Qendra MINBER

Gjuha: një dhuratë apo sprovë

Home » Gjuha: një dhuratë apo sprovë

 

 

 

 

 

 

 

Të nderuar besimtarë!

Pejgamberi a.s. i tha njërit prej Sahabeve të nderuar Muadh bin Xhebelit si vijon: “A të tregoj se çfarë e plotëson dhe e përsos fenë tuaj?” – dhe duke prekur gjuhën e tij me gisht shtoi: “Dili për zot kësaj!”. Pasi dëgjoi këto, Muadh bin Xhebeli e pyeti: “O i Dërguari i Allahut! A do të merremi në llogari edhe për fjalët tona që flasim?” Muhamedi a.s. iu përgjigj: “A nuk është ajo që njerëzit fitojnë me gjuhët e tyre që i tërheq zvarrë në xhehennem?. [1]

Gjuha është një dhuratë e madhe nga Allahu i Lartmadhëruar, por është edhe një sprovë e vështirë. Ajo pasqyron mendimet dhe zemrën tonë, mund të ndërtojë apo të shkatërrojë, të sjellë paqe apo përçarje. Ajo që është në zemrat tona zbulohet përmes saj. Ndjenjat dhe mendimet vijnë në jetë po me anë të saj. Edhe pse është e vogël, veprat e mira dhe të këqija që bën ajo, janë të mëdha. Aq sa, fjalët që dalin nga gjuha mund të jenë shkak për shpëtimin ose humbjen e personit. Ka fjalë që me to ndërtohet ambienti familjar i ngrohtë që çon në paqe dhe lumturi, por ka dhe fjalë që shuajnë vatrat dhe hapin plagë të pariparueshme. Ka fjalë që ndërtojnë ura nga zemra në zemër e sjellin buzëqeshje në fytyrën e jetimit dhe zgjidhje për problemin e nevojtarit. Ka fjalë që bëhen telashe dhe i rëndojnë njerëzit, duke i penguar ata ti zej edhe gjumi i natës. Por nga ana tjetër ka thënie që mund të sjellë lehtësim për zemrat që kanë humbur shpresën dhe të shpëtojnë shpirtat nga robëria e zakoneve të dëmshme. Ka edhe fjalë që e çojnë njeriun në mëkat dhe e privojnë atë nga mëshira dhe dhembshuria e Zotit.

 

Të nderuar besimtarë!

Gjuha siç ka merita dhe aftësitë ka edhe fatkeqësitë. Mohimi i ekzistencës dhe njëshmërisë së Allahut, përfshirja në politeizëm, braktisja e së vërtetës dhe përqafimi i gënjeshtrës janë ndër fatkeqësitë më të mëdha të gjuhës. Shpifja ndaj një personi të pafajshëm, harxhimi i frymëmarrjeve tona të kufizuara me thashetheme dhe përhapjen e fjalëve për të krijuar përçarje midis njerëzve janë të gjitha dëme të gjuhës. Të fyesh dinjitetin dhe personalitetin e një personi, qoftë edhe me shaka, është prishje e gjuhës. Pejgamberi a.s. na urdhëron që të kujdesemi për gjuhën dhe të folurit tonë duke thënë:

مَنْ كَانَ يُؤْمِنُ بِا للّٰهِ وَالْيَوْمِ الْآخِرِ فَلْيَقُلْ خَيْرًا أَوْ لِيَصْمُتْ

Kush beson Allahun dhe Ditën e Ahiretit, ose të flas mirë ose të heshtë![2]                                                                                

Dëmet e gjuhës nuk kufizohen vetëm me jetën reale. Gjithashtu ka shumë mëkate të shkaktuara nga gjuha në platformat e mediave digjitale. Ashtu siç janë të ndaluara në jetën reale, veset si gënjeshtra, shpifja, tallja dhe gjuha fyese po ashtu janë mëkate dhe të ndaluara edhe në botën virtuale. Çdo lloj deklarate e pavërtetë, që tjetërson, ofendon apo cenon dinjitetin e njerëzve konsiderohet shkelje e hakut të njeriut, si në komunikimin real ashtu edhe në atë virtual. Ashtu siç është mëkat i madh ndarja e informacioneve që nuk jemi të sigurt për saktësinë e tyre në jetën shoqërore, është gjithashtu mëkat i madh ti ndajmë ato në mediat dixhitale.

Të nderuar besimtarë!

Në ajetin që lexuam në hyrje të hytbes Allahu xh. sh. Thotë:

مَّا يَلۡفِظُ مِن قَوۡلٍ إِلَّا لَدَيۡهِ رَقِيبٌ عَتِيدٞ

 

dhe, për çdo fjalë që ai thotë, ka pranë vetes një mbikëqyrës të gatshëm (për ta shënuar atë)”.[3] Prandaj le të jemi të kujdesshëm për çdo fjalë që na del nga goja. Le të shmangim çdo lloj shprehje që thyen lidhjet e respektit dhe dashurisë midis njerëzve dhe shkakton urrejtje e armiqësi. Të mos dëmtojmë askënd me fjalët tona si në familje, në marrëdhëniet fqinjësore e farefisnore, në punë, në trafik, me pak fjalë, në asnjë fushë të jetës. Le të jemi muslimanë nga duart dhe gjuha e të cilëve njerëzit janë të sigurt. Prandaj le të pasqyrojmë bukurinë e Islamit edhe me gjuhën tonë. Hadithin e Pejgamberi a.s. ku thotë se:

اَلْكَلِمَةُ الطَّيِّبَةُ صَدَقَةٌ

Fjala e mirë është sadaka/lëmoshë”, duhet ta vlerësojmë si princip në jetën e komunikimit dhe të folurit. Fjalët dhe shprehjet e besimtarit duhet ti ringjallin zemrat e ti qetësojnë shpirtrat.

 

 

[1] Tirmidhiu, Iman, 8.

[2] Buhariu, Rikak, 23.

[3] Kaf, 18.