Qendra MINBER

Mesazhe nga surja “Mulk”

Home » Mesazhe nga surja “Mulk”

 

 

   

Të nderuar besimtarë!

Në hytben e kësaj jave, do të flasim për suren e gjashtëdhjetë e shtatë të Kuranit famëlartë, suren e njohur si “El-Mulk”. Do të kujtojmë mesazhet e kësaj sureje, të cilat Profeti (a.s.) i lexonte[1] para se të flinte.

Surja “Mulk” është një dekret që informon se pronari i vetëm i tokës, i qiellit dhe i të gjitha krijesave është Allahu i Plotfuqishëm. Në ajetin e parë të sures, Allahu (xh.sh.) shpall: “Qoftë i lartësuar Ai, në dorën e të Cilit është pushteti suprem dhe që është i Fuqishëm të bëjë çdo gjë!”[2] Zoti është Maliku’l Mulk, Ai ia jep pushtetin kujt të dojë dhe ia merr kujt të dojë. Ai është pronar i pushtetit absolut. Detyra jonë si besimtarë është që t’i nënshtrohemi pushtetit të Zotit dhe ta jetojmë jetën tonë me vetëdijen se kemi gjithmonë nevojë për ndihmën, mëshirën dhe faljen e Tij.

Të nderuar besimtarë!

Surja “Mulk” është një sqarim që na informon se bota e vdekshme është një vend sprovash. Në ajetin e dytë të kësaj sureje thuhet:

ٱلَّذِي خَلَقَ ٱلۡمَوۡتَ وَٱلۡحَيَوٰةَ لِيَبۡلُوَكُمۡ أَيُّكُمۡ أَحۡسَنُ عَمَلٗاۚ وَهُوَ ٱلۡعَزِيزُ ٱلۡغَفُورُ

“Ai i ka krijuar jetën dhe vdekjen, për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë; Ai është i Plotfuqishmi dhe Falësi i Madh”.[3] Siç mund të kuptohet nga ajeti, ardhja jonë në këtë botë dhe largimi ynë nga kjo botë, kur afati ynë të ketë mbaruar, janë të dyja pjesë e provës së kësaj jete. Shëndeti dhe sëmundja, gëzimet dhe hidhërimet janë gjithashtu prova. Ajo që është e rëndësishme është që të jemi në gjendje t’i kapërcejmë të gjitha këto prova me besim, vetëdije dhe durim.

Surja “Mulk” na mëson se krijimi i universit dhe ekuilibri i tij unik i funksionimit tregojnë ekzistencën dhe unitetin e Zotit. Ajo i paralajmëron jobesimtarët, që nuk i kushtojnë vëmendje thirrjes së Zotit, me një ndëshkim të rëndë. Ata jobesimtarë, të cilët kryejnë vepra të dhunshme ndaj njerëzve të pambrojtur dhe i lënë ata të uritur e të etur nuk do të jenë në gjendje t’i shpëtojnë turpit në këtë botë dhe dënimit në botën tjetër. E vetmja gjë që do të thonë me keqardhje të madhe në Ditën e Gjykimit do të jetë: “Sikur të kishim dëgjuar të vërtetën dhe të kishim ardhur në vete”. Megjithatë, Zoti nuk do t’u flasë atyre në Ditën e Gjykimit, nuk do t’ua shikojë fytyrat, nuk do t’i falë dhe do t’i dënojë me një ndëshkim të dhimbshëm dhe të përjetshëm.

Të nderuar besimtarë!

Surja “Mulk” jep gjithashtu përgëzimin se besimtarët do të kenë një shpërblim të madh në prani të Allahut. Besimtarët që duan ta arrijnë këtë përgëzim i frikësohen Allahut siç duhet. U binden urdhrave të Tij siç duhet, u shmangen ndalesave të Tij siç duhet dhe përqafojnë moralin e Islamit. Kjo sure na informon se Allahu i di të gjitha fjalët tona dhe gjithçka që kalon nëpër zemrat tona, qofshin ato që i shprehim apo ato që i fshehim. Detyra jonë si besimtarë është që të përdorim duart, gjuhët, mendjet dhe zemrat tona, në atë mënyrë që ta fitojmë pëlqimin e Allahut (xh.sh.) Gjithashtu, të qëndrojmë larg çdo të keqeje, të përhapim mirësinë dhe bamirësinë në tokë dhe të përgatitemi për Ditën e Gjykimit.

Surja na kujton gjithashtu dhuntitë e pafundme që Allahu (xh.sh.) na ka dhuruar. Ai e ka bërë tokën të jetueshme për ne, na ka begatuar me çdo kafshatë që hamë dhe çdo pikë uji që pimë. Ai na ka dhënë amanet zemrat tona, në mënyrë që të mund ta kuptojmë të vërtetën; sytë tanë, në mënyrë që të mund ta shohim dhe veshët tanë, në mënyrë që të mund ta dëgjojmë atë. Detyra jonë është të jemi mirënjohës për të gjitha dhuntitë e Zotit ndaj nesh.

Sa mirë për ata që i pasqyrojnë mesazhet e sures “Mulk” në jetën e tyre. Lum për ata që përpiqen të jenë besimtarë ashtu siç dëshiron Allahu (xh.sh.). Lum për ata që fitojnë pëlqimin e Allahut duke e bërë punën e tyre në mënyrën më të mirë dhe më të saktë.

Hytben po e mbyllim me këtë dua që bënte Pejgamberi (a.s.):

اللَّهُمَّ بِكَ أَمْسَيْنَا، وَبِكَ أَصْبَحْنَا، وَبِكَ نَحْيَا، وَبِكَ نَمُوتُ، وَإِلَيْكَ الْمَصِيرُ

 “O Allah! Me fuqinë Tënde hymë në mbrëmje, me fuqinë Tënde dalim në mëngjes. Me fuqinë Tënde jetojmë, me fuqinë Tënde vdesim dhe tek Ti është kthimi”.[4]

 

 

 

 

[1] Tirmidhiu: Fedailu’l Kuran, 9.

[2] Mulk: 1.

[3] Mulk: 2.

[4] Tirmidhiu: Deavat, 13.