Qendra MINBER

Myslimani jeton me vlerat fetare dhe morale

Home » Myslimani jeton me vlerat fetare dhe morale

       

 

 

 

 

 

 

 

     Të nderuar besimtarë!

Në Ajetin Fisnik që lexuam më sipër, Allahu xh. sh. thotë: “Ju jeni populli më i mirë i dalë për njerëzimin: (sepse) ju urdhëroni që të bëhen vepra të mira, i ndaloni të këqijat dhe besoni Allahun”.[1]

Çdo besimtar që është lavdëruar në këtë ajet si “më i miri i njerëzve”, në mendjen dhe zemrën e tij nguliten vlerat e larta të Islamit. Kështu, besimtarët janë të kujdesshëm ndaj të gjitha mendimeve, praktikave dhe zakoneve që nuk burojnë nga zbulesa hyjnore. Ata shmangin rreziqet që mund të dëmtojnë besimin e tyre. Në fjalët dhe veprimet e tyre pasqyrojnë vlerat morale islame. Ata nuk ndjekin dëshirat dhe pasionet e kësaj bote. Ata nuk harrojnë vlerën e punës dhe begatinë e fitimeve hallall. Ata e dijnë se do të japin llogari për gjithçka që blejnë dhe shesin, ndaj dhe kënaqen vetëm me atë që është e ligjshme, edhe nëse është një sasi e vogël. Ata nuk e çojnë jetën e tyre dëm me alkool, i cili e mpin mendjen, ose me bixhoz, i cili shuan vatrat familjare.

Të nderuar besimtarë!

Myslimani që ruan identitetin e tij nuk humbet në vorbullën e kulturës masive. Ai nuk I imiton verbërisht mënyrat e jetesës të botëve të tjera. Ai nuk përvetëson simbole, forma argëtimi, qëndrime dhe sjellje që nuk kanë vend në fenë dhe traditën tonë. Besimtari e kupton se kjo dëmton identitetin mysliman dhe i largon shoqërinë dhe brezat e ardhshëm nga feja, historia dhe vlerat e tij. Ai nuk harron se shumë kombe të fshira nga historia kanë humbur së pari besimet dhe vlerat e tyre, dhe më pas kulturën, letërsinë dhe artin.

Pejgamberi a.s. në një prej haditheve të tij na paralajmëron lidhur me këtë : مَنْ تَشَبَّهَ بِقَوْمٍ فَهُوَ مِنْهُمْ “Kushdo që imiton një popull është një prej tyre”.[2] Me fjalë të tjera, nëse dikush imiton dikë tjetër dhe përvetëson besimet dhe zakonet e tij në vend që të jetojë dhe të promovojë vlerat e veta, ai përfundimisht do të fillojë të mendojë dhe të jetojë si ai. Sepse ngjashmëria materiale dhe fizike çon në mënyrë të pashmangshme në pasoja shpirtërore.

Rëndësia më e madhe e të jetuarit sipas vlerave fetare dhe morale qëndron në marrëdhënien e saj të drejtpërdrejtë me jetën tonë të Ahiretit. Allahu xh.sh dëshiron të na shohë jo vetëm si besimtarë që luten dhe agjërojnë, por edhe si besimtarë me karakter të mirë dhe moral të lartë. Ndërkaq, Profeti a. s. në një hadith thotë : مَا مِن شَىْء أَثْقَل فِي الْمِيْزَان مِن حُسْن الْخُلُق“Në Ditën e Gjykimit, asgjë nuk do të jetë më e rëndë në peshoren e besimtarit sesa morali i mire”.[3] Kjo na tregon se morali i mirë mund të jetë po aq i rëndësishëm se vetë aktet e adhurimit. Përveç përmbushjes së detyrimeve tona fetare, shmangia e zakoneve të këqija dhe përpjekja për të kryer vepra të mira është mënyra më e sigurt për të fituar pëlqimin e Zotit dhe për të ndriçuar rrugën drejt xhennetit. Prandaj, të jetuarit sipas vlerave tona fetare dhe morale, është me rëndësi jetike si për lumturinë tonë në këtë botë ashtu edhe për shpëtimin tonë në Ahiret.

Të nderuar besimtarë!

Prandaj, le të jemi të vetëdijshëm për përgjegjësitë tona ndaj Zotit, njerëzimit dhe brezave të ardhshëm. Le t’i përmbahemi fort Kuranit Famëlartë dhe Sunetit të Pejgamberit a.s. Le të përqafojmë moralin dhe disiplinën islame në çdo aspekt të jetës sonë. Le të shmangim të gjitha fjalët, kuptimet dhe sjelljet që na largojnë vëmendjen nga qëllimi i krijimit tonë. Le të mos harrojmë se shoqëritë bazohen tek vlerat e tyre fetare dhe morale dhe jetojnë me vetëdijen e ushqyer nga këto vlera.

[1] Ali Imran: 110.

[2] Ebu Daud: Libas, 4.

[3] Ebu Daud: Edep, 4799.