Qendra MINBER

Lutja: Strehimi tek Zoti

Home » Lutja: Strehimi tek Zoti

 

 

Të nderuar besimtarë!

Në ajetin që lexuam Allahu xh.sh. thotë:Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua. Prandaj, le t’i përgjigjen thirrjes Sime dhe le të më besojnë Mua, për të qenë në rrugë të drejtë.”[1] Ndërsa në hadithin e lexuar i Dërguari i Allahut a.s. thotë:  “Lutjuni Allahut, duke besuar me gjithë zemër se do të pranohet...”[2]

Ekziston një derë strehimi që Zoti ynë i Plotfuqishëm na e ka dhuruar për në kohë bollëku dhe fatkeqësie, për në gëzim dhe pikëllim e për çdo gjendje dhe situatë tjetër. Emri i kësaj dere është lutje.

Duaja, lutja është një shprehje e besimit dhe robërisë sonë ndaj Allahut. Ajo është rrëfimi ynë ndaj madhështisë së Zotit tonë dhe se ne kemi gjithmonë nevojë për ndihmën e Tij. Lutja, së bashku me adhurimet tona janë përgjërimi ynë me anë të të cilave kërkojmë mëshirën, bekimin dhe faljen e Zotit. Është shprehje e vendosmërisë dhe përpjekjes sonë, pas përmbushjes së detyrave dhe përgjegjësive tona. Lutja është një fuqi shpirtërore që na mban gjallë, është një mburojë që na mbron nga e keqja.

Të nderuar besimtarë!

Allahu i Lartëmadhëruar, shembujt e lutjeve më të veçanta na i ka mësuar në Kur`an nëpërmjet gjuhës së Profetëve të nderuar a.s.

Lutja në gjuhën e Ademit a.s., është pendesë. Ai dhe gruaja e tij, Hava, menjëherë u penduan pas gabimit që bënë dhe kërkuan strehim tek Allahu me këto fjalë:

قَالَا رَبَّنَا ظَلَمْنَا أَنْفُسَنَا وَإِنْ لَمْ تَغْفِرْ لَنَا وَتَرْحَمْنَا لَنَكُونَنَّ مِنَ الْخَاسِرِينَ

 

Ata të dy thanë: “Zoti ynë, ne i bëmë padrejtësi vetes, në qoftë se nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne me siguri do të jemi prej të shkatërruarve![3]

Në gjuhën e Profetit Ibrahim a.s., lutja do të thotë besnikëri. Edhe pse kaloi nëpër shumë sprova të vështira, ai nuk e humbi kurrë nënshtrimin ndaj Allahut dhe u lut si vijon:

رَبَّنَا وَاجْعَلْنَا مُسْلِمَيْنِ لَكَ وَمِنْ ذُرِّيَّتِنَا أُمَّةً مُسْلِمَةً لَكَ وَأَرِنَا مَنَاسِكَنَا وَتُبْ عَلَيْنَا ۖ إِنَّكَ أَنْتَ التَّوَّابُ الرَّحِيمُ

O Zoti ynë! Na bëj të përulur ndaj Teje! Bëj që edhe pasardhësit tanë të jenë të përulur ndaj Teje!..”.[4]

Në gjuhën e Profetit Ejub a.s., lutje do të thotë durim dhe qëndrueshmëri. Ai kërkoi shërim nga Zoti i tij me lutjen e mëposhtme përballë sëmundjes së pamëshirshme që e kapi:

وَأَيُّوبَ إِذْ نَادَىٰ رَبَّهُ أَنِّي مَسَّنِيَ الضُّرُّ وَأَنْتَ أَرْحَمُ الرَّاحِمِينَ

(Kujtoje) Ejubin, kur iu lut Zotit të vet: “Mua më ka goditur fatkeqësia e Ti je më mëshiruesi i mëshiruesve!”[5]

Të nderuar besimtarë!

Në gjuhën e Profetit Jusuf a.s., lutja është dëshira për të qenë njeri i mirë dhe për të arritur një fund të mirë. Për shkak se, ai nuk bëri kompromis dhe nuk toleroi ndaj nderit të tij, ai iu nënshtrua shumë vështirësive përballë shpifjeve të shëmtuara dhe iu lut Zotit kështu:

رَبِّ قَدْ آتَيْتَنِي مِنَ الْمُلْكِ وَعَلَّمْتَنِي مِنْ تَأْوِيلِ الْأَحَادِيثِ ۚ فَاطِرَ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضِ أَنْتَ وَلِيِّي فِي الدُّنْيَا وَالْآخِرَةِ ۖ تَوَفَّنِي مُسْلِمًا وَأَلْحِقْنِي بِالصَّالِحِينَ

 

Zoti im, Ti më ke dhënë mua pushtet, më mësove mua komentin e ëndërrave; o Krijues i qiejve e i tokës, Ti je kujdestar imi në dynja e në Ahiret, më bën të vdes mysliman dhe më bashko me të mirët![6]

Në gjuhën e Profetit Musa a.s., lutje do të thotë të kërkosh ndihmë dhe lehtësi nga Allahu. Ai kurrë nuk u përkul para tiranëve jobesimtar, nuk e humbi shpresën dhe iu lut Zotit duke thënë:

قَالَ رَبِّ اشْرَحْ لِي صَدْرِي

وَيَسِّرْ لِي أَمْرِي

 “Ai (Musai) tha: Ma zgjero (më ndihmo) gjoksin tim! Dhe më lehtëso në këtë punë timen![7]

Në gjuhën e Isait a.s., lutje do të thotë të kërkosh furnizim hallall dhe të pastër. Ai ia paraqiti Zotit dëshirat e atyre që besuan në të me lutjen e mëposhtme:

وَارْزُقْنَا وَأَنْتَ خَيْرُ الرَّازِقِينَ

“…dhe dhurona se Ti je furnizuesi më i mirë![8]

Në shumë hadithe të Profetit tonë Muhamedit a.s., ka shumë shembuj të bukur lutjesh për ne. Nga lutjet e tij mësojmë qëllimin e krijimit dhe ekzistencës sonë. Në hadithe shohim mënyra për të arritur lumturinë në këtë botë dhe shpëtimin në jetën e përtejme. Në lutjet e tij shohim se çfarë do të thotë besimi, adhurimi dhe morali i mirë për një besimtar, me pak fjalë, përpjekjen e tij për të qenë një njeri i mirë dhe një musliman i sinqertë.

Të nderuar besimtarë!

Le të mos e privojmë veten nga bekimet e lutjes dhe paqja e qetësia që ajo sjell. Le t’i lutemi me gjithë zemër Zotit tonë për mirëqenien e familjes tonë, popullit tonë dhe mbarë njerëzimit. Le t’i lutemi Zotit të Plotfuqishëm për shpëtimin e vëllezërve tanë muslimanë që janë nën shtypje e mundim në vende të ndryshme të botës.

Po e mbyllim hutben me duanë nga Kur’ani Famëlartë:

وَاعْفُ عَنَّا۠ وَاغْفِرْ لَنَا۠ وَارْحَمْنَا۠ اَنْتَ مَوْلٰينَا فَانْصُرْنَا عَلَى الْقَوْمِ الْكَافِر۪ينَ

Zoti ynë na fal dhe na mëshiro. Ti je Mbrojtësi ynë, pra na ndihmo kundër popullit pabesimtar!”[9]

 

 

 

[1] Bekare, 186.

[2] Tirmidhi, Deavat, 65.

[3] Araf, 23.

[4] Bekare, 128.

[5] Enbija, 83.

[6] Jusuf, 101.

[7] Taha, 25-26.

[8] Maide, 114.

[9] Bekare, 286.