Qendra MINBER

Edukimi me mëshirë, është parandalim i dhunës

Home » Edukimi me mëshirë, është parandalim i dhunës

 

Të Nderuar Besimtarë!

Njeriu është krijesa më e nderuar në tokë. Ai meriton çdo lloj respekti. Jeta e çdo njeriu, pa dallim, është e shenjtë. Prandaj, asnjë lloj dhune nuk mund të pranohet, pavarësisht se nga kush vjen, kush është viktimë dhe cilat janë arsyet e saj. Askujt nuk duhet t’i shkaktohet dëm dhe askush nuk mund të fyhet ose t’i cenohet nderi dhe dinjiteti – qoftë me fjalë, qëndrime a sjellje – në familje, në jetën shoqërore, apo edhe në platformat digjitale. Pejgamberi i Nderuar (a.s.) myslimanin e përkufizon kësisoj: اَلْمُسْلِمُ مَنْ سَلِمَ النَّاسُ مِنْ لِسَانِهِ وَيَدِهِ “Myslimani është ai që njerëzit janë të sigurt nga gjuha dhe dora e tij”.[1]

Besimtarë Të Dashur!

Po kalojmë një periudhë ku dhuna është bërë gjendje e zakonshme, bullizmi ndërmjet bashkëmoshatarëve po përhapet dita-ditës, ku njerëzit e konsiderojnë si mjeshtëri ndarjen e sherreve të tyre në rrjetet sociale; ku siguria e pronës dhe e jetës injorohet në rrugë, në transportin publik dhe në trafik. Fatkeqësisht, varësitë ndaj alkoolit, bixhozit dhe lëndëve narkotike, lojërave digjitale që nxisin të keqen, si dhe ekranet e ndotura me shembuj të gabuar, krijojnë terren për përhapjen e dhunës dita-ditës. Ndërkaq, dhuna nuk mund të zgjidhë asnjë problem. Përkundrazi, ajo e shuan dashurinë, e izolon njeriun, dhe e kalb shoqërinë. Siç dihet, në jetën e të Dërguarit tonë Muhammedit (a.s.), nuk është dëshmuar asnjë gjurmë dhune. Ai (a.s.) ka paralajmëruar se dhuna dhe tirania nuk do të mbeten kurrë pa u ndëshkuar, duke thënë: “Ata që do ta vuajnë dënimin më të rëndë në Ditën e Kiametit janë ata që kanë përdorur dhunë ndaj njerëzve në këtë botë”.[2]

Besimtarë Të Nderuar!

Kura për parandalimin e dhunës është edukimi me mëshirë. Fëmijët, të cilët për ne janë amanet i Zotit, mësojnë besimin, mirësinë, mëshirën, dashurinë dhe respektin, së pari nga familja e tyre. Me këtë rast, çdo prind, i cili merr si udhërrëfyes ajetin fisnik të lartpërmendur: “Thirr në rrugën e Zotit tënd me urtësi dhe këshillë të mirë…[3], duhet t’i prekë zemrat e fëmijëve të tyre, t’u ledhatojë kokat dhe të përpiqet t’i rrisë ata si rob të mirë të Zotit dhe si njerëz të dobishëm për shoqërinë. Për fëmijën, një nga personat më të rëndësishëm në udhëtimin e dijes dhe urtësisë janë edhe mësuesit. Pejgamberi (a.s.) u jep lajmin e mirë atyre që kryejnë një detyrë kaq të shenjtë si edukimi dhe mësimdhënia: “Ai që mëson dituri, i jepet shpërblim aq sa kanë fituar ata që veprojnë me atë dituri që ai u’a ka mësuar…[4] Kjo sepse çdo mësues që u shërben si model nxënësve me moralin dhe edukatën, me dhembshurinë dhe mëshirën e tij, është garanci e virtytit dhe e mirësisë në shoqëri.

Të Nderuar Besimtarë!

Për të larguar hijen e dhunës nga jeta jonë, në zemrat tona duhet të mbizotërojë dashuria, ndërsa në shtëpitë dhe shkollat tona duhet të mbizotërojë mëshira. Prandaj, le t’i shuajmë shkëndijat e zemërimit që na bien në zemër, me fjalë dhe sjellje të buta. Le të mbjellim në zemrat e fëmijëve tanë farat e dashurisë, respektit, mirëkuptimit dhe bashkëndarjes. Të mos harrojmë se një fjalë e mirë e gdhendur në mendjen fëmijës, mëshira dhe dashuria e vendosur në shpirtin e tij, do të jetë një fidan, për botën paqësore të së nesërmes.

Me këtë rast, i kujtojmë me lutje dhe mirësi nënat dhe baballarët tanë, mësuesit, hoxhallarët dhe mualimët e Kuranit, të cilët na udhëzuan dhe na edukuan me mëshirë. Hutben e kësaj xhumaje, dëshiroj ta përfundoj duke përcjellë këtë paralajmërim të të Dërguarit të Allahut xh.sh., Muhammedit (a.s.): “Ai që nuk tregon mëshirë ndaj njerëzve, Allahu nuk tregon mëshirë ndaj tij”[5]

[1] Tirmidhiu: Iman, 12; Ibn Hanbel: VI, 22.

[2] Ibn Hanbel, IV, 90.

[3] Nahl: 125.

[4] Ibn Maxheh: Sunet, 20.

[5] Buhariu: Teuhid, 2.