
Të nderuar besimtarë!
Ndër adhurimet që e shndërrojnë jetën e kësaj bote në paqe e lumturi, dhe në botën tjetër (ahiretin) na garantojnë Xhenetin e amshuar, më së pari është namazi. Ai që fal namaz, fytyrën e tij e kthen kah Kibla, Qabja, ndërsa qenien e tij e kthen drejt Zotit. Namazi, ashtu siç pastron trupin nga papastërtitë edhe zemrën e pastron nga mëkatet. Ai e ngjit shpirtin në mi’raxh dhe e dërgon zemrën në qetësi.
Të dashur besimtarë!
Namazi është një udhëtim, është të qenit e robit i nënshtruar ndaj Allahut xh.sh., gjë që fillon me tekbir (Allahu Ekber) e përfundon me dhënien selam. Çdo tekbir është deklarim se nuk ka zot tjetër përveç Allahut. Çdo kijam (qëndrim në këmbë) është simbol i mosmiratimit në asnjë mënyrë i padrejtësive dhe shtypjeve. Çdo kiraet (lexim) është forcim i lidhjes me Kuranin Famëlartë. Çdo ruku (përkulje) është një modesti; çdo sexhde është dorëzim para Allahut. Çdo tahijat është shfaqje e Fjalës së Shehadetit. Çdo selam është një besëlidhje për të qenë një musliman, prej dorës dhe gjuhës së të cilit njerëzit janë të sigurt.
Besimtarë të nderuar!
Ndërsa jeta kalon, ne duhet ta bëjmë namazin udhërrëfyesin tonë. Kur na shtrëngohet zemra, duhet të ngrihemi në këmbë me namaz. Në çaste vështirësie apo sëmundjeje, duhet të strehohemi te Zoti ynë përmes namazit. Në rrëmujën e ditës, duhet ta qetësojmë shpirtin tonë me namaz. Në heshtjen e natës, duhet ta ringjallim shpirtin tonë me namaz. Në xhami, në shtëpi, në shkollë, në vendin e punës, në arë e në kopsht, duhet t’i drejtohemi mëshirës dhe faljes së Allahut të Madhërishëm me namaz. Sepse namazi është mi’raxhi i besimtarit. Siç ka urdhëruar Profeti ynë i Nderuar, Muhammedi (s.a.s): “Çelësi i xhenetit është namazi”.[1] Namazi është lidhja më e fortë që e mban gjallë dashurinë mes Krijuesit dhe robit. Namazi është rruga më e bukur që e largon njeriun nga të këqijat dhe e shpie drejt mirësisë. Është po namazi ai që bashkon zemrat besimtare në të njëjtin rresht (saf) dhe që forcon unitetin, vëllazërinë dhe bashkimin tonë.
Besimtarë të dashur!
Namazi është një mëshirë e madhe. Profeti (s.a.s) në një nga hadithet e tij thotë: إِنَّ أَحَدَكُمْ إِذَا صَلَّى يُنَاجِى رَبَّهُ “Kur ndonjëri prej jush falet, ai në të vërtetë bisedon me Zotin e tij”.[2] Prandaj, të qëndrosh larg namazit pa një arsye fetare të vlefshme, do të thotë të mbetesh i privuar nga ky bashkëbisedim me Allahun xh.sh. Ta shtysh namazin me mendimin se “e fal më vonë”, do të thotë të dobësosh shtyllën e fesë. Ta neglizhosh namazin duke u zhytur në punët e kësaj bote, do të thotë të mos jesh i denjë për mirësinë hyjnore. Zoti ynë i Lartmadhëruar në Kuranin Famëlartë urdhëron: “Urdhëro familjen tënde të falë namaz, e edhe ti vetë zbatoje atë…”.[3]
Të nderuar besimtarë!
Nata e Mi’raxhit, është natë në të cilën na u dhurua falja e namazit pesë kohësh. Kjo natë e bekuar na kujton edhe një herë vlerën e Mesxhidi Aksasë te Zoti i Madhërishëm. Ajo na përkujton se duhet ta mbrojmë dinjitetin e xhamive dhe mesxhideve, që janë simbole të teuhidit (njëshmërisë së Zotit) dhe bashkimit për myslimanët. Prandaj le të shërbejë Nata e Mi’raxhit si shtysë që të jemi të pranishëm në xhami. Le të qëndrojmë krah për krah në të njëjtin saf para Madhështisë së Allahut xh.sh. Le të bashkohemi në sexhde për të arritur sihariqin e Profetit tonë të Nderuar (s.a.s) që thotë: “أَقْرَبُ مَا يَكُونُ الْعَبْدُ مِنْ رَبِّهِ وَهُوَ سَاجِدٌ، فَأَكْثِرُوا الدُّعَاءَ “Çasti kur robi është më së afërmi me Zotin e tij është koha kur ai është në sexhde. Prandaj shtoni lutjet”.[4] Le të pendohemi për gabimet dhe mëkatet tona. Le t’i lutemi Allahut të Madhërishëm për përmirësimin e vendit dhe popullit tonë, për paqen dhe qetësinë e njerëzimit, si dhe për lirinë e Mesxhidi Aksasë dhe të Gazës.
Hutben e kësaj xhumaje dua ta përfundoj duke përcjellë përgëzimin që Allahu xh.sh. ofron në Kuranin fisnik: “Të shpëtuar janë…dhe ata që e ruajnë namazin e tyre, (prej mungesave), ata janë trashëgimtarë të denjë, të cilët, do ta trashëgojnë (xhennetin) Firdeusin. Ata, do të banojnë përherë në të”.[5]
[1] Tirmidhiu: Taharet, 1.
[2] Buhariu: Sala, 36.
[3] Taha: 132.
[4] Muslimi: Sala, 215.
[5] Mu’minun: 9-11.