Qendra MINBER

Familja – Strehë e sigurisë, besnikërisë dhe mëshirës

Home » Familja – Strehë e sigurisë, besnikërisë dhe mëshirës

Të nderuar besimtarë!

Ndër dhuntitë më të mëdha që Zoti ynë i Madhërishëm na ka dhënë është familja. Familja është shtëpia e sigurisë dhe besnikërisë, e themeluar nga një burrë dhe një grua të cilëve u lejohet martesa sipas urdhrit të Allahut dhe sunetit të Pejgamberit tonë Muhamed a.s. Familja bekohet me lindjen e fëmijëve dhe forcohet me prindërit, gjyshërit dhe nipërit.

Familja është vatra e dhembshurisë dhe mëshirës, siç përmendet në ajetin kuranor:

Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë.[1]

“وَمِنْ آيَاتِهِ أَنْ خَلَقَ لَكُمْ مِنْ أَنْفُسِكُمْ أَزْوَاجًا لِتَسْكُنُوا إِلَيْهَا وَجَعَلَ بَيْنَكُمْ مَوَدَّةً وَرَحْمَةً ۚ إِنَّ فِي ذَٰلِكَ لَآيَاتٍ لِقَوْمٍ يَتَفَكَّرُونَ”

Familja është institucioni i vetëm, që nuk mund të zëvendësohet dhe vendin e saj nuk mund ta zë asgjë tjetër.

 

Të nderuar muslimanë!

Zoti ynë i Madhërishëm në një ajet tjetër thotë:

Allahu ju ka dhënë shtëpi për të banuar[2]

“وَاللَّهُ جَعَلَ لَكُمْ مِنْ بُيُوتِكُمْ سَكَنًا…”

 

Në ndërtimin e një ambienti të qetë familjar, secili nga prindërit, nëna dhe babai, ka rol të rëndësishëm. Fëmijëve u nevojitet dhembshuria dhe përkujdesja e nënës po aq sa u nevojitet autoriteti dhe rregulli i babait. Pra, familja është burimi i lumturisë.

Për këtë arsye, edukimi dhe arsimimi i fëmijëve, rritja e tyre si individë të mirë nuk duhet t’u lihet vetëm edukatorëve, shkollave, televizorave, tabletave apo kompjuterave. Fëmijët që nuk gjejnë dashuri dhe mëshirë tek prindërit, kërkojnë siguri dhe dashuri në vende të tjera, çka mund të çojë në devijim të natyrës së tyre të pastër.

 

Të nderuar besimtarë!

Ruajtja e natyrës njerëzore arrihet vetëm përmes familjeve të vetëdijshme. Brezat që lidhen me vlerat e tyre shpirtërore dhe kombëtare lindin e rriten në mjedise familjare të besuara. Një shoqëri e fortë ndërtohet nga duar të familjeve që gëzojnë qetësi dhe stabilitet.

Prandaj, askush brenda familjes, çfarëdo pozite apo roli të ketë, nuk duhet të flasë apo të veprojë në mënyrë që të dëmtojë paqen familjare apo të cënojë rolin e nënës apo babait.

Të gjithë, burra e gra, të rinj e të moshuar, nuk duhet t’ia lejojnë vetes asnjë formë dhune ndaj njëri-tjetrit.

Pavarësisht justifikimeve, njeriu duhet të vetëdijesohet se nuk ka të drejtë të cenojë jetën që Allahu e ka ndaluar të preket.

Gjithashtu, të gjithë duhet të kuptojnë se të gjitha format e abuzimit, veçanërisht abuzimi seksual ndaj fëmijëve, i cili për fat të keq është bërë i përhapur, është një veprim i poshtër, i dënueshëm dhe imoral. Çdo formë e shfrytëzimit është e ndaluar dhe e papranueshme moralisht dhe nuk lejohet në asnjë mënyrë të cenohet privatësia dhe dinjiteti i asnjë fëmije.

 

Të nderuar besimtarë!

Pejgamberi i Allahut a.s në një hadith thotë: “Kushdo nga ju që ka mundësi të martohet, le të martohet, sepse martesa ndihmon për ruajtjen e shikimit dhe është mbrojtëse për nderin.[3]

Në të vërtetë, martesa është një nevojë thelbësore e natyrës njerëzore. Ajo përfaqëson një fillim të shenjtë që sjell paqe dhe lumturi në këtë botë dhe udhëheq drejt lumturisë së përjetshme në botën tjetër. Martesa është strehë e sigurt që ruan dinjitetin dhe pozitën e njeriut, e mbron atë nga e keqja dhe mëkatet.

Ajo është rruga më e sigurt për mbrojtjen e vetes dhe pasardhësve tanë, si dhe për ndërtimin e një shoqërie të pastër dhe të shëndoshë.

 

Prandaj, është detyrë fetare, morale dhe shoqërore që t’i mbështesim të rinjtë tanë në krijimin e një familjeje në mënyrë modeste, larg teprimit dhe shpenzimeve të panevojshme, kur të arrijnë moshën për martesë.

Paralajmërimi i Pejgamberit të Allahut a.s në këtë drejtim është i qartë dhe i prerë, kur thotë: “Martesa më e begatë është ajo që ka më pak kosto.[4]

Pra, martesa më e suksesshme dhe më e bekuar është ajo që ka kosto më të ulët dhe më pak komplikime.

Të dashur besimtarë!

Le ta kemi si parim fjalën e Pejgamberit tonë të ndershëm a.s: “Më i miri prej jush është ai që është më i mirë ndaj familjes së tij.[5]

Le të bëjmë që dashuria dhe mëshira, butësia dhe mirësjellja, të jenë tipare dominuese në familjet tona.

Të jemi më vigjilentë ndaj rrymave të dëmshme që rrezikojnë qenien e familjes dhe errësojnë të ardhmen tonë.

Të bashkohemi dorë për dore, zemër për zemër, për të kapërcyer çdo pengesë që pengon lumturinë tonë familjare, unitetin dhe vëllazërinë tonë.

Le të mos harrojmë se ruajtja e natyrshmërisë dhe forcimi i strukturës familjare nuk është vetëm përgjegjësi e nënës dhe babait, por është përgjegjësi e të gjithëve: individëve, institucioneve dhe organizatave. Të gjithë duhet ta përmbushin këtë detyrë me seriozitet dhe përkushtim.

Dhe për mbyllje, le të marrim këshillën e të Dërguarit tonë të dashur a.s: “Mjafton si mëkat për një njeri të neglizhojë ata që i ushqen.”[6]

 

[1] Rum, 30/21.

[2] Nahl, 16/80.

[3] Bukhari, Nikah, 3.

 

[4] Ibn Hanbal, VI, 83.

[5] Tirmidhi, Manaqib, 63.

[6] Abu Dawud, Zakat, 45.