Qendra MINBER

Besnikëria është pjesë e Besimit

Home » Besnikëria është pjesë e Besimit

 

 

Të Nderuar Besimtarë!

Një nga cilësitë që e çon njeriun drejt kënaqësisë së Zotit dhe e bën të lumtur në këtë botë, është besnikëria. Besnikëria është tregues i dashurisë, respektit, përkushtimit dhe sakrificës. Ajo është qëndrueshmëria e njeriut në fjalën e dhënë dhe kthimi i mirësisë me mirësi. Besnikëria është të mos harrosh ata që të kanë shtrirë dorën kur ke pasur nevojë, të cilët janë gëzuar me lumturinë tënde dhe të cilët të kanë fshirë lotët kur ke qenë i mërzitur. Besnikëria është të qëndrosh në anën e dashurisë dhe jo të interest, në anën e faljes dhe jo të urrejtjes; në anën e drejtësisë dhe jo të padrejtësisë, si dhe të përvetësosh moralin dhe të drejtat e vëllazërisë.

Besimtarë Të Dashur!

Besnikëria më e lartë është të qenit besnik ndaj besëlidhjes që i kemi dhënë Zotit të Lartësuar, siç përshkruhet në Kur’anin Fisnik dhe të jemi rob të Tij gjatë gjithë jetës. Për të arritur përgëzimin e ajetit: “…kush e mban besën ndaj Allahut, Ai do t’i japë atij shpërblim të madh[1], duhet t’u bindemi urdhrave të Allahut xh.sh., ta presim mirësinë me falënderim dhe sprovën me durim. Kjo do të thotë që qetësia të kaplojë gjithë qenien tonë, në shpirt me besim dhe pendim, në zemër me dhikr, në mendje me dituri dhe në jetë me Kur’anin e Madhërueshëm.

Besimtarë Të Nderuar!

Pas besnikërisë së treguar ndaj Allahut xh. sh., besnikria më e vyer ashtu ajo e treguar ndaj Profetit tonë të nderuar Muhammedit a. s. Ashtu siç deklarohet në ajetin fisnik:

لَقَدۡ جَآءَكُمۡ رَسُول مِّنۡ أَنفُسِكُمۡ عَزِيزٌ عَلَيۡهِ مَا عَنِتُّمۡ حَرِيصٌ عَلَيۡكُم بِٱلۡمُؤۡمِنِينَ رَءُوف رَّحِيمٞ

Tashmë ju ka ardhur një i Dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për gjynahet që bëni ju, j’ua dëshiron të mirën me gjithë zemër që ju të shkoni rrugës së drejtë dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët[2], është kërkesë e besnikërisë sonë të besojmë tek i Dërguari i Allahut (s.a.s.), i cili ishte shumë i përkushtuar ndaj Umetit të Tij, dhe t’i duam fort Atë dhe familjen e Tij. Prandaj, është detyra jonë si pjesë e besnikërisë ndaj Pejgamberit a. s. që të pasojmë sunetin e Tij, të mbështesim dhe vazhdojmë përpjekjen e Tij për të vërtetën dhe drejtësinë, si dhe t’i dërgojmë salavate sa herë që përmendet emri i Tij i bekuar.

Të Nderuar Besimtarë!

Besnikëria është, gjithashtu, përkushtimi ndaj familjes sonë, respekti për të moshuarit dhe dhembshuria për fëmijët. Besnikëria ndonjëherë është të bëhesh shërim për dhimbjen e një personi dhe shpresë për të afërmit, duke dhuruar gjak apo duke dhuruar një organ. Dhe, ndonjëherë, ajo është thjesht mbjellja e një fidani. Përveç kësaj, është një detyrim i besnikërisë që t’i përmbahemi fort civilizimit dhe kulturës sonë që rrjedh nga Islami, duke mbrojtur vlerat tona kombëtare dhe shpirtërore. T’i kujtojmë me mirësi dëshmorët tanë të shtrenjtë që na e bënë këtë vend atdhe, si dhe të gjithë të parët tanë, ndaj të cilëve kemi një borxh besnikërie.

Të Dashur Besimtarë!

Në një botë mashtrimi, ku besnikëria është dobësuar dhe mosmirënjohja është përhapur gjerësisht, ruajtja e besnikërisë është një kërkesë e besimit tonë, siç tregohet në hadithin: وإن حسن العهد من الإيمان “Mbajtja e premtimit siç duhet, është pjesë e besimit[3]. Sot, me këtë rast le të bëjmë një vlerësim të besnikërisë sonë. A e kemi përmbushur detyrën tonë të besnikërisë ndaj dhuntive të panumërta që na ka dhuruar Zoti ynë i Plotfuqishëm? A kemi qenë njerëz të mirë që kemi prekur zemrat e prindërve, bashkëshortëve dhe fëmijëve tanë, të afërmve dhe fqinjëve? A i kemi përkëdhelur kokat e jetimëve si një detyrë besnikërie ndaj shoqërisë në të cilën jetojmë? A kemi qenë në gjendje të qetësojmë dhimbjen e një personi të sëmurë ose të pafuqishëm, apo të nxitojmë në ndihmë të dikujt në nevojë? A kemi qenë në gjendje të lehtësojmë vetminë e një personi të moshuar, apo ta bëjmë jetën më të lehtë për një vëlla me aftësi të kufizuara?

Të nderuar vëllezër dhe motra, duke shpresuar që pyetjeve të mësipërme t’u japim përgjigje pozitive, hutben e kësaj xhumaje dua ta përmbyll duke përcjellur hadithin e Pejgamberit a.s.:  لَا إِيمَانَ لِمَنْ لَا أَمَانَةَ لَهُ، وَلَا دِينَ لِمَنْ لَا عَهْدَ لَهُ “Nuk ka besim ai që nuk e ruan amanetin dhe nuk ka fe ai që nuk ka besnikëri”.[4]

[1] el-Fet’h: 10.

[2] Teube: 128.

[3] Hkim: Mustedrek, I, 20. (1/16).

[4] Ibn Hanbel: III, 134.