Të nderuar besimtarë!
Zoti i krijoi burrat dhe gratë si krijesat më të vlefshme në tokë dhe i bëri ata bashkëshortë për njeri-tjetrin duke i pajisur me cilësi të ndryshme. Bashkë me këtë, në mënyrë që të mund të mbajmë së bashku barrën e jetës së kësaj bote dhe të gjejmë qetësi në njeri-tjetrin na ka dhënë begatinë e të qenit familje.
Familja është institucioni më i vaçantë që mbrohet me mëshirën e Allahut, shpëton njerëzit nga vetmia dhe siguron vazhdimësinë e brezave. Ajo është korniza më e vlefshme, mbi të cilën merr fomë besimi, personaliteti dhe mënyra e jetesës. Familja është si rrapi që rritet dhe bëhet më i bukur me fëmijët dhe lëshon rrënjë në të ardhmen me të rinjtë.
Hapi i parë drejtë familjes, është që një burrë dhe një grua përmes martesës legjitime të formojnë familjen. Ndërsa sekreti i të qenit familje është të ndash një jetë me të njëjtat ideale dhe ndjenja, në përputhje me vullnetin e Zotit. Allahu xh.sh. në ajetin:
هُنَّ لِبَاسٌ لَكُمْ وَاَنْتُمْ لِبَاسٌ لَهُنَّۜ
“…Ato janë petk për ju e ju jeni petk për ato”…[1]
na informon se na ka krijuar për ti dhënë besim dhe për ta mbrojtur njeri-tjetrin, si dhe për të jetuar në harmoni. Çdo individ, burrë dhe grua, duhet të lidhet me familjen e tij me dashuri, mëshirë dhe besnikëri. Secili duhet ta mbrojë familjen e tij nga të gjitha llojet e mëkateve, harameve, dhunës dhe kërcënimeve dhe të bëjë një jetë familjare të dëlirë dhe të ndershme.
Të nderuar besimtarë!
Jemi në një epokë, ku kërcënimet ndaj familjes janë në rritje dhe shkatërrimi kundër natyrës njerëzore po përhapet me shpejtësi. Jemi në një mjedis, ku familja portretizohet si pengesë për lirinë dhe nxitet ideja që, të jetosh vetëm pa marrë përgjegjësi është më tërheqëse. Por, duhet të kemi parasyshë se, krijimi i familjes është një domosdoshmëri e natyrës njerëzore. Ne jemi krijuar për të jetuar të lumtur brenda një familjeje. Është në natyrën tonë të dëshirojmë që familja të jetë në paqe e lidhjet tona familjare të jenë të forta. Prandaj, Pejgamberi a.s. që është shembulli më i lartë për ne si besimtarë, na këshillon që të formojmë familje dhe të sillemi me mirësi ndaj saj duke thënë:
خيرُكم خيرُكم لأهلِه، وأنا خيرُكم لأهلِه
“Më i miri prej jush është ai që sillet më së miri me familjen e tij. Dhe unë jam më i miri prej jush ndaj familjes time”.[2]
Ndërsa, Allahu i Lartëmadhëruar që na ka falur një dhunti kaq të veçantë siç është familja, na urdhëron që ta mbrojmë atë duke thënë:
يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ قُوٓاْ أَنفُسَكُمۡ وَأَهۡلِيكُمۡ نَارٗا وَقُودُهَا ٱلنَّاسُ وَٱلۡحِجَارَةُ
“O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët”.[3]
Të nderuar besimtarë!
Të rinjtë, që janë drita e syve dhe familjes gjithashtu janë edhe mundësia dhe pasuria jonë më e madhe që na forcojnë ne. Besimet, ëndrrat dhe idetë e tyre janë e ardhmja jonë. Prandaj, është detyra jonë të kuptojmë dhe të drejtojmë të rinjtë, mendjet e të cilëve janë të kthjellëta dhe ndjenjat e mendimet e tyre janë plot emocione. Sepse, për shkak të mungesës së përvojës dhe kuriozitetit, rinia është një periudhë në të cilën njeriu është i ekspozuar ndaj rreziqeve të ndryshme. Të rinjtë, të cilët rriten në një mjedis familjar të qetë dhe të ndërgjegjshëm, të besueshëm dhe të mbështetur nga feja, janë më të mbrojtur nga vorbullat e kësaj jete. Kur të arrijnë moshën e martesës, familjet e tyre duhet t’i ndihmojnë të krijojnë familje dhe të shohin të ardhmen me shpresë. Vazhdimi i brezave, bazohet te ata dhe drejtimi i punëve të kësaj jete do të realizohet nga të rinj që studiojnë, hulumtojnë dhe meditojnë.
Le të përjetojmë të gjithë paqen e të qenit familje, të cilën Zoti e ka bërë bekim për robërit e Tij. Le të mbrohemi nga rreziqet që mund të dëmtojnë natyrën tonë, duke u strehuar te urdhrat e Zotit dhe te familja, e cila është streha jonë e sigurt. Të mos sakrifikojmë familjen për interesa personale, kënaqësi të përkohshme dhe ideologji të çoroditura. Të lutemi për familjet që vuajnë në rajone të shtypura dhe për mijëra familje të coptuara në Gaza.
Hytben po e mbyllim me lutjen e shprehur në Kur’an:
رَبِّ أَوۡزِعۡنِيٓ أَنۡ أَشۡكُرَ نِعۡمَتَكَ ٱلَّتِيٓ أَنۡعَمۡتَ عَلَيَّ وَعَلَىٰ وَٰلِدَيَّ وَأَنۡ أَعۡمَلَ صَٰلِحٗا تَرۡضَىٰهُ وَأَصۡلِحۡ لِي فِي ذُرِّيَّتِيٓۖ إِنِّي تُبۡتُ إِلَيۡكَ وَإِنِّي مِنَ ٱلۡمُسۡلِمِينَ
“O Zoti im! Më frymëzo që të të falënderoj për begatitë që Ti më ke dhënë mua dhe prindërve të mi dhe që të bëj vepra të mira, me të cilat Ti do të jesh i kënaqur! Më dhuro pasardhës të mirë! Tek Ti kthehem i penduar dhe Ty të dorëzohem!”.[4]
[1] Bakare, 187.
[2] Tirmidhiu, Menakib, 63.
[3] Tahrim, 6.
[4] Ahkaf, 15.