Qendra MINBER

Nata e Kadrit: e vlefshme sa vetë jeta

Home » Nata e Kadrit: e vlefshme sa vetë jeta

 

 

 

 

 

 

Të nderuar besimtarë!

Jemi në ditët e fundit të muajit të begatë të Ramazanit. Kanë mbetur edhe pak ditë derisa të arrijmë në gëzimin e festës së Bajramit. Këto, janë ditët e shpëtimit nga dënimi i xhehennemit. Këto ditë, janë ditët e “itikafit”, kur ne shumicën e kohës ia kushtojmë adhurimit, lutjeve dhe bindjes ndaj Allahut xh.sh. Këto ditë, janë koha e dhënies së Sadakasë së Fitrit, me qëllim për ta ndarë sadopak gëzimin e Bajramit me vëllezërit dhe motrat që kanë nevojë. Këto ditë, janë ditë mundësish që përfshijnë Natën e Kadrit, të cilën vetë Allahu xh.sh e ka konsideruar më të mirë se një mijë muaj.

Nata e Kadrit, është nata e takimit të dekretit hyjnor Kur’anit me njerëzimin, i cili fillon me urdhërin “Lexo!” të Allahut Lartmadhëruar. Kjo natë, është nata e mëshirës, ​​ku zemrat e ngushtuara nga errësira e injorancës ndriçohen me dritën e Islamit. Është nata e pastrimit kur hapen gjerësisht dyert e faljes dhe falen mëkatet. Allahu xh.sh. në suren Kadr na njofton për vlerën e kësaj nate kështu:

Ne e kemi zbritur (Kur’anin) në Natën e Kadrit. E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e mirë se një mijë muaj. Engjëjt dhe Shpirti (Xhebraili), me lejen e Zotit të tyre, zbresin në këtë natë, me të gjitha vendimet. Paqe është ajo deri në lindjen e agimit”.[1]

Të nderuar besimtarë!

Ajo që e bën muajin e Ramazanit dhe natën e Kadrit të vlejë sa një jetë, është Kur’ani Fisnik. Kur’ani, është bekimi dhe mëshira më e madhe e Zotit për robërit e tij. Është fjala më e vërtetë dhe më e bukur. Ai është shërim për besimtarët dhe burim i së vërtetës dhe së drejtës. Kur’ani, është udhërrëfyes për udhëzim që na mëson diturinë dhe urtësinë, mirësjelljen dhe modestinë, drejtësinë dhe mëshirën si dhe çfarë është e ligjshme dhe e paligjshme. Ai është dritë hyjnore që u jep paqe shpirtrave dhe e bën tokën të jetueshme. Është mesazhi i fundit hyjnor që i kujton njeriut vetveten, Zotin e tij, universin dhe qëllimin e ekzistencës.

I Dërguari i Allahut Muhammedi a.s. në një hadith thotë:

من قَامَ ليلةَ القدرِ إيماناً واحتساباً غُفِر له ما تقدَّم من ذنبِه

Kush e gjallëron natën e Kadrit me namaz (dhe lloje tjera të adhurimeve), duke pasur besim dhe shpresë, i falen mëkatet e kaluara”.[2] Atëherë, le ta bëjmë këtë natë një moment historik për veten tonë. Le ti përcjellim mesazhet e mëshirshme të Kur’anit Famëlartë, të cilat e bëjnë këtë natë kuptimplotë, në zemrat, mendjet dhe jetët tona. Lë të kërkojmë strehim dhe pendim tek Mëshira e pafundme e Allahut me lutjen që Pejgamberi a.s. i mësoi nënës së besimtarëve Aishes r.a. si vijon:

اَللّٰهُمَّ إِنَّكَ عَفُوٌّ كَرِيمٌ تُحِبُّ الْعَفْوَ فَاعْفُ عَنّ۪ي

O Allah! Ti je Falës Bujar. E do faljen. Më fal mua!.[3] Le të pendohemi për mëkatet tona dhe të lutemi për falje. Sepse atë natë, problemet tona do të lehtësohen nga prania e engjëjve që zbresin në grupe, zemrat tona do të lehtësohen dhe shpirtrat tanë do të gjejnë paqe.

Të nderuar vëllezër dhe motra!

Në këto ditë të fundit të Ramazanit, një ndër adhurimet që e kemi detyrë për ta kryer është dhënia e “Sadaksë së Fitrit”. Kjo sadaka e cila njihet edhe si “Fitrat”, jepet në shenjë falenderimi ndaj Allahut që na mundësoi të agjërojmë dhe të arrijmë bajramin. Nga ana tjetër, Sadakaja e Fitrit luan një rol të rëndësishëm në përhapjen dhe forcimin e vetëdijes së solidaritetit dhe ndarjes së mirësive me të tjerët. Prandaj, le të përpiqemi që të përcjellim te nevojtarët sadakanë e fitrit për veten dhe çdo pjesëtar të familjes tonë. Në këtë muaj të begatë mos ti harrojmë jetimët që i kemi amanet nga Zoti. Të mundohemi që edhe ata ta arrijnë bajramin me gëzim dhe hare. Të mos harrojmë se çfarë do që të shpenzojmë në emër të mirësisë, lëmoshës dhe bamirësisë, Allahu do të na e zëvendësoj me begati më të mira.

Hytben po e përfundojmë duke iu lutur Allahut xh.sh. që të na e mundësoj ta arrijmë bajramin në solidaritet, shëndet e mirëqenie, paqe e lumturi dhe me mëkate të falura. Amin!

[1] Kadr: 1-5.

[2] Buhariu: Savm, 6.

[3] Tirmidhiu: Deavat, 84.