Qendra MINBER

Mëkati i madh që shkatërron shpirtin dhe pasardhësit: Zinaja

Home » Mëkati i madh që shkatërron shpirtin dhe pasardhësit: Zinaja

 

Të nderuar besimtarë!

Një prej mëkateve të mëdha që feja jonë, Islami, e ka bërë haram, është zinaja/imoraliteti, e cila shkakton prishjen e shpirtit dhe të brezave të ardhshëm. Për ta pasur sa më të qartë; zinaja është bashkëjetesa mes një burri dhe një gruaje që nuk janë të lidhur përmes një akti martesor të vlefshëm, si fetarisht, ashtu edhe ligjërisht. Zinaja është sulmi më i madh që i bëhet institucionit të familjes. Ajo është një paturpësi e hapur, e cila bëhet shkak për shpërbërjen e vatrave familjare, errëson shpresat e të rinjve dhe shkatërron ëndrrat e tyre. Zinaja është një veprim i shëmtuar që trondit rrënjësisht vlerat morale të shoqërisë dhe përgatit terrenin për përhapjen e shumë sëmundjeve, si fizike, ashtu edhe shpirtërore e morale.

Besimtarë të dashur!

Islami nuk e ka bërë haram vetëm zinânë, por edhe të gjitha rrugët që të çojnë tek ajo. Kështu, Zoti ynë i Lartësuar thotë: وَلَا تَقْرَبُوا الزِّنٰٓى اِنَّهُ كَانَ فَاحِشَةًۜ وَسَٓاءَ سَب۪يلاً “Dhe mos iu afroni zinasë! Sepse ajo është paturpësi dhe një rrugë shumë e keqe (dhe e shëmtuar)”.[1] Prandaj, çdo fjalë, qëndrim apo sjellje që e çon njeriun drejt zinasë, qoftë në jetën reale, qoftë në botën virtuale, apo në mediat e shkruara dhe vizive, është e ndaluar. Është i ndaluar ekspozimi i trupit, të cilin Allahu ia ka dhënë njeriut si një amanet; si dhe veshja e rrobave që nuk janë në përputhje me mbulojën e trupit. Poashtu, është e ndaluar që një burrë dhe një grua, të cilët sipas fesë nuk kanë pengesë për t’u martuar, të qëndrojnë vetëm (kokë më kokë) apo të jetojnë së bashku nën emrin e “bashkëjetesës”.

Ky mëkat i madh nuk mund të shfaqet si neutral duke u fshehur pas koncepteve të tilla, si “lidhje dashurie (flirtim)”, “bashkëjetesë”, “shoqërim” etj. Legjitimimi i zinasë me shprehje si “lidhje zemre”, “dashuri e ndaluar”, “teka rinore” apo “bashkëjetesë moderne” është hapje e dyerve drejt rrugës së ndaluar. Ajo që lavdërohet si “çapkënllëk” në të vërtetë është imoralitet, është hedhje e syrit ndaj nderit të tjetrit dhe është haram. E sa për homoseksualizmin, i cili synon t’i imponohet gjithë botës nën emrin e lirisë dhe që e çoi popullin e Lutit (a.s.) në shkatërrim, është një devijim që e ka mallkuar Allahu, është haram dhe një mëkat i madh.

Besimtarë të nderuar!

Pamjet e neveritshme/paligjshme që hyjnë në shtëpitë dhe xhepat tanë përmes telefonave inteligjentë, mjeteve digjitale dhe medias, lehtësojnë rrugët që çojnë në zina. Reklamat e turpshme që shpërfillin vlerat islame dhe njerëzore, si dhe filmat, serialet e teatrot jomoralë të bëra nën emrin e artit, përpiqen ta shfaqin zinanë si të ligjshme. Faqet e chat-eve dhe faqet e martesave që abuzojnë me institucionin e martesës dhe që janë përhapur në platformat digjitale, i largojnë të rinjtë nga martesa dhe i shtyjnë drejt zinâsë. Poashtu, miqësitë mes burrave dhe grave që fillojnë si shoqërim dhe ndarje hallesh, i fusin njerëzit në batakun e zinasë. Sakaq, syri duke parë haramin, veshi duke dëgjuar mëkatin dhe gjuha duke folur të keqen, bëjnë që njeriu të mësohet me zinanë, dhe paskëtaj, kryerja e kësaj vepre të shëmtuar bëhet një gjë e zakonshme dhe e thjeshtë.

Të nderuar besimtarë!

Në këndvështrimin Islam, është mëkat i madh dhe përgjegjësi e rëndë jo vetëm kryerja e së keqes, por edhe përgatitja e terrenit për përhapjen e saj. Zoti ynë, në Kur’anin Famëlartë, na tërheq vëmendjen për këtë çështje, duke thënë: “Sigurisht ata të cilët duan që marrëdhëniet e paligjshme imorale të përhapen mes besimtarëve, do të kenë dënim të dhimbshëm në këtë botë dhe në Botën e Pastajme…[2]” Për këtë arsye, është absolutisht e papranueshme që zinaja, e cila shkel dinjitetin njerëzor, si dhe rrugët që çojnë në të, të bëhen material për programet televizive. Mbajtja në rend të ditës, për javë të tëra, e marrëdhënieve jo të hijshme, vetëm për hir të shikueshmërisë, është një papërgjegjshmëri e madhe që injoron vlerat fetare dhe morale të shoqërisë. Ata që kryejnë zinanë, e cila dëmton unitetin familjar, dhe ata që i shfaqin këto të këqija në ekrane apo i shpërndajnë në rrjetet sociale, janë bashkëortakë në gjynah.

Besimtarë të dashur!

Martesa është rruga më e mirë kundra imoralitetit. Një martesë legjitime është një mbrojtje e fortë, një kështjellë e pathyeshme, ku njeriu mund të strehohet nga çdo e keqe. Me shprehjen e Pejgamberit të nderuar (a.s.), martesa e ruan syrin nga harami dhe e mbron nderin.[3] Prandaj, le t’i nxisim të rinjtë tanë për martesë. Kur ata të arrijnë moshën e martesës nga ana fetare dhe ligjore, le t’i ndihmojmë ata të martohen. Mos t’i vështirësojmë martesat. Për të zhdukur çdo lloj paturpësie dhe shëmtie që kërcënon institucionin tonë familjar, mos t’i neglizhojmë përgjegjësitë tona individuale, shoqërore dhe institucionale. Secili prej nesh, sidomos sektori i medias, në vend të programeve që shpërfillin vlerat, le të sjellim më shumë në ekrane, në rrjetet sociale dhe në platformat digjitale, shembujt e bukur familjarë që kanë ndjeshmëri ndaj hallallit dhe haramit, dhe që janë zotërues të nderit dhe turpit.

Në këtë hutbe si fjalë të fundit po përmendin paralajmërimin e Pejgamberit a.s. ku thotë: “…Asnjë burrë të mos qëndrojë vetëm me një grua që nuk e ka të afërt (pasi) personi i tretë me ta do të jetë shejtani…”[4]

[1] Nisa: 32.

[2] Nur: 19.

[3] Buhariu: Nikah, 3.

[4] Tirmidhiu: Fiten, 7.