Qendra MINBER

Drejt Pendimit!

Home » Drejt Pendimit!

 

Të nderuar besimtarë!

Një herë, Pejgamberi i Nderuar (s.a.s) shkoi për të vizituar një të ri që ishte në prag të vdekjes. Pasi hyri brenda, e pyeti të riun: “Si po e ndjen veten?” I riu u përgjigj: “O i Dërguari i Allahut! Shpresoj në mëshirën e Zotit tim, por gjithashtu, u frikësohem mëkateve të mia. “Pas këtyre fjalëve, i Dërguari i Allahut (s.a.s) tha: “Kur shpresa dhe frika bashkohen në zemrën e një robi, Allahu ia jep atij atë që shpreson dhe e siguron nga ajo që i frikësohet”.[1]

Besimtarë të Nderuar!

Robi, si qenie njerëzore që është; harron, mashtrohet dhe gabon. Ndonjëherë bie në plogështi për sa i përket zbatimit të urdhrave dhe ndalesave të Zotit të tij, e ndonjëherë zhytet në mëkate duke shkelur hakun e njerëzve dhe atë të shoqërisë. Megjithatë, këto çështje janë tepër jetike. Një besimtar nuk duhet t’i nënvlerësojë mëkatet e tij. Nuk duhet të mburret me harramet. Nuk duhet të këmbëngulë në gabimet dhe të metat e tij. Në këtë kontekst, në ajetin e mësipërm, Allahu i Madhërishëm na njofton për cilësitë e besimtarëve të devotshëm: “Edhe ata të clët kur bëjnë ndonjë (mëkat) të shëmtuar ose i bëjnë zullum vetës së tyre, e përmendin All-llahun dhe kërkojnë falje për mëkatet e tyre – e kush i falë mëkatet përveç All-llahut? – dhe nuk ngulmojnë me vetëdije në gabimet që kanë bërë)”.[2]

Besimtarë të dashur!

Koha kalon me shpejtësi. Gjithashtu, kapitali i jetës sonë po shteron. Çdo ditë që kalon, ne i afrohemi edhe një hap më shumë jetës së Ahiretit. Të jemi të vëmendshëm! Përfundimi i kësaj jete kaq të shkurtër mund të jetë lumturia e amshuar, ose dëshpërimi i përhershëm. Fitimi më i begatë për ne, është kryerja e veprave me të cilat Zoti ynë është i kënaqur dhe pajisja me moralin e bukur të Profetit tonë (s.a.s). Gjithashtu, përvetësimi i mirësive si parime jetësore dhe qëndrimi larg të këqijave, është rrugë shpëtimi për ne. Ndërsa, humbja jonë më e madhe është zhytja në mëkate dhe neglizhenca ndaj derës së pendimit, duke u mposhtur nga mendime të tilla si: “Sidoqoftë Allahu fal” apo “Do të pendohem kur të vijë koha”. Lidhur me këtë, Pejgamberi (s.a.s), në një hadith thotë: Çdo njeri gabon; por më i hajrit i atyre që gabojnë është ai që pendohet për gabimin e tij”.[3]

Të dashur besimtarë!

Aktualisht gjendemi në prag të muajit të bekuar të Ramazanit. Prandaj, le ti konsiderojmë këto ditë të bekuara si një mundësi për një fillim të ri në jetën tonë. Le t’i rishikojmë gabimet tona dhe të pendohemi për mëkatet që kemi kryer. Le të qëndrojmë larg çdo lloj harami që e çon shpirtin tonë drejt shqetësimit, familjen tonë drejt palumturisë dhe punën e tregtinë tonë drejt jo-mbarsisë. Kur të mposhtemi nga dobësitë tona dhe të biem në mëkat, le të strehohemi në faljen dhe mëshirën e Zotit të Madhëruar. Të mos harrojmë se mëkati është si një njollë që lë gjurmë në zemër. Kjo njollë, që konsiderohet e vogël, nëse bëhet e vazhdueshme, rritet gradualisht dhe bëhet shkak për nxirjen e zemrës. E kur zemra nxihet; mendja nuk mund të perceptojë, syri nuk mund të shohë të vërtetën, veshi nuk mund të dëgjojë realitetin dhe gjuha bëhet e paaftë për të thënë të drejtën.

Hutben e kësaj xhumaje po e mbyllim duke përcjellë përgëzimin e Allahut xh.sh. që na ka dhënë përmes këtij ajeti fisnik:

۞ قُلْ يَـٰعِبَادِىَ ٱلَّذِينَ أَسْرَفُوا۟ عَلَىٰٓ أَنفُسِهِمْ لَا تَقْنَطُوا۟ مِن رَّحْمَةِ ٱللَّهِ ۚ إِنَّ ٱللَّهَ يَغْفِرُ ٱلذُّنُوبَ جَمِيعًا ۚ إِنَّهُۥ هُوَ ٱلْغَفُورُ ٱلرَّحِيمُ

“Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së All-llahut, pse All-llahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është që shumë falë dhe është mëshirues!”.[4]

[1] Ibn Maxheh: Zuhd, 31.

[2] Ali Imran: 135.

[3] Ibn Maxheh: Zuhd, 30.

[4] Zumer: 53.