqja e syve, nga e keqja e gjuhës dhe nga e keqja e zemrës sime…!”
[1] Huxhurat: 1.
[2] Huxhurat: 6.
[3] Huxhurat: 11.
[4] Huxhurat: 12.
[5] Huxhurat: 13.