Transmetohet nga Ebu Hurejre r.a. se:
أَنَّ رَجُلاً قَالَ لِلنَّبِىِّ صلى الله عليه وسلم أَوْصِنِى . قَالَ ” لاَ تَغْضَبْ ” . فَرَدَّدَ مِرَارًا ، قَالَ “لاَ تَغْضَبْ
“Një ditë, një njeri erdhi te Pejgamberi a.s. i tha: -Më këshillo! Pejgamberi a.s. i tha:-Mos u nxeh! Burri e përsëriti kërkesën disa herë, por Pejgamberi a.s. çdo herë iu përgjigj: -Mos u nxeh!”[1]
Ne jemi njerëz dhe për shkak të natyrës sonë ndonjëherë ndihemi të lumtur e ndonjëherë të mërzitur. Ndonjëherë veprojmë me qetësi e ndonjëherë sillemi të zemëruar. Detyra jonë nuk është të jemi skllav të emocioneve negative, por ta bëjmë jetën kuptimplotë me cilësi të mira.
Besimtarë të nderuar!
Një ndër emocionet që ne kemi si njerëz është zemërimi. Nëse zemërimi përdoret siç duhet, ai na ndihmon të pengojmë sulmet ndaj familjes, shoqërisë dhe vlerave tona. Megjithatë, të qenit peng i zemërimit shkakton probleme të pariparueshme në jetën tonë. Zemërimi i pakontrolluar të largon nga mëshira e Zotit dhe dashuria e njerëzve. Dorëzimi ndaj zemërimit shkakton dhunë, trazira dhe kaos në shoqëri.
Zemërimi i besimtarit është në anën e së vërtetës dhe kundër gënjeshtrës. Zemërimi i besimtarit është miku i të shtypurit dhe armiku i zullumqarit. Zemërimi i besimtarit është dhembshuri dhe mëshirë për të mirën dhe pengesë për të keqen. Me pak fjalë, zemërimi i besimtarit është çelës për të mirën dhe kyç për të keqen.
Kur zemërimi mbulon mendjen, perceptimi dhe vetëdija zhduken. Në këtë situatë, sytë nuk shohin e veshët nuk dëgjojnë. Kur zemërimi rrethon zemrën, ndjenjat verbohen dhe zemra ngurtësohet, pakësohet dashuria dhe respekti e shtohet dhuna dhe urrejtja. Kur zemërimi dominon shpirtin, durimi dhe toleranca zhduken, gjuha bëhet lënduese e si përfundim në këtë situatë njeriu bëhet shkatërrues.
Të nderuar besimtarë!
Fatkeqësisht, gjithnjë e më shumë dëgjojmë lajme hidhëruese të njerëzve që bien pre e zemërimit të tyre. Zemërimi shkakton shumë ngjarje të trishtueshme në familje, në rrjetet sociale, në trafik dhe në fusha të ndryshme të jetës. Në një moment zemërimi prishen lidhjet farefisnore, miqësore dhe vëllazërimi, duke lënë pas mëri, urrejtje dhe armiqësi. Si përfundim, në këto raste shpërbëhen familjet, shuhen vatrat, humbasin jetët dhe zhduken shpresat.
Allahu i Lartmadhëruar në Kur’an thotë:
وَالَّذِينَ يَجْتَنِبُونَ كَبَائِرَ الْإِثْمِ وَالْفَوَاحِشَ وَإِذَا مَا غَضِبُوا هُمْ يَغْفِرُونَ
“Dhe ata që u shmangën mëkateve të mëdha e të shëmtuara, dhe kur hidhërohen, ata falin”.[2] Pra, le ta bëjmë dhembshurinë mburojë ndaj zemërimit, le ta trajtojmë çdo krijesë me dhembshuri. Le të qëndrojmë larg çdo forme dhune, urrejtjeje dhe tiranie. Le të shmangim të qenit skllevër të zemërimit e në vend të kësaj të zgjedhim rrugën e mëshirës e të faljes. Le t’i pastrojmë zemrat tona nga armiqësia, mëria dhe hakmarrja.
Besimtarë të nderuar!
I Dërguari i Allahut a.s. në një hadith të njohur thotë:
” لَيْسَ الشَّدِيدُ بِالصُّرَعَةِ إِنَّمَا الشَّدِيدُ الَّذِى يَمْلِكُ نَفْسَهُ عِنْدَ الْغَضَبِ “
“Mundësi i vërtetë nuk është ai që mund kundërshtarin e tij në mundje, por ai që kontrollon veten kur zemërohet/hidherohet”.[3] Atëherë, le ta frenojmë zemërimin tonë me durim.
Le të jemi të palëkundur dhe të ruajmë gjakftohtësinë tonë në kohë fatkeqësish dhe të strehohemi tek Allahu përballë vështirësive. Kur të zemërohemi, le të veprojmë siç na ka mësuar Profeti a.s. duke thënë: اَعُوذُ بِا للَّٰهِ مِـنَ الشَّيْطَانِ الرَّجِيــمِ “Kërkoj mbrojtje tek Allahu nga shejtani i mallkaur”. Nëse kemi mundësi, le të marrim abdes. Le të përpiqemi të largojmë zemërimin tonë duke u ulur nëse jemi në këmbë, ose duke u shtrirë nëse jemi ulur.[4]
Ta mbyllim hutben me kuptimin e ajetit vijues, në të cilin Zoti ynë i Plotfuqishëm përshkruan robërit e Tij të devotshëm:
الَّذِينَ يُنْفِقُونَ فِي السَّرَّاءِ وَالضَّرَّاءِ وَالْكَاظِمِينَ الْغَيْظَ وَالْعَافِينَ عَنِ النَّاسِ ۗ وَاللَّهُ يُحِبُّ الْمُحْسِنِينَ
“Të cilët japin kur janë në rehati dhe kur janë në vështirësi dhe që e frenojnë mllefin, që u falin (keqen) njerëzve, e All-llahu i do bamirësit”.[5]
[1] Buhari, Edeb, 76.
[2] Shura, 37.
[3] Buhari, Edeb, 76; Muslim, Birr, 107.
[4] Buhari, Edeb, 44; Ebu Davud, Edeb, 3.
[5] Ali Imran, 134.