Qendra MINBER

Kur’ani- Mrekullia më e madhe

Home » Kur’ani- Mrekullia më e madhe

          

 

 

Të nderuar besimtarë!

Allahu i Lartmadhëruar në ajetin Kuranor që sapo lexuam thotë: “Elif Lâm Râ. Këtë Libër ta kemi shpallur ty (o Muhamed), për t’i nxjerrë njerëzit, me lejen e Zotit të tyre, nga errësira në dritë, në rrugën e të Plotfuqishmit, të Denjit për çdo lavd.[1]

Ndërsa në Hadithin e lartpërmendur Pejgamberi a.s. ka thotë: “Fjala më e vërtetë është Libri i Allahut, udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit a.s.”[2]

Libri ynë i shenjtë Kur’ani Famëlartë është mesazhi i fundit hyjnor që Allahu xh. sh. ka dërguar për njerëzimin. Që nga koha kur është zbritur e deri në Ditën e Kijametit, ai është një tekst i shenjtë në çdo aspekt dhe një udhërrëfyes hyjnor në fushën fetare, ligjore dhe morale për mbarë njerëzimin. Kur’ani është shfaqja më e madhe e dhembshurisë dhe mëshirës së pakufijshme të Zotit ndaj robërve të Tij. Është mrekullia më e madhe e Profetit a.s, i cili u dërgua si mëshirë për botët. Gjykimi i Kur’anit është i përjetshëm deri në fund të kësaj bote. Asnjë shkronjë e vetme e tij nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshohet kurrë, sepse Kurani është nën mbrojtjen e Zotit dhe premtimi i Tij është i vërtetë:

إِنَّا نَحۡنُ نَزَّلۡنَا ٱلذِّكۡرَ وَإِنَّا لَهُۥ لَحَٰفِظُونَ

Sigurisht, Ne e kemi shpallur Kuranin dhe sigurisht, Ne do ta ruajmë atë”.[3]

Të nderuar besimtarë!

Kur’ani Famëlartë, fton të gjithë njerëzimin në udhëzim dhe në shpëtimin e përjetshëm. Ai na mëson neve detyrat dhe përgjegjësitë tona ndaj Zotit, mjedisit dhe të gjithë universit. Ai na shpjegon dispozitat jetëdhënëse të Islamit. Ai na tregon rrugët e dijes dhe urtësisë, mirësisë dhe bukurisë. Ai na informon mbi parimet e paqes dhe stabilitetit, drejtësisë dhe të jetuarit së bashku. Ai na urdhëron që ta konsiderojmë nderin dhe dinjitetin njerëzor, të drejtat dhe lirinë si të shenjta.

Myslimanët, të udhëhequr nga Kur’ani Famëlartë, gjatë historisë kanë paraqitur shembujt më të mirë të të jetuarit së bashku me besime dhe kultura të ndryshme në paqe dhe qetësi. Anëtarët e feve të ndryshme e kanë praktikuar fenë e tyre lirisht nën administrimin dhe mbrojtjen e myslimanëve. Allahu xh. sh. duke urdhëruar se

  لَآ إِكۡرَاهَ فِي ٱلدِّينِۖ

“S’ka detyrim në fe”[4] i ka dhënë çdo personi lirinë e besimit.  Në qytetërimin islam, nuk ekzistojnë gjëra të tilla si fyerja e besimeve të të tjerëve apo dëmtimi i gjërave të shenjta të besimeve të tjera. Kjo çështje është shprehur kështu në Kur’anin Famëlartë:

وَلَا تَسُبُّواْ ٱلَّذِينَ يَدۡعُونَ مِن دُونِ ٱللَّهِ فَيَسُبُّواْ ٱللَّهَ عَدۡوَۢا بِغَيۡرِ عِلۡمٖۗ

Mos i shani idhujt që ata i adhurojnë në vend të Allahut, në mënyrë që ata të mos e shajnë Allahun armiqësisht nga padija”.[5]

Të nderuar vëllezër e motra!

Sulmet e shëmtuara që bëhen herë herë kundër Kuranit dhe Islamit synojnë jo vetëm myslimanët, por të gjitha vlerat e përbashkëta të njerëzimit dhe paqes humane. Dëmtimi i dinjitetit njerëzor, sulmi ndaj vlerave të shenjta, mohimi i të drejtave dhe hakut nuk mund të normalizohen nën petkun e lirisë së shprehjes. Liria e shprehjes nuk mund ta bëjë të pafajshëm fyerjen e asnjë besimi ose anëtarët e atij besimi. Liria nuk i jep askujt autoritetin për të shkelur të drejtat e tjetrit. Përkundrazi, liria kërkon respektimin e bindjeve dhe mendimeve të secilit dhe respektimin e të drejtave dhe ligjeve të të tjerëve, pavarësisht nga dallimet. Prandaj, është detyrë e përbashkët jo vetëm e muslimanëve, por e mbarë njerëzimit që të qëndrojmë kundër sulmeve të tilla të neveritshme ndaj besimit dhe vlerave të shenjta.

Në këtë kontekst, përgjigja më e mirë ndaj sulmeve kundër Islamit dhe vlerave të tij të vyera është që ta mësojmë dhe përfaqësojmë fenë tonë madhështore, Islamin, në mënyrën më të saktë. Për këtë arsye, duhet të punojmë më shumë për të lexuar, kuptuar, jetuar dhe mbajtur gjallë Kur’anin. Duhet të bëjmë më shumë përpjekje për t’i përcjellë me një gjuhë të mençur dhe stil të bukur parimet e tij jetëdhënëse, konceptin e tij për të drejtën dhe drejtësinë dhe mesazhet e tij plot paqe.

Hytben po e mbyllim me ajetin Kuranor ku Allahu xh. sh. thotë:

يُرِيدُونَ لِيُطۡفِـُٔواْ نُورَ ٱللَّهِ بِأَفۡوَٰهِهِمۡ وَٱللَّهُ مُتِمُّ نُورِهِۦ وَلَوۡ كَرِهَ ٱلۡكَٰفِرُونَ

 

Ata dëshirojnë të fikin dritën e Allahut me gojën e tyre, por Allahu e përsos dritën e Vet, edhe nëse (këtë gjë) e urrejnë jobesimtarët”.[6]

[1] Ibrahim, 1.

[2] Nesai, I’dejn, 22.

[3] Hixhr, 9.

[4] Bekare, 256.

[5] En’am, 108.

[6] Saff, 8.