Qendra MINBER

Islami: Qytetërim Vakëfi

Home » Islami: Qytetërim Vakëfi

 

Të nderuar besimtarë!

Një ndër institucionet e rëndësishme që feja Islame ka ndërtuar është “institucioni i vakëfit”. Vakëfi është dedikimi i begative që kemi vetëm për hir të Allahut, në shërbimin dhe të mirën e njerëzve dhe të gjithë krijesave. Vakëfi është një ndër mënyrat për ti përdorur mundësitë që Allahu xh.sh. na i ka dhënë amanet, si çelës për në xhennet. Vakëfi, është organizim bamirësie që bazohet në botëkuptimin se “Më i miri prej njerëzve është ai që bën dobi për ta”. Ky institucion është një burim mirësie që nuk ndalet kurrë.

Vakëfet janë institucione që i mbajnë kombet në këmbë. Vakëfet përforcojnë unitetin dhe bashkëjetesën. Ato mbështesin virtyte si ndarja e të mirave me nevojtarët, ndihma ndaj njëri-tjetrit dhe solidariteti. Ato ndërtojnë një shoqëri të sigurt dhe paqësore. Vakëfet, kultivojnë farat e dhembshurisë dhe mëshirës në sferën e ekzistencës dhe kontribuojnë në zhvillimin dhe përhapjen e shkencës dhe dijes, kulturës dhe artit. Ato ndërtojnë ura bamirësie dhe mirësie midis të pasurve dhe të varfërve si dhe luajnë rol instrumental në ngritjen e një qytetërimi që do të sigurojë drejtësi, ndërgjegje, meritë dhe jetë njerëzore në tokë.

Të nderuar besimtarë!

Në Islam, ngritja e vakëfeve është inkurajuar gjithmonë dhe ata që kanë qenë iniciatorë dhe kanë mbështetur këto institucione bamirësie janë lavdëruar gjithashtu. Paraardhësit tanë, të cilët ishin të vetëdijshëm për këtë të vërtetë, ndërtuan xhami, medrese, spitale, mensa për të varfrit, biblioteka, ura dhe çezme. Vakëfet e ngritura nga e kaluara deri në të tashmen kanë qenë strehë për të pamundurit, jetimët, dhe të moshuarit. Ato kanë qenë shpresë për nevojtarët, njerëzit me halle si dhe kanë ndihmuar të rinjtë në fazën e martesës. Në historinë islame, kultura e vakëfeve ka qenë aq e rëndësishme saqë janë ngritur edhe vakëfe për tu shërbyer zogjve shtegtarë.

Në këtë kontekst është transmetuar nga Pejgamberi a.s. të ketë thënë se:

« إِذَا مَاتَ الإِنْسَانُ انْقَطَعَ عَنْهُ عَمَلُهُ إِلاَّ مِنْ ثَلاَثَةٍ إِلاَّ مِنْ صَدَقَةٍ جَارِيَةٍ أَوْ عِلْمٍ يُنْتَفَعُ بِهِ أَوْ وَلَدٍ صَالِحٍ يَدْعُو لَهُ »

Kur njeriu vdes, veprat e tij ndërpriten, përveç tre gjërave: sadakasë së vazhdueshme (es-sadakatu el-xharije), diturisë që përfitohet prej saj, ose fëmijës mirë që lutet për të”.[1] Besimtarët e lidhur sinqerisht me këtë hadith të të Dërguarit të Allahut a.s., me anë të vakëfeve që kanë ngritur, vazhdojnë të japin shërbime të dobishme anembanë botës.  I lutemi Allahut Fuqiplotë që të ketë mëshirë për të gjithë vëllezërit tanë që janë iniciatorë dhe mbështetës të vakëfeve, për ata që kanë ndërruar jetë dhe t’u dhurojë shëndet dhe mirëqenie atyre që janë ende gjallë.

Të nderuar besimtarë!

Në ajetin që lexuam mësipër, Allahu xh.sh. na urdhëron si vijon: “Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira dhe në të ruajturit nga të këqijat dhe jo në gjynahe dhe armiqësi![2] Besimtari duke patur si qëllim përfitimin e kënaqësisë së Allahut xh.sh. duke ngritur vakëfe dhe kontribuar për to, duhet të përpiqet të sjell shpresë për njerëzit në nevojë dhe të privuar, pavarësisht besimit, gjuhës dhe ngjyrës së tyre. Duhet munduar që fëmijët ti rrisim dhe edukojmë si individë besnik ndaj vlerave fetare dhe shpirtërore si dhe të dobishëm për mjedisin, shoqërinë dhe njerëzimin.

Qytetërimi islam është qytetërim vakëfesh. Vakëfet kanë ekzistuar vazhdimisht që nga periudha e Profetit a.s. deri në ditët tona. Ajo që kemi ne për detyrë, është që tu dalim për zot vakëfeve dhe tu sigurojmë vazhdimësi atyre. Pasuritë e vakëfeve duhet që ti përdorim në përputhje me qëllimin që janë lënë si vakëf. Gjithashtu duhet të distancohemi prej çdo veprimi që cënon dhe dëmton pasuritë e vakëfeve.

 

 

[1] Muslimi: Uasij-je, 14.

[2] Maide: 2.