Qendra MINBER

Mirësia dhe ramazani

Home » Mirësia dhe ramazani

 

 

 

 

 

 

Të nderuar besimtarë!

Pasi Profeti a.s migroi në Medine, shumë njerëz filluan të vinin në këtë qytet të ndritur për të mësuar Islamin. Njëri prej tyre ishte Nevasi r.a., i cili në moshë të re u bë musliman. Një ditë, Nevasi r.a. e pyeti Profetin a.s se çfarë është e mira dhe e keqja. I Dërguari i Allahut a.s. i dha atij këtë përgjigje të urtë si vijon:

الْبِرُّ حُسْنُ الْخُلُقِ وَالإِثْمُ مَا حَاكَ فِي نَفْسِكَ وَكَرِهْتَ أَنْ يَطَّلِعَ عَلَيْهِ النَّاسُ

Mirësia është moral i mirë; Ndërsa e keqja është ajo që të shqetëson ndërgjegjen dhe që nuk do të dëshiroje që njerëzit ta dinë”.[1]

Sipas fesë tonë të lartë, Islamit, mirësia nuk është thjeshtë një fjalë, qëndrim apo sjellje që mund të reduktohet në një formë apo të kthehet në shfaqje. Por, mirësia është qëllimi i jetës sonë dhe kërkesa e besimit dhe të qenit rob ndaj Allahut. Mirësia është fitimi ynë më i madh, trashëgimia jonë më e vlefshme. Ajo është kulmi i moralit dhe lidhja më e fortë e paqes shoqërore.

Të nderuar besimtarë!

Allahu xh. xh. në Kur’an, mirësinë e vërtetë e ka prezantuar në këtë formë:

لَّيۡسَ ٱلۡبِرَّ أَن تُوَلُّواْ وُجُوهَكُمۡ قِبَلَ ٱلۡمَشۡرِقِ وَٱلۡمَغۡرِبِ وَلَٰكِنَّ ٱلۡبِرَّ مَنۡ ءَامَنَ بِٱللَّهِ وَٱلۡيَوۡمِ ٱلۡأٓخِرِ وَٱلۡمَلَٰٓئِكَةِ وَٱلۡكِتَٰبِ وَٱلنَّبِيِّـۧنَ وَءَاتَى ٱلۡمَالَ عَلَىٰ حُبِّهِۦ ذَوِي ٱلۡقُرۡبَىٰ وَٱلۡيَتَٰمَىٰ وَٱلۡمَسَٰكِينَ وَٱبۡنَ ٱلسَّبِيلِ وَٱلسَّآئِلِينَ وَفِي ٱلرِّقَابِ وَأَقَامَ ٱلصَّلَوٰةَ وَءَاتَى ٱلزَّكَوٰةَ وَٱلۡمُوفُونَ بِعَهۡدِهِمۡ إِذَا عَٰهَدُواْۖ وَٱلصَّٰبِرِينَ فِي ٱلۡبَأۡسَآءِ وَٱلضَّرَّآءِ وَحِينَ ٱلۡبَأۡسِۗ أُوْلَٰٓئِكَ ٱلَّذِينَ صَدَقُواْۖ وَأُوْلَٰٓئِكَ هُمُ ٱلۡمُتَّقُونَ

Mirësia nuk është të kthyerit e fytyrës suaj nga lindja dhe perëndimi, por mirësia është (cilësi) e atij që beson Allahun, Ditën e Fundit, engjëjt, Librin dhe profetët; e atij që me vullnet jep nga pasuria e vet për të afërmit, jetimët, të varfrit, udhëtarët e mbetur rrugës, lypësit dhe për lirimin e të robëruarve; e atij që fal namazin dhe e jep zekatin; dhe e atyre që i plotësojnë premtimet, kur marrin përsipër diçka; e atyre që durojnë në kohë skamjeje, sëmundjeje dhe lufte. Këta janë besimtarët e vërtetë dhe këta janë ata që e kanë frikë Allahun”.[2]

Gjithmonë, kudo dhe për secilin prej nesh, ekzistojnë padyshim vepra të mira që mund ti bëjmë me duar, me gjuhë, me pasuri, me dije, me profesion ose me përvojë. Ndonjëherë, mirësi është të jesh një fëmijë i respektueshëm, një bashkëshort besnik, një prind i dhembshur, një person i qeshur dhe fjalëpakë. Ndonjëherë, mirësi do të thotë të përshëndesësh njerëzit pavarësisht nga mosha, të interesohesh për gjendjen e tjetrit, ti duash fëmijët ose të respektosh një të moshuar. E ndonjëherë është të kesh mëshirë për një qenie të gjallë dhe të mos lëndosh askënd me duar dhe me gjuhë.

Të nderuar besimtarë!

Jetojmë në një epokë ku e mira nënvlerësohet dhe e keqja promovohet masivisht. Lufta, zemërimi, inati, urrejtja dhe dhuna po shtohen dita-ditës në botën tonë, për shkak të atyre që nuk kanë mirësi. Ata që ushqehen me të keqen vazhdojnë ti shtypin njerëzit e pafajshëm në mbarë botën. Në këtë pikë, duke u nisur nga ajeti Kur’anor ku Allahu xh. sh. thotë:

وَتَعَاوَنُواْ عَلَى ٱلۡبِرِّ وَٱلتَّقۡوَىٰۖ

Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira dhe në të ruajturit nga të këqijat[3], detyra jonë është që ta mbështesim njëri-tjetrin në drejtësi dhe devotshmëri. Sipas këtij ajeti, ne duhet t’i shtojmë veprat tona të mira duke mos i lënë të shtypurit në mëshirën e zullumqarëve.

Mirësia ka natyrë dhe forcë transformuese. Kjo e vërtetë deklarohet edhe në Kur’anin Fisnik ku Allahu xh. sh. thotë:

وَلَا تَسۡتَوِي ٱلۡحَسَنَةُ وَلَا ٱلسَّيِّئَةُۚ ٱدۡفَعۡ بِٱلَّتِي هِيَ أَحۡسَنُ فَإِذَا ٱلَّذِي بَيۡنَكَ وَبَيۡنَهُۥ عَدَٰوَةٞ كَأَنَّهُۥ وَلِيٌّ حَمِيمٞ

Nuk barazohet e mira me të keqen! Të keqen ktheje me të mirë e atëherë armiku yt do të të bëhet menjëherë mik i ngushtë”.[4] Atëherë, le ta shfrytëzojmë muajin e Ramazanit si një mundësi për t’i dhënë fund zemërimeve dhe hidhërimeve mes nesh. Le të jemi falës dhe të mëshirshëm. Le të heqim nga jeta jonë mërinë, urrejtjen dhe zilinë që dëmtojnë vëllazërinë, unitetin dhe solidaritetin mes nesh. Le të hapim zemrat dhe dyert për njëri-tjetrin, këtë Ramazan dhe gjithmonë.

Pejgamberi a.s. thotë:

إِنَّ اللّٰهَ كَتَبَ الْإِحْسَانَ عَلَى كُلِّ شَيْءٍ

Allahu ka urdhëruar mirësinë në ç’do punë dhe ç’do gjë.[5] Atëherë, le të fillojmë ta shfaqim mirësinë fillimisht ndaj familjes tonë e t’i bekojmë shtëpitë tona me mirësi. Le të mbjellim farat e mirësisë në zemrat e fëmijëve tanë. Le të shtrijmë dorën tonë të mirësisë ndaj vëllezërve tanë që kanë rënë në mëkat, që janë përfshirë në të liga dhe që kanë humbur shpresën në jetë. Le të bëjmë mirë që jeta jonë të bëhet më e mirë. Le të bëjmë mirë që bota jonë të ndryshojë. Kapitali i jetës tonë qoftë mirësia dhe shpërblimi ynë qoftë xhenneti, këtë Ramazan dhe gjithmonë.

Hytben po e mbyllim me lutjen e Profetit a.s:

“O Allah! Bëje jetën time një mundësi për të shtuar të gjitha llojet e mirësisë për mua. Bëje vdekjen një burim shpëtimi për mua nga çdo e keqe.”[6]

 

[1] Muslimi: Birr, 15.

[2] Bakare: 177.

[3] Maide: 2.

[4] Fussilet: 34.

[5] Tirmidhiu: Dijat, 14.

[6] Muslimi: Dhikr, 71.