
Të nderuar besimtarë!
Në ajetin që lexuam në hyrje të hytbes, Allahu (xh.sh.) thotë: “Allahu u ka dhënë besimtarëve dhuratë të madhe, kur u solli një të dërguar nga gjiri i tyre, i cili ua lexon shpalljet e Tij, i pastron nga gjynahet dhe u mëson Librin (Kuranin) e urtësinë (diturinë e thellë fetare)…”[1]
Ndërsa në hadithin që lexuam, Pejgamberi (a.s.) thotë: “Kushdo që më bindet mua, i është bindur Allahut. Kushdo që më kundërshton mua, ka kundërshtuar Allahun”.[2]
I Dërguari i Allahut (a.s.) u krijua me një karakter të lartë morali. Ai ishte profeti i fundit i dërguar për të përsosur moralin e mirë. Ai theksoi se besimi, veprat dhe morali nuk mund të ndahen nga njëri-tjetri dhe se morali i mirë duhet të përfshijë çdo aspekt të jetës. Ai bëri të qartë se njeriu mund të jetë një individ i devotshëm dhe i mirë vetëm sipas masës së moralit të tij.
Profeti (a.s.) është shembulli më i mirë për të gjithë njerëzimin. Ai na kujtoi përgjegjësitë tona ndaj Zotit, vetes dhe vendit ku jetojmë. Na këshilloi të kujdesemi për familjet tona duke e konsideruar këtë si një amanet nga Zoti. Ai na tregoi rrugën drejt një jete të virtytshme, morale dhe të ndershme. Na mësoi të vërtetën dhe drejtësinë, ndershmërinë dhe mëshirën. Përmes tij, gratë dhe të moshuarit arritën dinjitetin e vërtetë që meritonin. Ai solli buzëqeshje në fytyrat e jetimëve.
Të nderuar besimtarë!
Njerëzimi e njohu mëshirën nëpërmjet Profetit tonë (a.s.). Pejgamberi i mëshirës (a.s.) lindi si dielli në një epokë të dominuar nga padrejtësitë dhe errësira. Siç e deklaron Allahu (xh.sh.) në Kuranin fisnik duke thënë: وَمَٓا اَرْسَلْنَاكَ اِلَّا رَحْمَةً لِلْعَالَم۪ينَ۟ “Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), veçse si mëshirë për botët”, ai (a.s.) e zëvendësoi mërinë, urrejtjen dhe armiqësinë me dashuri, dhembshuri dhe mëshirë. Ai i mësoi njerëzit të ishin modestë, duke i thënë dikujt që dridhej, kur i fliste atij: “Mos u shqetëso! Unë jam djali i një gruaje që hante mish të tharë si ti”.[3]
Familja gjeti paqe me ardhjen e Pejgamberit (a.s.). Në përputhje me urdhrin e Zotit të Plotfuqishëm, ai e ndërtoi familjen mbi dashuri, dhembshuri, përzemërsi, besim dhe besnikëri. Ai kurrë nuk e trajtoi në mënyrë të vrazhdë asnjë nga anëtarët e familjes së tij, kurrë nuk foli keq për ta dhe kurrë nuk i lëndoi ata. Me fjalën e tij: “Kini kujdes! Ashtu siç ju keni të drejta mbi gratë tuaja, edhe ato kanë të drejta mbi ju”, [4] u dha vlerën që meritonin gratë, të cilat ishin të përjashtuara, të përçmuara dhe të privuara nga të drejtat e tyre njerëzore dhe shoqërore.
Të nderuar vëllezër dhe motra besimtare!
Me jetën shembull të Muhamedit (a.s.) fëmijët shijuan dashurinë. Ai i përgëzoi me xhenet ata që mbrojnë, edukojnë dhe kujdesen për vajzat, të cilat në atë periudhë shiheshin si burim turpi dhe nënçmoheshin në formë ekstreme.
Të rinjtë fituan vlerë nëpërmjet Profetit (a.s.). I Dërguari i Allahut gjithmonë u besonte të rinjve. Ai i vlerësonte idetë e tyre, nguliste tek ata vetëbesim e karakter dhe u caktonte atyre përgjegjësi të përshtatshme me natyrën dhe aftësitë e tyre.
Të moshuarit respektoheshin nga Pejgamberi (a.s.). Ai na këshillon të tregojmë kujdes dhe të interesohemi për të moshuarit, duke thënë: “Kushdo që respekton një person të moshuar për shkak të moshës së tij, Allahu do t’i dërgojë dikë që do ta respektojë atë në pleqërinë e tij”.[5]
Fytyrat e jetimëve dhe të të shtypurve gjetën buzëqeshje me Profetin (a.s.). Ai, në një hadith, thotë: “Unë dhe personi që kujdeset për një jetim do të jemi krah për krah në xhenet kështu; duke treguar gishtin tregues dhe gishtin e mesëm së bashku”.[6] Ai dha në këtë hadith lajmin e mirë se besimtari që mbron jetimët dhe kujdeset për të drejtat e tyre do të jetë personi më i afërt me të në xhenet.
Detyra jonë si besimtarë është që ta ndjekim vërtet të Dërguarin e Allahut (a.s.) dhe t’i përmbahemi fort Kuranit dhe sunetit, trashëgimisë së tij më të madhe. Ne duhet t’i parashtrojmë njerëzimit vlerat e bukura morale dhe mesazhet e përjetshme të tij. Duhet të paraqesim me këmbëngulje që Islami, feja e paqes, Kurani, udhëzuesi i jetës dhe Profeti i mëshirës, Muhamedi (a.s.) janë streha e vetme e sigurt e njerëzimit. Nuk duhet të harrojmë se suneti i Pejgamberit (a.s) është një busull shpëtimi dhe një udhëzues i jetës për të gjithë njerëzimin. Vetëm atëherë shtypja dhe padrejtësia do të marrin fund në botë dhe njerëzit do të jetojnë së bashku në siguri dhe vëllazëri. Askush nuk do të jetë në gjendje të dëmtojë jetën, pronën ose nderin e një tjetri dhe shpirtrat e pafajshëm nuk do të vyshken në kulmin e jetës së tyre.
Hytben e kësaj xhumaja po e përfundojmë duke përmendur paralajmërimin e Pejgamberit (a.s.) që ka dhënë në këtë hadith:
“Mos e keni zili njëri-tjetrin, mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit, mos mbani mëri ose urrejtje ndaj njëri-tjetrit. O rob të Allahut! Jini vëllezër!” [7]
[1] Ali Imran: 164.
[2] Muslimi: Imare, 33.
[3] Ibn Maxheh: Et’ime, 33.
[4] Tirmidhiu: Rada, 11.
[5] Tirmidhiu: Birr, 75.
[6] Buhariu: Talak, 25.
[7] Buhariu: Edep, 57.