Të nderuar besimtarë!
Allahu xh.sh. në Kur’anin Famëlartë thotë:
إِنَّ أَوَّلَ بَيْتٍ وُضِعَ لِلنَّاسِ لَلَّذِي بِبَكَّةَ مُبَارَكًا وَهُدًى لِلْعَالَمِينَ
فِيهِ آيَاتٌ بَيِّنَاتٌ مَقَامُ إِبْرَاهِيمَ ۖ وَمَنْ دَخَلَهُ كَانَ آمِنًا ۗ وَلِلَّهِ عَلَى النَّاسِ حِجُّ الْبَيْتِ مَنِ اسْتَطَاعَ إِلَيْهِ سَبِيلًا ۚ وَمَنْ كَفَرَ فَإِنَّ اللَّهَ غَنِيٌّ عَنِ الْعَالَمِينَ
“Shtëpia (xhamia) e parë e ndërtuar për njerëz, është ajo në Bekë (Mekke), e dobishme, udhërrëfyese për mbarë njerëzimin. Aty ka shenja të qarta: vendi i Ibrahimit dhe kush hyn në të është i sigurt. Për hir të All-llahut, vizita e shtëpisë (Qabes) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi te ajo, e kush nuk e beson (ai nuk e viziton); All-llahu nuk është i nevojshëm për (ibadetin që e bëjnë) njerëzit”. [1]
Haxhi, sipas haditheve të Profetit a.s., është një nga pesë parimet bazë mbi të cilat është ndërtuar Islami. Haxhi përfshin tavafin rreth Qabes dhe qëndrimin në Arafat për të fituar pëlqimin e Zotit të Madhëruar. Është takimi i besimtarëve që mblidhen në Mekë nga e gjithë bota në një udhëtim të bekuar, nën hijen e Qabes, të cilës i drejtohemi pesë herë në ditë gjatë faljes së namazit. Besimtarëve që nisen për të vizituar shtëpinë e Allahut në Kur’an u drejtohet si më poshtë:
الْحَجُّ أَشْهُرٌ مَعْلُومَاتٌ ۚ فَمَنْ فَرَضَ فِيهِنَّ الْحَجَّ فَلَا رَفَثَ وَلَا فُسُوقَ وَلَا جِدَالَ فِي الْحَجِّ ۗ وَمَا تَفْعَلُوا مِنْ خَيْرٍ يَعْلَمْهُ اللَّهُ ۗ وَتَزَوَّدُوا فَإِنَّ خَيْرَ الزَّادِ التَّقْوَىٰ ۚ وَاتَّقُونِ يَا أُولِي الْأَلْبَابِ
“Haxhi është në muajt e caktuar e kush bën (ia fillon të zbatojë) haxhin në këta muaj, nuk duhet t’i afrohet gruas, nuk bën të marrë nëpër këmbë dispozitat e sheriatit, as nuk duhet të shkaktojë grindje. Çka punoni nga e mira, All-llahu di për to. Dhe përgatituni me furnizim (për rrugë), e furnizimi më i mirë është devotshmëria, e ju të zotët e mendjes më kini frikë Mua”.[2]
Të nderuar besimtarë,
Muslimani që ka për qëllim të kryejë haxhin dhe niset për udhëtim, me trup vesh ihramin ndërsa me shpirt vesh petkun e devotshmërisë. Ai premton t’u bindet urdhrave të Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe të qëndrojë larg çdo lloj mëkati, të keqeje dhe veprimi të shëmtuar. Besimtari në haxh, lutet bashkë me besimtarët e tjerë, ngjyrat, gjuhët dhe vendet e të cilëve janë të ndryshme, por qëllimet janë të njëjta, duke thënë:
T’u përgjigja! T’u përgjigja o Allah, t’u përgjigja! e Ti s’ke asnjë ortak! T’u përgjigja! Me të vërtetë lavdet janë për Ty, kjo mirësi është nga Ty, pushteti është vetëm i Yti dhe Ti s’ke asnjë ortak.
Profeti jonë i nderuar a.s. thotë se:
« مَا مِنْ مُسْلِمٍ يُلَبِّى إِلاَّ لَبَّى مَنْ عَنْ يَمِينِهِ أَوْ عَنْ شِمَالِهِ مِنْ حَجَرٍ أَوْ شَجَرٍ أَوْ مَدَرٍ حَتَّى تَنْقَطِعَ الأَرْضُ مِنْ هَا هُنَا وَهَا هُنَا »
“…Gurët, pemët dhe madje edhe dheu shoqërojnë zërin e besimtarit duke recituar telbije…“.[3] Pra një kor i mrekullueshëm i universit lutet bashkë me haxhinjtë.
Të nderuar besimtarë!
Përgëzimi i Pejgamberit a.s. se:
وَالْحَجُّ الْمَبْرُورُ لَيْسَ لَهُ جَزاءٌ إِلا الجنَّةُ
“Shpërblimi i haxhit mebrur/të pranuar është vetëm Xheneti”[4], gjen përgjigje në zemrat e çdo muslimani që plotëson haxhin hap pas hapi. Haxhinjtë që duan të marrin këtë përgëzim të mirë, shkojnë në Arafat. Arafat do të thotë të njohësh të vërtetën, të arrish dituri dhe të marrësh veten në llogari para vdekjes.
Haxhinjtë që pas qëndrimit në Arafat zbresin në Muzdelife në masë, kalojnë nga këtu në Mina. Më pas, në Muzdelife ndërgjegjësohen duke qëndruar në praninë e Allahut për herë të dytë; ndërsa Mina, nga ana tjetër, do të thotë të braktisësh kënaqësitë e kësaj bote dhe të shpresosh vetëm në kënaqësinë e Zotit.
Besimtari që e gjuan me gurë djallin në xhemerat, në të vërtetë gjuan me gurë ambicien dhe pasionet e tij, të cilat e ftojnë në mëkat, së bashku me djallin. Haxhiu pastaj, niset drejt Qabesë për të bërë tavafin. Kështu, haxhiu e kthen shikimin kah Qabja dhe zemrën e tij tek Zoti.
Kurbanet e bëra gjatë haxhit janë shenja të Allahut. Megjithatë, as mishi dhe as gjaku i kafshëve të therura nuk do të arrijnë te Zoti xh.sh. Përkundrazi, tek Ai do ta arrijë vetëm devotshmëria jonë.
Të nderuar besimtarë!
Haxhi, është një pikë kthese për besimtarin. Haxhiu, me plotësimin e haxhit, vesh besnikërinë e Ibrahimit a.s., nënshtrimin e Ismailit a.s. dhe besimin e Haxheres r.a. Ashtu si ata, besimtari është i përkushtuar për të sakrifikuar jetën e tij për hir të Zotit. Çdo haxhi që shkel nëpër vendet ku gjenden gjurmët e Profetit a.s., në të njëjtën kohë përjeton durim, mirënjohje dhe paqe. Besimtari, i cili e mbush veten me furnizime të devotshmërisë në këtë udhëtim të shenjtë, duhet të qëndrojë larg çdo lloj fjale të keqe dhe sjellje negative për të mos i konsumuar furnizimet e tij. Gjatë kryerjes së haxhit, nuk duhet lënduar asnjë gjallesë dhe nuk duhet dëmtuar natyra. Haxhiu që largohet nga vendet e shenjta, duke lënë pas gabimet dhe mëkatet që ka bërë deri në atë ditë, nuk duhet t’u kthehet kurrë këtyre gabimeve në jetën e tij të mbetur.
Hutben le ta përfundojmë me hadithin e Pejgamberit a.s. ku thotë:
« الْحُجَّاجُ وَالْعُمَّارُ وَفْدُ اللَّهِ إِنْ دَعَوْهُ أَجَابَهُمْ وَإِنِ اسْتَغْفَرُوهُ غَفَرَ لَهُمْ »
“Ata që shkojnë në haxh dhe ata që shkojnë në umre janë mysafir të Allahut. Nëse i luten Allahut, Allahu ua pranon lutjet dhe nëse e lusin Allahun që t’ua falë mëkatet, Allahu do t’ua falë mëkatet.[5]
[1] Ali Imran, 96-97.
[2] Bekare, 197.
[3] Muslimi, Haxh’xh, 19, 21.
[4] Buhari, Umre, 1.
[5] Ibn Maxhe’, Menasik, 5.