Të nderuar besimtarë!
Në ajetin që lexuam Allahu i Lartmadhëruar thotë: “O njerëz! Kijeni frikë Zotin tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu të vetëm dhe prej tij krijoi bashkëshorten e tij dhe nga ata të dy nxori shumë burra e gra. Kijeni frikë Allahun me emrin e të Cilit përbetoheni dhe ruajini lidhjet farefisnore. Me të vërtetë, Allahu është Mbikëqyrësi juaj”.[1]
Ndërsa në hadithin që përmendëm Pejgamberi a.s. thotë: “Ata që duan që furnizimi i tyre të jetë i begatë dhe jeta e tyre të jetë e frytshme, le të ruajnë lidhjet e tyre farefisnore”.[2]
Një nga vlerat e rëndësishme që ne si besimtarë duhet të respektojmë janë pikërisht lidhjet farefisnore. Lidhjet farefisnore, në kuptimin e parë nënkuptojnë marrëdhëniet e mira me familjen, të afërmit dhe fqinjët tanë, ruajtja e lidhjeve me ta dhe ndarja e gëzimeve dhe hidhërimeve tona. Lidhje e mirë farefisnore do të thotë t’u vijmë në ndihmë kur ata kanë nevojë e tu zgjasim dorën për ti ngritur kur mundimet e jetës i rrëzojnë ata. Do të thotë, të mbështesim njëri-tjetrin me dhembshuri, mëshirë dhe këshillim.
Lidhjet farefisnore nuk kanë të bëjnë vetëm me kujdesin ose vizitën e të afërmve tanë që vazhdojnë marrëdhëniet me ne. Bashkë me këtë, kërkohet që të ftojmë edhe ata që nuk na ftojnë, të shkojmë edhe tek ata që nuk vijnë dhe të pyesim për mirëqenien edhe të atyre që nuk na pyesin. Tregohet se, një nga sahabët erdhi te Profeti a.s dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Mundohem që marrëdhëniet e mia me farefisin ti mbaj të ngrohta dhe ti ruaj kontaktet me të afërmit e mi, por ata nuk interesohen dhe nuk pyesin për mua. Unë u bëj mirë atyre, ata më bëjnë keq. Unë sillem butë me ta, ndërsa ata sillen ashpër me mua. Profeti a.s. i tha: Për sa kohë që vazhdon të veprosh kështu, ndihma e Zotit do të jetë me ty.[3]
Të nderuar besimtarë!
Jetojmë në një kohë, kur teknologjia po përparon me ritme marramendëse. Me anë të kësaj teknologjie mund të komunikojmë si me zë ashtu edhe me video me njerëzit anë e mbanë botës, sa herë që duam. Mirëpo, në kontraditë me të gjitha këto zhvillime, ne dita ditës po largohemi nga njëri-tjetri, madje shpesh herë ndodh që neglizhojmë edhe më të afërmit, prindërit tanë. Çdo ditë që kalon, bëhemi më të vetmuar dhe individualist edhe pse jetojmë në mesin e shoqërisë. Në ditët e sotme, ka shumë prindër që kanë mbetur vetëm, duke pritur fëmijët e tyre të dashur. Kemi shumë të afërm, që presin që dikush ti pyes e të interesohet për mirëqenien e tyre. Ka shumë të afërm, që dëshirojnë të qajnë hallet e tyre dhe zemrat e tyre të ngushëllohen sadopak. Ka shumë fqinjë, që kanë nevojë për një përshëndetje, një buzëqeshje, sinqeritet dhe bisedë.
Atëherë, të mos i neglizhojmë të afërmit dhe lidhjet farefisnore, gjë e cila është shkak për të fituar mëshirën e Allahut. Të mos e privojmë veten nga begatitë e mbajtjes gjallë të këtyre lidhjeve. Le ti qetësojmë zemrat e prindërve tanë. Të mos ua kursejmë të afërmëve komunikimin, përshëndetjet dhe sinqeritetin. Të mos i lëmë të vetëm ata gjatë festave, dasmave dhe sprovave. Duhet t’ua mundësojmë fëmijëve tanë që të mësojnë nga ne respektin nda të moshuarve dhe t’i bëjnë ata të lumtur. Ti mundësojmë fëmijve të shohin nga ne se gëzimet shtohen dhe hidhërimet pakësohen kur ndahen.
Hytben po e mbyllim me përmndjen e hadithit të Pejgamberit a.s. ku thotë:
Lidhja farefisnore është një lidhje nga Allahu që është Mëshiruesi. Kush i mban lidhjet me ta, edhe Allahu e mban lidhjen me të; Kushdo që e ndërpret marrëdhënien e tij me ta, Allahu do ta ndërpresë marrëdhënien me të.[4]
[1] Nisa, 1.
[2] Buhariu, Edeb, 12.
[3] Muslimi, Birr, 22.
[4] Tirmidhiu, Birr, 16.