
Të Nderuar Besimtarë!
Një nga qëllimet themelore të fesë sonë fisnike, është të ndërtojë një shoqëri të përbërë nga njerëz të virtytshëm, të cilët duhen për hir të Allahut, e ndihmojnë njëri-tjetrin dhe garojnë në punë të mira. Islami na e ka treguar rrugën për arritjen e kësaj. Kjo rrugë është ndjenja e altruizmit, e cila është e bazuar mbi themelin e dashurisë dhe vëllazërisë, dhe e cila, e pastron njeriun nga veset e këqija si egoizmi, kopracia dhe zilia.
Besimtarë të Dashur!
Altruizmi është përpjekja për të plotësuar nevojat e njerëzve brenda mundësive tona, duke synuar vetëm kënaqësinë e Allahut. Është të mendosh për të tjerët, po aq, madje edhe më shumë, sesa mendojmë për veten tonë. Altruizmi është aftësia për t’ua mbajtur zemrën të gëzuar prindërve, bashkëshortëve dhe fëmijëve tanë, me dhembshuri, mëshirë dhe durim. Është lehtësimi i jetës së vëllezërve dhe motrave me aftësi të kufizuara; bërja syri i atij që nuk sheh, gjuha e atij që nuk flet, veshi i atij që nuk dëgjon, këmba e atij që nuk ecën dhe dora e atij që nuk mban. Kjo ndjenjë është të hequrit dorë, herë nga pasuria dhe herë nga rehatia, me qëllim që shoqëria në të cilën jetojmë, madje edhe mbarë njerëzimi, të arrijë mirësinë dhe të mirën. Ndjenja altruiste është të qëndrosh pranë fqinjëve, pranë të afërmve, e nganjëherë pranë vëllezërve tanë të shtypur në botë, duke mos ua kursyer mbështetjen tonë materiale e shpirtërore. Dhe kur të jetë e nevojshme, kjo ndjenjë ëhtë bërja e sakrificës sublime për hir të fesë, atdheut dhe gjërave të shenjta.
Besimtarë Të Nderuar!
Shembujt më të bukur të sakrificës dhe vetëmohimit, ne i kemi mësuar nga Pejgamberi (a. s.) dhe shokët e tij të nderuar. Ata u përballën me të gjitha vështirësitë, punuan me të gjitha forcat që zemrat e njerëzve të ngroheshin me Islamin dhe gjithmonë i janë lutur Zotit për ta. E thënë ndryshe, ata u shndërruan në shembuj të gjallë të ajeteve: “Ata janë që për hir të Tij u japin ushqim të varfërve, jetimëve dhe të zënëve robër. Ne po ju ushqejmë vetëm për hir të All-llahut dhe prej jush nuk kërkojmë ndonjë shpërblim e as falënderim”.[1]
Të Dashur Besimtarë!
Profeti i nderuar (a. s.) thotë në një hadith se: لَا يُؤْمِنُ أَحَدُكُمْ حَتَّى يُحِبَّ لِأَخِيهِ مَا يُحِبُّ لِنَفْسِهِ“Askush prej jush nuk mund të jetë besimtar i vërtetë derisa të dëshirojë për vëllanë e tij atë që dëshiron për veten e tij”.[2] Në këtë kontekst, ne jemi dëshmitarë të shumë sjelljeve që sot mund të duken të thjeshta, por që mund të zgjidhen përmes moralit të altruizmit. Është një situatë vërtet për t’u marrë si mësim: Nga njëra anë, njerëzit garojnë për t’i ofruar tjetrit ushqim dhe shërbim, ndërsa nga ana tjetër, nuk i hapin rrugën në trafik, madje debatojnë për këtë, pengojnë kalimin e ambulancave dhe mjeteve të zjarrfikësve, shkelin korsinë e emergjencës dhe parkojnë automjetet e tyre në vendet e rezervuara për personat me aftësi të kufizuara. Është një pamje e cila na fton për reflektim: Ata që ecin majë gishtash dhe flasin me pëshpëritje në shtëpitë e tyre kur fëmijët po flenë apo kur kanë të sëmurë, naga ana tjetër hapin volumin e televizorit apo të muzikës deri në fund, duke shqetësuar kështu fqinjët dhe të sëmurët. Sa gjendje e hidhur është kjo: Ata që janë shumë të kujdesshëm për të blerë diçka për vete apo për të çuar ushqim të shëndetshëm në shtëpi, fshehin të metat e mallit që shesin, ndërrojnë etiketat e produkteve me afat të skaduar dhe humbasin ndjeshmërinë për hallallin dhe haramin. Është një çështje vërtet trishtuese: Fakti që personi, në mjetet e transportit publik, i jep përparësi rehatisë së vet duke lënë pas dore të sëmurët, gratë shtatzëna dhe të moshuarit.
Të Nderuar Besimtarë!
Thelbi i altruizmit dhe i vetëmohimit është t’i përgjigjesh thirrjes hyjnore وَتَعَاوَنُواْ عَلَى ٱلۡبِرِّ وَٱلتَّقۡوَىٰۖ “Ndihmoni njëri-tjetrit në punë të mira dhe në të ruajturit nga të këqijat”[3], duke nxituar në ndihmë të atyre që kanë nevojë kudo që të jenë, dhe duke e bërë jetën të jetueshme për njëri-tjetrin. E gjitha kjo, do të thotë të sjellësh paqe dhe lumturi në çdo zemër dhe të jesh i pranishëm në lutjen e një jetimi ose në buzëqeshjen e një nevojtari.
Hutben e ditës së sotme dua ta përfundoj duke përmendur hadithin e nderuar të Pejgamberit (a. s.): “Allahu është në ndihmë të robit përderisa robi është në ndihmë të vëllait të tij”.[4]
[1] Insan: 8-9.
[2] Buhariu: Iman, 7.
[3] Maide: 2.
[4] Ebu Daud: Edeb, 60.