Të nderuar besimtarë!
Në ajetin që lexuam Allahu i Lartëmadhëruar thotë: “O ju që besuat! Bëhuni plotësisht të vendosur për hir të All-llahut, duke dëshmuar të drejtën dhe të mos ju shtyjë urrejtja ndaj një populli e t’i shmangeni drejtësisë; bëhuni të drejtë, sepse ajo është më afër devotshmërisë. Kini frikë All-llahun se All-llahu e di hollësisht atë që veproni”.[1]
Ndërsa në hadhitin që përmendëm Profeti Muahmed a.s. thotë: “Ata që veprojnë me drejtësi ndaj njerëzve që drejtojnë, familjeve të tyre dhe atyre për të cilët janë përgjegjës, do të priten në praninë e Allahut në frone të përgatitura nga drita”.[2]
Një ndër emrat e bukur të Allahut është El-Adl, I Drejti. Zoti është i drejtë në kuptimin absolut. Ai është burimi i vetëm i drejtësisë. Ai i trajton të gjitha qeniet me drejtësi.
Drejtësia është vlera themelore që e mban gjallë shoqërinë. Drejtësia është zëri i ndërgjegjes, është garancia e paqes, është baza e besimit. Drejtësi do të thotë t’i japësh të gjithëve dhe gjithçkaje atë që i takon. Do të thotë ta mbash të vërtetën superiore edhe nëse ajo është kundër nesh. Do të thotë të qëndrosh gjithmonë në anën e asaj që është e drejtë.
Të nderuar besimtarë!
Drejtësia e gjen kuptimin e saj të vërtetë atëherë, kur dominon në të gjitha sferat e jetës. Besimtari, duhet që mbi të gjitha të respektojë drejtësinë ndaj familjes së tij. Ai duhet t’i trajtojë prindërit, bashkëshorten dhe fëmijët e tij me dhembshuri, mëshirë dhe mirësi. Nuk duhet t’u thotë fjalë të këqija apo t’ua thyejë zemrën familjarëve. Prindi besimtar duke ndjekur urdhërin e Profetit a.s. ku thotë:
اِعْدِلُوا بَيْنَ أَبْنَائِكُمْ
“Silluni me drejtësi mes fëmijëve tuaj”[3], kurrsesi nuk duhet të bëjë dallim midis fëmijëve të tij.
Besimtari, duhet të jetë i drejtë ndaj atyre që i ka nën përgjegjësi ose nëpunës. Duhet t’ua mbrojë të drejtat dhe meritat e tyre dhe nuk duhet t’ua mohojë djersën e ballit dhe mundin.
Besimtari edhe në biznesin dhe tregtinë e tij nuk duhet të shmanget nga drejtësia. Në këtë pikë, duhet të ketë parasysh mesazhin hyjnor:
وَأَقِيمُوا الْوَزْنَ بِالْقِسْطِ وَلَا تُخْسِرُوا الْمِيزَانَ
“Edhe ju mbani me drejtësi peshoren, e mos peshoni mangut!”[4]
Kështu që, nuk duhet të mashtrojë askënd në biznesin e tij dhe nuk duhet të përziejë haramin në pasurinë e tij.
Besimtari, duhet të respektojë drejtësinë edhe në marrëdhëniet e tij shoqërore. Ai duhet të dëshirojë për vëllain e tij atë që dëshiron për veten e tij. Dhe nuk duhet të dëmtojë askënd me duar e as me gjuhë.
Të nderuar besimatarë!
Sot, ka që vrasin njerëz të pafajshëm, duke përfshirë burra, gra, fëmijë dhe të moshuar, me pretendimin se janë përfaqësues të drejtësisë në tokë. Siç e dëgjojmë ata nxjerrin në pah slloganin “Ne do të sigurojmë drejtësi në botë”. Ata shpërfillin të gjitha vlerat njerëzore dhe morale për hir të interesave të tyre. Shkaktojnë shumë dhimbje dhe lot me mizorinë e papërshkrueshme që bëjnë dhe përçarjet e fatkeqësitë e mëdha që shkaktojnë. Zoti ynë i Plotfuqishëm na i përshkruan këta tiranë që prishin rendin në tokë siç vijon:
وَإِذَا قِيلَ لَهُمْ لَا تُفْسِدُوا فِي الْأَرْضِ قَالُوا إِنَّمَا نَحْنُ مُصْلِحُونَ
أَلَا إِنَّهُمْ هُمُ الْمُفْسِدُونَ وَلَٰكِنْ لَا يَشْعُرُونَ
“E kur atyre u thuhet: “Mos e prishni rendin në tokë”! Ata thonë: “Ne jemi vetëm përmirësues (paqtues)! Vini re, ata në të vërtetë janë shkatërruesit, por nuk e kuptojnë”[5]
Nuk duhet harruar ky fakt se, ashtu si dje, edhe sot drejtësia në tokë do të vendoset nga besimtarë të përkushtuar me gjithë zemër ndaj Islamit. Ne duhet të përpiqemi të përmbushim përgjegjësitë tona për të bërë që drejtësia e humbur të mbizotërojë përsëri në botën tonë. Le të mbrojmë të vërtetën dhe meritën në çdo aspekt të jetës sonë. Të mos ngurojmë për të shprehur të vërtetën. Le të qëndrojmë kundër shtypësit dhe në anën e të shtypurit, pa marrë parasysh se nga kush vjen dhe kujt i drejtohet padrejtësia. Le t’i mbajmë gjallë shpresat tona për të ardhmen dhe të mos e humbasim kurrë besimin se drejtësia hyjnore do të triumfoj patjetër.
Hytben po e përfundojmë me kuptimin e ajetit 47 të Sures Enbija:
وَنَضَعُ الْمَوَازِينَ الْقِسْطَ لِيَوْمِ الْقِيَامَةِ فَلَا تُظْلَمُ نَفْسٌ شَيْئًا ۖ وَإِنْ كَانَ مِثْقَالَ حَبَّةٍ مِنْ خَرْدَلٍ أَتَيْنَا بِهَا ۗ وَكَفَىٰ بِنَا حَاسِبِينَ
“Në ditën e gjykimit Ne do të vëmë peshoja të drejta, e askujt nuk i bëhet e padrejtë asgjë, edhe nëse është (vepra) sa pesha e një kokrre të melit Ne do ta sjellim atë. E mjafton që Ne jemi llogaritës”[6].
[1] Maide, 8.
[2] Nesai, Adabu’l-kudat, 1.
[3] Ebu Daud, Buju’ (Ixhare), 83.
[4] Rrahman, 9.
[5] Bekare, 11-12.
[6] Enbija, 47.