
Të nderuar besimtarë!
Një njeri që e vështron gjithësinë duke medituar, e kupton se ekziston një Krijues, i cili ka sjellë në ekzistencë çdogjë nga asgjëja, u ka dhënë formë atyre dhe i rregullon ato me urtësi. Lëvizja e pandalshme e planeteve në orbitat e tyre pa hasur asnjë devijim, ndriçimi i rruzullit tokësor nga dielli, si dhe stolisja e natës prej hënës dhe yjeve, si të ishin kandila, na thërrasin sikur të donin të klithnin: “Mos e harro Zotin tënd!” Bota jonë, çdo cep i së cilës është i qëndisur me urtësi, na fton drejt Njëshmërisë së Allahut të Lartësuar. Kur’ani Fisnik na fton në përsiatje të thellë (tefekkur) përmes pyetjeve: “Vallë, a nuk shohin ata se…si është ngritur qielli, dhe si janë vendosur malet, dhe si është shtrirë Toka?”[1]
Besimtarë të dashur!
Në krye të shkaqeve që e çojnë njeriun drejt mjerimit shpirtëror, qëndron mosbesimi. Sepse mosbesimi e zhvesh jetën nga çdo kuptim; ai e kthen njeriun në një qenie të vetmuar dhe bëhet shkak për humbjen e ndjenjës së përgjegjshmërisë te individi. Siç thotë poeti:
“Besimi është xhevahir, o Zot, sa madhështor që është…
Zemra e ndryshkur pa besim, është thjesht një barrë në kraharor!”
Të besosh në ekzistencën e Krijuesit dhe ta dish se Ai është pranë teje në çdo çast, i fal njeriut qetësi dhe siguri. Besimi e shpëton personin nga humnera dhe errësira e pakuptimësisë. Kjo çështje bëhet e qartë në Ajetin Fisnik, që thotë: “…e kush i beson All-llahut, Ai ia udhëzon zemrën e tij; All-llahu është i gjithëdijshëm për çdo send”.[2]
Besimtarë të nderuar!
Përgjigjet e pyetjeve mbi jetën, nuk mund t’i gjejmë duke mohuar Krijuesin e Lartësuar. Pa dritën e Shpalljes Hyjnore (Vahjit), ne nuk mund ta dimë se nga vijmë, ku shkojmë, dhe arsyen se përse jemi krijuar. Në një botë, ku kufijtë e bindjes dhe arrogancës nuk janë përcaktuar nga Allahu i Madhëruar, ne nuk mund ta kuptojmë dot plotësisht se çfarë është e mira dhe çfarë është e keqja.
Për asnjë ligësi që ndodh mbi faqe të dheut, nuk është shkaktar Allahu (xh.sh.). Ai është i Gjithëmëshirshëm ndaj robërve të Tij. Zoti dëshiron mirësinë e njerëzve; Atij nuk i pëlqen kurrsesi që ata të bëjnë keq apo të bien në humnerën e zullumeve dhe padrejtësive. Megjithatë, njerëzit që i dorëzohen egos së tyre dhe ndjekin epshet e dëshirat e kota, bëhen shkak për shfaqjen e së keqes dhe të padrejtësisë në tokë. Kjo e vërtetë, në Kur’anin Fisnik, shpërfaqet përmes këtij ajeti në këtë formë:
إِنَّ ٱللَّهَ لَا يَظۡلِمُ ٱلنَّاسَ شَيۡـٔٗا وَلَٰكِنَّ ٱلنَّاسَ أَنفُسَهُمۡ يَظۡلِمُونَ
“All-llahu nuk u bën asgjë të padrejtë njerëzve, por ata i bëjnë të padrejtë vetes së tyre”.[3]
Besimtarë të dashur!
Zoti ynë i Lartësuar, me dërgimin e Pejgamberëve – të cilët janë përgëzues dhe paralajmërues – u ka bërë robërve të Tij një mirësi të madhe. Duke zbritur Librat Hyjnorë, Ai ka dëshiruar paqen dhe lumturinë e njerëzimit. Secili prej këtyre librave është udhërrëfyes drejt dritës së besimit, dhe diferencues mes të vërtetës dhe të kotës, mes së drejtës dhe të gabuarës. Vargun e Profetëve, Ai e përsosi me hallkën e fundit, Muhammedin (a. s.) dhe me Kur’anin Fisnik që i zbriti atij. Duke krijuar vendbanimin e amshueshëm, Ahiretin, Allahu (xh.sh.) ka synuar që çdo i privuar në këtë botë të marrë hakun e vet, e që besimtarët të veçohen prej mohuesve.
Të nderuar besimtarë!
Sot, përgjegjësia që peshon mbi ne është që t’u hapim botën tonë shpirtërore njerëzve që po mbyten në vorbullën e mosbesimit, e t’i bashkojmë ata me mesazhet hyjnore. Është detyra jonë që, përmes burimit të kulluar të Sunetit Fisnik të Profetit (s.a.s), të shuajmë etjen e rinisë për besim. Gjithashtu e kemi përgjegjësi që të qëndisim dashurinë për Allahun në zemrat e fëmijëve tanë, me fjalë të ëmbla e me fytyrë të qeshur. Nga ana tjetër, mos të harrojmë ta bëjmë udhërrëfyes për veten, këtë këshillë të Pejgamberit tonë të dashur (s.a.s) ku thotë: “Që Allahu (xh.sh.) të udhëzojë qoftë edhe një person të vetëm përmes teje, kjo është më e dobishme për ty se çdo gjë mbi të cilën lind e perëndon dielli”.[4]
[1] Gashije: 18-20.
[2] Tegabun: 11.
[3] Junus: 44.
[4] Taberani, el-Mu’xhemu’l-Kebir: I, 315.