Të nderuar besimtarë!
Në suren “Ihlas” që lexuam më sipër, Allahu (xh. sh.) e prezanton veten e tij në këtë formë: “Thuaj: Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm! Allahu është Absoluti, të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim. Ai as nuk lind, as nuk është i lindur. Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë!”[1]
Allahu i Plotfuqishëm është Zoti i botëve. Atij i përket sundimi i qiejve dhe i tokës. Ai është Krijuesi, Ai është që mban çdo gjë në jetë, Ai është Sunduesi.
Allahu është i Përjetshmi, ekzistenca e Tij nuk ka fillim. Ai do të jetë gjithmonë, nuk ka fund për ekzistencën e Tij. Allahu është Dëgjuesi, Shikuesi, i Informuari për çdo gjë.
Allahu është Gafur; është falës i madh. Ai është Vedud; dashuria e Tij është e bollshme. Ai është Rezak; u dhuron furnizim të pastër dhe të mirë robëve të Tij. Ai është Hafidh; i mbron ata që strehohen te mëshira e Tij. Ai është Teuab; pranues i pendimit. Ai është Afuv’v; falës i atyre që kërkojnë falje. Por, ndëshkimi i Tij është i ashpër për ata që vazhdojnë me këmbëngulje në mosbesim dhe mëkate.
Të nderuar besimtarë!
Allahu është Kadir; i plotfuqishëm për gjithçka. Allahu është Muhji dhe Mumit; ka krijuar jetën dhe vdekjen për të na provuar se cili nga ne do të kryejë vepra më të mira. Ai do të na ringjallë të gjithëve pasi të vdesim, do të na mbajë përgjegjës për atë që kemi bërë dhe do t’u japë të gjithëve atë që meritojnë pa asnjë mangësi.
Kur e vërejmë gjithësinë me syrin e urtësisë, kudo në të shohim reflektimin e emrave dhe atributeve të Zotit të Plotfuqishëm, Krijuesit të universit. Gjithashtu, e organizojmë jetën tonë duke marrë frymëzim nga emrat e bukur të Allahut (xh. sh.). Ne marrim mësim nga veprat e Tij të pakrahasueshme duke thënë (I lartësuar është Allahu) سُبْحَانَ اللّٰهِ. Duke e shprehur dhikrin (Falenderimi i qoftë Allahut) اَلْحَمْدُ لِلّٰهِ e falënderojmë Atë për dhuntitë dhe begatitë e pafundme. Duke thënë (Zoti është më i Madhi) اَللّٰهُ اَكْبَرُ miratojmë herë pas here lartësinë dhe madhështinë e Tij. Me fjalën لاَ حَوْلَ وَلاَ قُوَّةَ إِلاَّ بِاللّٰهِ “nuk ka posedues force dhe fuqie përveç Allahut”,[2] shprehim paaftësinë tonë përballë Tij. Me shprehjen الْوَكِيلُ حَسْبُنَا اللّٰهُ وَنِعْمَ “Allahu na mjafton dhe Ai është mbrojtësi më i mirë”,[3] mbështetemi tek Ai në çdo kusht dhe situatë. Duke iu bindur fjalës së Allahut kur thotë فَاذْكُرُون۪ٓي اَذْكُرْكُمْ “Më kujtoni Mua, që t’ju kujtoj”,[4] çdo punë e nisim me emrin e Tij. Kur në zemrën tonë kalojmë ndonjë qëllim apo dëshirë, themi: “Inshaa-Allah!” me anë të së cilës deklarojmë se asgjë nuk mund të ndodhë pa vullnetin e Allahut. Urimet dhe meritat i shprehim duke thënë: “Maashaa Allah!” dhe “Baarek Allah!” Kur nisemi për rrugë dhe ndahemi prej njëri tjetrit themi: “Allahut amanet!”
Të nderuar besimtarë!
Si besimtarë që jemi, Allahun (xh. sh.) duhet ta njohim ashtu siç na e prezanton Ai Vetveten. Le t’i qëndrojmë besnikë premtimit që i bëmë Atij deri në frymën tonë të fundit. Le ta begatojmë jetën tonë me adhurim, vepra të mira dhe moral të mirë, që janë tregues i nënshtrimit tonë ndaj Allahut. Kështu që, rruga e jetës sonë duhet të jetë njësimi i Allahut dhe drejtimi ynë duhet të jetë përpjekja për të fituar pëlqimin e Tij.
[1] Ihlas: 1-4.
[2] Muslimi: Dhikr, 47.
[3] Ali Imran: 173.
[4] Bekare: 152.