Të nderuar besimtarë, në ajetin Kur’anor që lexuam Allahu xh.sh. thotë: “Në të vërtetë, ky Kur’an udhëzon drejt asaj që është më e mira dhe u jep lajmin e gëzuar besimtarëve, që bëjnë vepra të mira, se ata do të kenë shpërblim të madh”.[1] Ndërsa Profeti Muhamed a.s. në hadithin që lexuam thotë: “Fjala më e drejtë është Libri i Allahut xh.sh. dhe udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhammedit a.s.”.[2]
Allahu, i Gjithëmëshirshmi dhe Mëshirëploti, e krijoi njeriun dhe i dhuroi atij aftësinë për të lexuar dhe për të mësuar. Ai ushqeu mendjet dhe zemrat e robërve të tij me zbulesën hyjnore, besim dhe virtyte morale. Ai na bekoi ne duke dërguar Profetin e fundit Muhamedin a.s. dhe udhërrëfyesin tonë të jetës, Kur’anin Famëlartë, në mënyrë që të mund ta kuptojmë Islamin drejtë.
Të nderuar besimtarë, Kur’ani është hidajet/udhëzim; Ai është udhërrëfyes për ata që nuk duan të humbasin rrugën e tyre në botë, për ata që përpiqen të jetojnë në përputhje me Islamin dhe për ata që janë të devotshëm. Kur’ani është bejan/shpjegim i qartë; Ai është një udhëzues që u shpjegon njerëzve emrat dhe cilësitë e Allahut të Madhëruar dhe dispozitat e fesë islame. Kur’ani është Furkan/Ndarës i të vërtetës nga e pavërteta; Ai është fjala e Allahut që dallon të vërtetën nga e pavërteta dhe mundëson qartësimin dhe daljen në dritë të vërtetës. Kur’ani është shifa/shërim dhe rahmet/mëshirë; Ai është një kurë për zemrat e trazuara dhe begati e bollëk për njerëzimin dhe ashtu siç natyra ka nevojë për ujin edhe njerëzimi ka nevojë për Kur’anin.
Të nderuar besimtarë, Allahu në Kur’anin Famëlartë kërkon nga ne që natën dhe ditën, tokën dhe detin, lindjen dhe vdekjen ta shikojmë si burim për të nxjerrë mësim. Na këshillon të nxjerrim mësim nga kafshët ku në suren Nahl thotë:
وَإِنَّ لَكُمۡ فِي ٱلۡأَنۡعَٰمِ لَعِبۡرَةٗۖ نُّسۡقِيكُم مِّمَّا فِي بُطُونِهِۦ مِنۢ بَيۡنِ فَرۡثٖ وَدَمٖ لَّبَنًا خَالِصٗا سَآئِغٗا لِّلشَّٰرِبِينَ
“Në fakt, edhe te bagëtitë ju keni shenja për të mësuar prej tyre. Ne ju japim atë që kanë në barkun e tyre prej ushqimit të përpunuar dhe gjakut: qumësht të pastër dhe të shijshëm për ata që e pinë”.[3] Zoti në Kur’an na paraqet pjesë nga ngjarjet e popujve të kaluara, duke shpjeguar vështirësitë e përjetuara nga Profetët dhe lutjet e tyre drejtuar Zotit, duke thënë:
لَقَدۡ كَانَ فِي قَصَصِهِمۡ عِبۡرَةٞ لِّأُوْلِي ٱلۡأَلۡبَٰبِۗ مَا كَانَ حَدِيثٗا يُفۡتَرَىٰ وَلَٰكِن تَصۡدِيقَ ٱلَّذِي بَيۡنَ يَدَيۡهِ وَتَفۡصِيلَ كُلِّ شَيۡءٖ وَهُدٗى وَرَحۡمَةٗ لِّقَوۡمٖ يُؤۡمِنُونَ
“Në tregimet e atyre (të dërguarve) ka këshilla për ata që janë me mend. Ky (Kuran) nuk është tregim i trilluar, por ai është vërtetues i atyre (librave) që janë shpallur para tij, është shpjegues i çdo gjëje dhe udhërrëfyes e mëshirë për njerëzit besimtarë”[4]
Të nderuar besimtarë, muslimani kur lexon Kur’anin Famelartë, aty do të gjejë përpjekjen unike të Ibrahimit a.s. në rrugën e besimit të pastër dhe kështu do të gëzohet për besimin e tij në unitetin e Allahut xh.sh. Besimtari, aty do të lexojë dhe si pasojë do të marrë për shembull vendosmërinë e Musait a.s., i cili duroi të gjitha llojet e vështirësive dhe mundimeve. Ai do të mësojë se si, Jusufi a.s. e mbajti veten larg nga ajo që është e ndaluar dhe se si, Isai a.s. dha përgëzime për njerëzimin me mrekullitë e dhëna nga Allahu xh.sh. Besimtari në Kur’an do të marrë mësime të jashtëzakonshme nga jeta e të Dërguarit të Allahut a.s., e cila u brumos nga shpallja hyjnore, dhe nga morali i tij që u formësua nga ajetet Kur’anore.
Mbajtja gjallë e lidhjeve tona me Kur’anin Famëlartë, duhet të jetë ndër prioritetet më kryesore për ne. Mos të harrojmë se, kjo lidhje mund të mbahet gjallë vetëm atëherë kur ne përpiqemi të mësojmë kuptimet e ajeteve që lexojmë dhe atëherë kur mundohemi ti ndihmojmë fëmijët tanë që ta mësojnë edhe leximin e Kur’anit edhe kuptimin e tij. Në lidhje me këtë temë, hadithi i Pejgamberit a.s.: خَيْرُكُمْ مَنْ تَعَلَّمَ الْقُرْآنَ وَعَلَّمَهُ “Më i miri ndër ju është ai që e mëson Kur’anin dhe ua mëson atë tjerëve”[5], është frymëzim dhe orientim shumë i rëndësishëm për ne. Të mos harrojmë se çdo hapsirë kohore, madje edhe çdo moment, i kushtuar mësimit dhe mësimdhënies së Kur’anit është shkak për të fituar kënaqësinë e Allahut.
I lutemi Allahut xh.sh. të mos na ndaj si ne ashtu edhe brezat tanë nga besimi dhe Kur’ani Famëlartë deri Ditën e Kijametit!
[1] Isra, 9.
[2] Nesai, Idejn, 22.
[3] Nahl, 66.
[4] Jusuf, 111.
[5] Tirmidhiu, Fedailu’l-Kur’an, 15.