Të nderuar besimtarë!
Në ajetin që lexuam Allahu xh.sh. na urdhëron kështu: “Ti lexo atë që po të shpallet nga Libri (Kur’ani), fal namazin, vërtet namazi largon nga të shëmtuarat dhe të irrituarat, e përmendja e All-llahut është më e madhja (e adhurimeve); All-llahu e di ç’punoni ju”.[1] Ndërsa, Profeti Muhamed a.s. në hadithin që lexuam thotë: “Ditën e Kijametit vepra e parë për të cilën robi do të merret në llogari është namazi”.[2]
Besimtarë të nderuar!
Një nga pesë parimet bazë të urdhëruara në Islam është namazi. Rreth rëndësisë së këtij adhurimi madhështor Profeti a.s. ka thënë:
وَجُعِلَ قُرَّةُ عَيْنِى فِى الصَّلاَةِ
“Namazi është drita e syve të mi…”[3]
رَأْسُ الأَمْرِ الإِسْلاَمُ وَعَمُودُهُ الصَّلاَةُ
“Koka e çdo çështjeje është Islami ndërsa shtylla e tij është Namazi…[4]”
يَا بِلاَلُ أَقِمِ الصَّلاَةَ أَرِحْنَا بِهَا
“O Bilal, na e fal namazin dhe na qetëso me të…”[5]
Ne e fitojmë vetëdijen e robërisë ndaj Zotit dhe përgjegjësisë ndaj dispozitave të fesë, përmes namazit. Gjithashtu, përmes namazit arrimë pëlqimin e Allahut, mëshirën dhe faljen e pafundme. Shpëtojmë nga problemet që na e ngushtojnë shpirtin dhe arrimë një klimë paqeje dhe mirëqenieje nëpërmjet këtij adhurimi madhështor. Si besimtarë, bashkohemi në falje, krah për krah në të njëjtin rresht duke përforcuar kështu unitetin, solidaritetin dhe vëllazërinë tonë.
Namazi është shprehje e mirënjohjes sonë për begatitë e dhëna nga Zoti i Plotfuqishëm. Është një akt i veçantë adhurimi që na kujton se jemi në praninë e Zotit dhe nën mbikëqyrjen e Tij. Falja e namazit është manifestimi i dashurisë dhe përkushtimit tonë ndaj Zotit, është shenja e të qenit musliman si dhe pasqyrimi i besimit tonë në jetë.
Të nderuar besimtarë!
Ibadeti i namazit na largon nga të gjitha llojet e të këqijave e na jep shumë veti të mira. Abdesi, që marrim para namazit na mëson se duhet të pastrohemi nga papastërtitë fizike dhe ato shpirtërore. Kthimi drejt Qabes, na tregon lënien pas punëve të kësaj bote dhe qëndrimin përpara Zotit xh.sh. Fillimi i namazit duke thënë “Allahu Ekber”, thekson se duhet të kërkojmë strehim tek Allahu në çdo gjë që bëjmë. Kijami, na thotë të qëndrojmë pranë së drejtës dhe të vërtetës dhe të mbajmë qëndrim kundër padrejtësive dhe shtypësve. Këndimi, na kujton se ashtu siç lexojmë Kur’anin, ne duhet t’i zbatojmë dispozitat e tij në të gjithë hapësirat e jetës sonë. Rukuja, na thotë se nuk duhet t’i përulemi askujt tjetër, përveç Allahut. Sexhdeja, na bën të ndiejmë kënaqësinë e të qenit pranë Zotit. Selami, na informon se duhet t’i duam vëllezërit dhe motrat tona, të bëjmë paqe dhe besimi të mbizotërojë mes nesh.
Falja e namazit pesë herë në ditë është obligim për çdo musliman, mashkull dhe femër, të cilët kanë pjekurinë mendore dhe kanë arritur pubertetin. Një musliman, nuk mund ta neglizhojë kurrë namazin e tij pa një arsyetim legjitim. Ai nuk mund ta lërë atë pas dore duke thënë: -Do ta fal më vonë. Ndërkaq, Allahu në Kur’an thotë: “وَأْمُرْ اَهْلَكَ بِالصَّلٰوةِ وَاصْطَبِرْ عَلَيْهَاۜ / Urdhëro familjen tënde të falë namaz, e edhe ti vetë zbatoje atë…” [6] Prandaj, muslimani është gjithashtu i detyruar që t’ia mësojë namazin familjes së tij me fjalë të ëmbla dhe fytyrë të qeshur. Ndërkohë Profeti a.s. ka thënë:
مُرُوا الصَّبِىَّ بِالصَّلاَةِ إِذَا بَلَغَ سَبْعَ سِنِينَ
“Mësojini fëmijët tuaj të falen kur ata të mbushin moshën shtatë vjeçare…”.[7] Një rast tjetër Profeti i nderuar a.s. shkoi te dera e vajzës së tij, Fatimes r.a. dhe tha:
الصَّلاَةَ يَا أَهْلَ الْبَيْتِ
“O banorë të shtëpisë! Ejani në namaz!”[8]
Të nderuar besimtarë!
Le të qëndrojmë para Krijuesit tanë me sinqeritet dhe nderime të larta. Të kujdesemi që namazin ta falim me xhemat. Të mos e privojmë veten dhe familjen tonë nga atmosfera shpirtërore e xhamive dhe t’i qetësojmë zemrat tona me namaz. Le të shpëtojmë nga barra e mëkateve përmes faljes. Ta disiplinojmë kohën tonë dhe t’i planifikojmë punët tona sipas kohëve të namazit. Le të mos i neglizhojmë kurrë faljet e namazit duke humbur në nxitimin e botës së përkohshme.
Hutben e sotme po e mbyllim me përgëzimin e dhënë nga Pejgamberi a.s. në hadith:
مَنْ حَافَظَ عَلَى الصَّلَوَاتِ الْخَمْسِ رُكُوعِهِنَّ وَسُجُودِهِنَّ وَوُضُوئِهِنَّ وَمَوَاقِيتِهِنَّ وَعَلِمَ أَنَّهُنَّ حَقٌّ مِنْ عِنْدِ اللَّهِ دَخَلَ الْجَنَّةَ أَوْ قَالَ وَجَبَتْ لَهُ الْجَنَّةُ
“Duke pranuar se pesë namazet ditore janë urdhër i Zotit: “Një person i cili vazhdon t’i falë pesë vaktet duke i kushtuar vëmendje abdesit, kohës, rukusë dhe sexhdes, do të hyjë në Xhenet”.[9]
[1] Ankebut, 45
[2] Nesai, Muharebe, 2.
[3] Nesai, Ishratu’n-Nisa, 1.
[4] Tirmidhiu, Iman, 8.
[5] Ebu Davud, Edeb, 78.
[6] Taha, 132.
[7] Ebu Davud, Salat, 26.
[8] Tirmidhi, Tefsiru’l-Kur’an, 33.
[9] Ibn Hanbel, IV, 266.