Qendra MINBER

Mirë se vjen o Muaj i Ramazanit!

Home » Mirë se vjen o Muaj i Ramazanit!

 

 

Të nderuar besimtarë!

Prej kohësh, zemrat e përmalluara presin me padurim ardhjen e tij. Ashtu si toka e etur që lëngon për shiun, besimtarët po presin mëshirën dhe begatinë e tij. Dhe më në fund, ai mbërriti, ashtu sikurse flladet pranverore që u falin gëzim shpirtrave. Erdhi Ramazani, me një sihariq që na mbrun me paqe e qetësi, në zemra dhe ndërgjegje.

Shtëpitë tona u gjallëruan për hatër të këtij mysafiri të bekuar. Xhamitë tona u zbukuruan për këtë takim të bukur. Ezanet u lartësuan në kupën e qiellit. Dhe nga goja jonë nisi të ndihet një tingull i ëmbël: “Mirë se erdhe o muaji i Ramazanit, mirë se erdhe!”.

Të dashur besimtarë!

Në ajetin fisnik që lexova në fillim të hytbes, Zoti ynë i Madhëruar thotë: “Muaji i Ramazanit që në të (filloi të) shpallet Kur’ani, që është udhërëfyes për njerëz dhe sqaruesi i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra); E kush e përjeton prej jush këtë muaj, le të agjërojë!…”[1]

Ndërsa në hadithin fisnik që lexova më sipër, Pejgamberi ynë i Nderuar (s.a.s) thotë: “Erdhi muaji i bekuar i Ramazanit. Allahu i Madhëruar e bëri obligim (farz) agjërimin në këtë muaj. Në këtë muaj hapen dyert e xhenetit, mbyllen dyert e xhehenemit dhe lidhen shejtanët e rebeluar”.[2]

Besimtarë të nderuar!

Muaji i madhërishëm i Ramazanit është një thesar i paçmueshëm, në të cilin, Allahu, hap dyert e mëshirës dhe të shpërblimit. Në këtë muaj të bekuar do të agjërohet e do të shtrohen sofrat e iftarit. Me gëzim do të ngrihemi në syfyr. Të rriturit do të gëzohen si fëmijët. Xhamitë do të mbushen plot e përplot, ndërsa kubetë do të jehojnë nga zërat e leximit të Kuranit Famëlartë. Nxitimthi do të shkojmë familjarisht në xhami për namazin e teravisë. Namazet do të falen me përulësi (hushu). Shpirtrat do të pastrohen nga ndotësit. Duart do të hapen drejt Allahut xh.sh. Në muajin e faljes, me lot në sy do të kërkohet mëshirë. Shpërblimet do të shtohen e bekohen, duke dhënë sadaka e zeqat. Do të gëzohen nevojtarët. Do t’u qeshet fytyra të pamundurve. Paqja do të mbulojë çdo anë. Do të ndriçohen errësirat dhe do të prangosen të gjithë shejtanët.

Besimtarë të dashur!

Ramazani është muaji i Kuranit Famëlartë. Kurani është mëshira më e madhe që Zoti na ka dhënë, ai është stolia hyjnore e Ramazanit. Gjatë këtij muaji, ai do të lexohet e do të kuptohet shumë. Do të reflektohet thellë mbi parimet e tij, në mënyrë që jetët tona të rigjallërohen. Do të rishikohet mënyra jonë e jetesës dhe jeta që kemi kaluar. Do të bëhet llogaria e asaj dite tejet të vështirë të gjykimit.

Ramazani është muaji i dhënies dhe ndarjes së mirësive materiale. Me zekatin tonë, me sadakatë tona dhe me çdo lloj dhënie për hir të Allahut xh.sh. do të shpresojmë pëlqimin e Tij. Do t’u japim robërve prej asaj që na ka dhënë Zoti, që të na shtohet rrizku e që mëshira të përfshijë çdo anë. Që të qeshin fytyrat dhe që në shoqëri të mbizotërojë lumturia.

Të nderuar besimtarë!

Le t’i përvishemi punës me të gjitha forcat në fillim të Ramazanit, me qëllim që të përfitojmë nga mëshira e Zotit ndaj nesh. Le të shtojmë ibadetet dhe sadakatë në mesin e tij, që të jetë bereqet. Dhe le ta shtojmë pendimin dhe kërkim faljen në fundin e tij, që të lirohemi nga mëkatet. Lutja jonë drejtuar Zotit të Madhëruar është: të mos na bëjë të përjetojmë më Ramazane të hidhura.

O Zot! Ty të takon hamdi, Ty të takon falënderimi. Na mundësove të arrijmë përsëri në Ramazan. Përgëzime për ata që e arritën! Mëshirë për ata që nuk mundën ta arrijnë. Paçin shërim të sëmurët tanë dhe zgjidhje ata që kanë probleme. Ramazani i madhërishëm qoftë i bekuar për të gjithë ne!

 

[1] Bakara: 185.

[2] Nesai: Sijam, 5.