Qendra MINBER

Kurbani: dëshira për të arritur devotshmërinë

Home » Kurbani: dëshira për të arritur devotshmërinë

 

 

 

 

 

Të nderuar besimtarë,

Në ajetin që lexuam Allahu xh.sh. thotë: “Tek All-llahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre, por tek Ai arrin bindja juaj”.[1] Ndërsa Pejgamberi a.s. në hadithin e permendur thotë: “Biri i Ademit nuk mund të bëjë vepër më të mirë se sa kurbani për Allahun në ditët e kurbanit”.[2]

Muaji hënor Dhul-Hixhe, është një muaj i veçantë që përfshin kohë shumë të vlefshme siç janë ditët e haxhit dhe kurbanit. Në hutben e sotme do të flasim për adhurimin e kurbanit, sakrificës, i cili është po aq i vjetër sa vetë njerëzimi.

Të nderuar besimtarë,

Kurbani është afrimitet, është përpjekja e robit për t’iu afruar Krijuesit të tij, dëshira për të arritur devotshmërinë dhe përpjekja për të arritur mëshirën hyjnore.

Kurbani është besnikëri, është mbajtja e pëlqimit e Zotit të Plotfuqishëm mbi të gjithë të tjerët dhe mbi çdo gjë tjetër.

Kurbani është dorëzim, është shenjë se besimtari mund të sakrifikojë me dëshirë pasurinë dhe jetën e tij në rrugën e Allahut.

Kurbani është mirënjohje, që do të thotë të vlerësosh begatitë e panumërta të dhëna nga Allahu xh. sh. Do të thotë të mos jesh skllav i dëshirave, epsheve, ambicieve, lakmisë dhe heqja e të gjitha pengesave mes vetes dhe Zotit.

 

Besimtarë të nderuar!

Si në çdo adhurim, edhe në obligimin e kurbanit ekzistojnë disa kushte që duhen respektuar. Muslimanët që kanë mendje të shëndoshë, kanë arritur pubertetin dhe konsiderohen të pasur sipas kritereve islame, bëjnë kurban kafshë duke marrë si shembull sunetin e Profetit a.s. Kafsha që do të bëhet kurban duhet të jetë nga kafshët e vogla ose gjedhë të urdhëruara nga Islami. Është e rëndësishme, si nga aspekti i adhurimit ashtu edhe nga ana e shëndetit, që kurbani të jetë i shëndetshëm, me organe të plota dhe i ushqyer mirë. Kafsha që do të flijohet duhet të plotësojë kushtin e moshës së përcaktuar nga suneti i Profetit a.s. Është përgjegjësi fetare dhe morale, që shitësi t’i përmbushë këto kushte me kujdes dhe që blerësi të bëjë kërkimet e nevojshme për kafshët që do të blejë.

Kurbani, kryhet me therjen sipas rregullave, në ditë të caktuara dhe me qëllim adhurimi ndaj Allahut të Madhërishëm.

Kurbani, para së gjithash, është një akt adhurimi ndaj Zotit dhe jo shitblerje mishi. Prandaj, praktikat që e kufizojnë kurbanin vetëm në shitjen e një peshe të caktuar mishi, janë të papajtueshme me qëllimin dhe frymën e këtij adhurimi. Para therjes, çdo kafshë kurbani dhe ortakët e saj duhet të identifikohen. Asnjëherë nuk lejohet përzierja e mishit të kurbaneve të ndryshme për të plotësuar peshën e premtuar më parë.

Të nderuar besimtarë.

Kurbani gjithashtu, forcon vëllazërimin dhe zhvillon vetëdijen për bashkëpunim dhe solidaritet. Me anë të këtij adhurimi duhet të ngrejmë ura bashkëpunimi mes besimtarëve. Duke shpërndarë mishin e kurbanit sipas sunetit, u gjendemi sado pak pranë nevojtarëve dhe atyre që nuk kanë mundësi për kurban. Duhet të kemi parasysh një të vërtetë se ajo që mbetet te ne prej kurbaneve tona nuk është ajo që hamë dhe konsumojmë, por ajo që ndajmë dhe ua japim tjerëve. Ndërkaq, transmetohet se një herë Profeti a.s pyeti nënën e besimtarëve Aishen r.a.:

“‏ما بقى منها‏؟‏‏”‏ قالت‏:‏ ما بقى منها إلا كتفها، قال‏:‏”

se çfarë kishte mbetur nga kafsha që theri. Nëna e besimtarëve Aishja r.a. u përgjigj: “Ka mbetur vetëm një shpatull”. Pas përgjigjes që mori Profeti a.s. tha:

بَقِىَ كُلُّهَا غَيْرَ كَتِفِهَا       

Ka mbetur e gjitha veç shpatullës”.[3]

Me qëllim, që të ndihet me gjithë qenien dhe të forcohet vetëdija e adhurimit, mënyra më e mirë për të kryer kurbanin është duke u kujdesur personalisht për çdo fazë të kurbanit, si marrja, therja dhe shpërndarja e tij. Mirëpo, ky adhurim mund të kryhet edhe nëpërmjet njerëzve ose institucioneve të besueshme, pra me përfaqësim.

 

 

 

 

[1] Haxh, 37.

[2] Tirmidhiu, Edahi, 1.

[3] Tirmidhiu, Sifatu’l-kijameh, 33.