Të nderuar besimtarë!
Po i afrohemi një tjetër Kurban Bajrami. Adhurimi i kurbanit, është motoja e Islamit dhe simbol i unitetit, solidaritetit dhe vëllazërisë. Akti i Kurbanit, kryhet nga muslimani që është i shëndoshë mendërisht, që ka arritur pjekurinë mendore dhe konsiderohet i pasur në aspektin fetar, duke sakrifikuar kafshë që plotësojnë kushtet për hir të Allahut në ditët e Bajramit. Kurbani, një akt adhurimi aq i vjetër sa historia njerëzore, është shprehja e mirënjohjes sonë për begatitë që Allahu na ka dhuruar. Është një deklaratë se përzemërsia që ndiejmë për Zotin është mbi të gjitha dashuritë e tjera. Është një tregues se pëlqimin e Tij e vlerësojmë mbi të gjitha pëlqimet tjera. E thënë ndryshe, Kurbani është simboli që ne mund të sakrifikojmë me dëshirë pasurinë, jetën dhe gjithçka që zotërojmë për hir të Zotit tonë të Plotfuqishëm.
Të nderuar besimtarë!
Kurbani, ka një kuptim dhe urtësi shumë më të thellë sesa thjesht therja e një kafshe dhe përfitimi nga mishi i saj.
Sipas kësaj, kurbani është devotshmëri dhe nënshtrim me gjithë zemër ndaj të gjitha urdhrave të Allahut xh.sh. Është largim nga koprracia e shpirtrave, nga dëshirat e përkohshme të kësaj bote dhe nga mëkatet që na pengojnë të arrijmë pëlqimin e Allahut. Allahu xh.sh. në ajetin më poshtë, na e kujton neve këtë të vërtetë si vijon:
لَنْ يَنَالَ اللّٰهَ لُحُومُهَا وَلَا دِمَٓاؤُ۬هَا وَلٰكِنْ يَنَالُهُ التَّقْوٰى مِنْكُمْۜ
“Tek Allahu nuk arrin as mishi, as gjaku i tyre, por arrin përkushtimi juaj”.[1]
Kurbani është unitet; duke nënkuptuar bashkimin tonë si pasuesit e Muhammedit a. s., pavarësisht ngjyrës, gjuhës dhe gjeografisë për të ndarë me njëri tjetrin gëzimet dhe hidhërimet. Gjithashtu nënkupton përpjekjen tonë që mëshira dhe sinqeriteti të mbizotërojnë në marrdhëniet tona njerzore, duke filluar nga familjet tona, lagjet, qytetet dhe në të gjithë botën.
Kurbani është lutje; që vjen si rezultat i përpjekjeve tona për të sjellë buzëqeshje në fytyrat e jetimëve, të varfërve dhe të pafuqishëmve. Është angazhim për të sjellë lumturi dhe dashuri në shtëpitë e nevojtarëve si dhe për tu gëzuar ndërsa i bëjmë të tjerët të lumtur dhe për të gjetur paqe ndërsa ndajmë atë që kemi me të tjerët.
Të nderuar besimtarë!
Adhurimet kryhen siç i ka urdhëruar Allahu xh.sh. dhe siç i ka zbatuar Pejgamberi a.s. Kështu që, akti i adhurimit të bërjes kurban një kafshë, nuk zëvendësohet ose plotësohet duke dhënë sasi parash në vend të kurbanit, njerëzve në nevojë ose organizatave bamirëse.
Kafshët e vogla mund të bëhen kurban vetëm nga një person. Ndërsa një kafshë e madhe mund të bëhet kurban maksimumi prej shtatë personash, të cilët të gjithë duhet të kenë qëllimin e bërjes kurban. Nuk lejohet të theren kafshët, të përzihet mishi i tyre dhe pastaj t’u jepen pjestarëve sipas peshës. Gjithashtu procesi i sakrifikimit të kafshës duhet të bëhet pas namazit të Bajramit. Kafshët e sakrifikuara para namazit të Bajramit nuk e plotësojnë aktin e bërjes kurban.
Ajo që është thelbësore në aktin e kurbanit është që personi ta sakrifikojë kafshën e tij aty ku jeton vetë ose tja japë këtë përgjëgjësi një personi tjetër. Ndërkaq, i Dërguari i Allahut a.s. pasi u shpall urdhëri i kurbanit, e sakrifikonte kafshën e tij çdo vit[2] dhe gjithashtu e inkurajonte umetin e tij ta bënte këtë duke thënë: “Në ditën e Kurban Bajramit, biri i Ademit nuk mund të bëjë asgjë më të dashur për Allahun sesa kurbani…”[3] Megjithatë, ata që nuk mund ta gjejnë mundësinë për të sakrifikuar kafshën e tyre aty ku janë ose që duan të bëjnë kurban një kafshë të dytë, mund ta kryejnë këtë me anë të një përfaqësuesi në vend ose jashtë vendit.
E lusim Allahun xh.sh. ti pranoj adhurimet tona. Hytben e kësaj xhumaje po e përfundojmë duke dhënë kuptimin e këtij ajetit të Sures Haxh:
“Për çdo popull, Ne kemi caktuar një ritual, që ata të përmendin emrin e Allahut gjatë flijimit të kafshëve, që Ai ua ka dhuruar për ushqim. Zoti juaj është një Zot i vetëm, prandaj vetëm Atij përuljuni. Dhe jepu lajme të mira atyre që janë të përulur”.[4]
[1] Haxh: 37.
[2] Tirmidhiu: Edahi, 11.
[3] Tirmidhiu: 1.
[4] Haxh: 34.