Qendra MINBER

Marrëdhëniet Mes Bashkëmoshatarëve

Home » Marrëdhëniet Mes Bashkëmoshatarëve

 

Të nderuar besimtarë!

Thelbi i komunikimit ndërnjerëzor bazohet dhe mbështetet mbi dashurinë dhe respektin. Dashuria është ajo forcë hyjnore që zbut zemrat, ndërsa respekti është udhërrëfyesi që i shpie drejt qetësisë shpirtërore. Miqësitë e vërteta ngjizen me dashuri dhe marrin jetë përmes respektit të ndërsjellë. Ashtu si besimi që hedh themelet e veta në gjirin e familjes, edhe besueshmëria mes shokësh mund të ndërtohet e të qëndrojë në këmbë vetëm përmes këtyre dy shtyllave: dashurisë dhe respektit.

Në atë vend ku mungon dashuria dhe respekti, në mënyrë të pashmangshme mbizotëron shqetësimi shpirtëror, shtypja dhe përjashtimi. Aty ku këto vlera mungojnë, mospajtimet më të vogla shndërrohen në konflikte madhore; durimi dhe vetëpërmbajtja dobësohen, ndërsa zemërimi bëhet i papërmbajtshëm. Mëshira ia lë vendin dhunës, ndërsa përzemërsia dhe afërsia shndërrohen në urrejtje.

            Besimtarë të nderuar!

Një nga plagët e kohës që po jetojmë, është shfaqja e sjelljeve të rrepta, fyese dhe të vrazhda midis të rinjve, të cilët mesa duket janë privuar nga dashuria dhe respekti. Kjo veti e ligë, që shfaqet në trajtë “bullizmi mes bashkëmoshatarëve”, ka shkuar përtej talljes apo fjalëve lënduese, duke u shndërruar deri në dhunë fizike. Kjo mendësi, e cila konsideron si “meritë” veshjen uniforme, aparencën homogjene, përfshirjen në krime, përdorimin e substancave narkotike që mjegullojnë arsyen, apo hyrje-daljet nëpër burgje, po bëhet gjithnjë e më pranishme mes rinisë. Prodhimet virtuale dhe mediatike me përmbajtje dhune, serialet, lojërat dhe platformat digjitale, fatkeqësisht përgatisin terrenin për përhapjen e këtyre dukurive. Profeti ynë i Nderuar (s.a.s.), në një hadith urdhëron: Për çdo musliman, jeta, nderi dhe pasuria e muslimanit tjetër janë të ndaluara (haram) dhe të paprekshme”.[1]

            Të dashur të rinj!

Duhet të jeni më vigjilentë ndaj atyre që synojnë të abuzojnë me ndjenjat tuaja, të cilët duan t’ju shndërrojnë në vegël të ligësive të tyre,  t’ju errësojnë ëndrrat e t’ju vjedhin shpresat. Synimi juaj më i lartë duhet të jetë adhurimi i Allahut xh. sh., respektimi i familjes dhe shërbimi i dobishëm për njerëzimin. Mos harroni -kurrsesi nuk mund të ndërtohet një e ardhme përmes frikës, shtypjes dhe dhunës. Siç thotë i Dërguari i Allahut, (s.a.s): Besimtari është njeri i afërt dhe i dashur. Nuk ka dobi (hajr) tek ai i cili nuk krijon afërsi me njerëzit dhe tek i cili njerëzit nuk gjejnë afërsi”.[2] Të qenit i dhunshëm nuk është fuqi, por dobësi. Tallja nuk është argëtim, por pafytyrësi; ndërsa cenimi i jetës nuk është respekt, por dënim i xhehenemit. Vëlla i ri! Ty nuk të ka hije hije dhuna, por të ka hije mirësjellja dhe zotnillëku.

Të nderuar prindër, mësues dhe vëllezër!

Hadithi i Profetit (s.a.s): “Mjafton si mëkat për një person lënia pas dore e atyre që ka nën përgjegjësi,”[3], është krejtësisht i qartë, andaj ne nuk mund të qëndrojmë indiferentë ndaj kësaj atmosfere të dëmshme. Nuk mund të qëndrojmë spektatorë, teksa shohim se ata që janë privuar nga virtyti i mëshirës, dëmtojnë njëri-tjetrin pa mëshirë, dhe përpiqen ta legjitimojnë këtë akt. Nuk mund t’i braktisim të rinjtë tanë, duke i lënë nën mëshirën e mekanizmave të së keqes, të cilat synojnë të ndezin zjarrin e ngatërresave dhe shkatërrimit. Familjet, shkollat, xhamitë, institucionet, media, por edhe të gjitha shtresat e shoqërisë, duhet të bashkojnë forcat. Duhet të veprojmë si një trup i vetëm kundër dhunës që cënon shenjtërinë e jetës njerëzore dhe kërcënon të ardhmen e brezave. Për ndërtimin e një shoqërie ku mbizotëron mirësia dhe mëshira, dhe ku garantohet siguria e jetës dhe e pasurisë, duhet t’i përmbushim detyrat tona me përgjegjshmëri të plotë.

Hutben duam ta përfundojmë duke përcjellë Ajetin Fisnik që u lexua në fillim, ku Allahu xh. sh. urdhëron: “Dhe ata që e mbajnë lidhjen për të cilën All-llahu ka urdhëruar të mbahet, që frikësohen nga Zoti i tyre dhe nga llogaria e rëndë e përgjegjësisë”.[4]

[1] Muslimi: Birr, 32.

[2] Ibn Hanbel: II, 400.

[3] Ebu Daudi: Zekat, 45.

[4] Ra’d: 21.