Të nderuar besimtarë!
Allahu i Madhërishëm na ka krijuar në dy gjini, si mashkull dhe femër. Pastaj na ka dhuruar mirësinë e Tij për tu bërë familje me qëllim që shpirtërat dhe zemrat tona të gjejnë qetësi dhe paqe.
Familja është një bekim unik i dhënë nga Zoti i Plotfuqishëm. Është thesari më i çmuar që mund të kemi në jetë. Familja është institucioni më i lashtë që siguron vazhdimin e një brezi të pastër dhe ndërtimin e një shoqërie të sigurt. Është shkolla më e vlefshme ku formësohet besimi, karakteri dhe stili ynë i jetesës. Familja është një mjedis dashurie, paqeje dhe sigurie që mbrohet nga mëshira e Zotit dhe zhvillohet e bëhet e bukur me fëmijët që Ai jep.
Të jesh familje do të thotë që një burrë dhe një grua të formojnë strehën e tyre në një shtëpi përmes martesës legjitime. Me anë të martesës, dy jetë bëhen një e tërë dhe dy zemra bëhen një shpirt.
Sipas Kur’anit, të jesh familje do të thotë që t’i përmbahesh me gjithë zemër ajetit të Allahut xh. sh. ku thotë:
هُنَّ لِبَاسٌ لَكُمْ وَأَنْتُمْ لِبَاسٌ لَهُنَّ
“Ato janë petk për ju e ju jeni petk për ato”.[1]
Sipas këtij ajeti, bashkëshortët duhet të mbrojnë njëri-tjetrin ashtu si mbulon rroba dhe duhet të harmonizohen ashtu si një veshje.
Mbrojtja e familjes është po aq e rëndësishme sa të bëhesh familje. Mbrojtja e familjes do të thotë që bashkëshortët të lidhen me njëri-tjetrin me dhembshuri, mëshirë dhe besnikëri. Ata duhet ta mbrojnë njëri-tjetrin nga të gjitha llojet e mëkateve dhe ndalesave dhe të ruajnë dëlirësinë dhe nderin e tyre.
Të nderuar besimtarë!
Jetojmë në një kohë, ku lloj-lloj shkatërrimi kundër natyrës së njeriut dhe kundër institucionit të familjes, po përhapet me shpejtësi. Brenda politikave të qëllimshme kundër familjes, inkurajohet ideja se familja kufizon lirinë e një personi dhe se është më tërheqëse të jetosh vetëm pa marrë përsipër përgjegjësi. Ndërkaq, të qenit familje është urdhër i Zotit të Plotfuqishëm, sunet i Profetit a.s. dhe nevojë e natyrës njerëzore. Allahu në Kur’anin Famëlartë thotë:
وَمِنْ آيَاتِهِ أَنْ خَلَقَ لَكُمْ مِنْ أَنْفُسِكُمْ أَزْوَاجًا لِتَسْكُنُوا إِلَيْهَا وَجَعَلَ بَيْنَكُمْ مَوَدَّةً وَرَحْمَةً ۚ إِنَّ فِي ذَٰلِكَ لَآيَاتٍ لِقَوْمٍ يَتَفَكَّرُونَ
“Dhe nga faktet (e madhërisë së) e Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë. Në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë”.[2]
Ndërsa Profeti a.s. i nxit besimtarët që të formojnë familje duke thënë:
النِّكَاحُ مِنْ سُنَّتِى فَمَنْ لَمْ يَعْمَلْ بِسُنَّتِى فَلَيْسَ مِنِّى
“Nikahu/martesa është prej sunnetit tim. Ai që nuk vepron me sunnetin tim nuk është prej meje…”[3]
Si besimtarë, duhet të përmbahemi të gjithë pas parimeve jetëdhënëse të fesë sonë të madhe, Islamit. Le të përpiqemi të jetojmë një jetë të mirë familjare në përputhje me urdhrin e Zotit dhe natyrën tonë. Është jetësore që të përpiqemi të mbajmë gjallë institucionin e familjes dhe vlerat e saj, duke kontribuar në këtë drejtim. Të mos harrojmë se një shoqëri e shëndetshme, e fortë dhe paqësore është e mundur vetëm me një familje të formuar nga një burrë dhe një grua me një martesë legjitime. Në këtë kontekst, secili prej nesh ka detyra dhe përgjegjësi të veçanta në formimin, mbrojtjen dhe forcimin e institucionit të familjes.
Hutben do ta mbyllim me këtë dua që na mësohet në Kur’anin Famëlartë:
رَبَّنَا هَبْ لَنَا مِنْ أَزْوَاجِنَا وَذُرِّيَّاتِنَا قُرَّةَ أَعْيُنٍ وَاجْعَلْنَا لِلْمُتَّقِينَ إِمَامًا
“Zoti ynë, na bën që të jemi të gëzuar me (punën) e grave tona dhe pasardhësve tanë dhe na bëj shembull për të devotshmit”[4]
[1] Bekare, 187.
[2] Rum, 21.
[3] Ibën Maxhe, Nikah, 1.
[4] Furkan, 74.