Qendra MINBER

Besimtari jeton me shpresë

Home » Besimtari jeton me shpresë

 

 

 

 

 

 

Të nderuar besimtarë!

Një nga emocionet që Allahu i Lartmadhëruar ka vendosur në natyrën tonë është ndjenja e shpresës. Shpresa është strehimi te Zoti i Plotfuqishëm me nënshtrim të plotë dhe të pasurit besim pafund në ndihmën dhe mbështetjen e Tij. Shpresa është kombinimi i marrjes paraprake të masave me besimin dhe i durimit me përpjekjen si dhe bërja e bilancit të së shkuarës dhe ecja përpara me vendosmëri drejtë së ardhmes. Shpresa është një mëshirë hyjnore, që i mundëson njeriut të mbahet pas jetës dhe i shton atij vendosmërinë dhe përpjekjen. Ajo është një fuqi shpirtërore që mbron shëndetin fizik dhe atë mendor.

Ndërsa, humbja e shpresës shkatërron emocionin e të jetuarit tek individi. Ajo errëson ëndrrat për të ardhmen, e bën njeriun dembel dhe e largon nga përgjegjësia.  Allahu i Plotfuqishëm në Kur’anin Fisnik na përgëzon me shpresë duke thënë:

قُلۡ يَٰعِبَادِيَ ٱلَّذِينَ أَسۡرَفُواْ عَلَىٰٓ أَنفُسِهِمۡ لَا تَقۡنَطُواْ مِن رَّحۡمَةِ ٱللَّهِۚ إِنَّ ٱللَّهَ يَغۡفِرُ ٱلذُّنُوبَ جَمِيعًاۚ إِنَّهُۥ هُوَ ٱلۡغَفُورُ ٱلرَّحِيمُ

Thuaj: “O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti”.[1]

Të nderuara motra dhe vëllezër!

Të gjithë profetët e dërguar nga Zoti xh.sh. për njerëzimin nuk e humbën kurrë shpresën qoftë edhe përballë sprovave më të vështira. Në rastin e Ademit a.s., ai i kërkoi Zotit falje me shpresë. Nuhu a.s., e këshilloi djalin e tij me fjalë të mira dhe të ëmbla dhe duke pritur me shpresë udhëzimin e tij i’u lut Allahut me këto fjalë:

وَهِيَ تَجۡرِي بِهِمۡ فِي مَوۡجٖ كَٱلۡجِبَالِ وَنَادَىٰ نُوحٌ ٱبۡنَهُۥ وَكَانَ فِي مَعۡزِلٖ يَٰبُنَيَّ ٱرۡكَب مَّعَنَا وَلَا تَكُن مَّعَ ٱلۡكَٰفِرِينَ

Dhe ajo lundronte me ata nëpër valët e mëdha e të larta sa malet, ndërsa Nuhu thërriste birin e vet, i cili ishte ndarë veç: “O biri im, hip me ne e mos u bëj me mohuesit![2]

Pavarësisht nga sëmundja e rëndë, Ejjubi a.s. nuk e humbi kurrë besimin se do të shërohej dhe u mundua të gjente shërim duke përdorur të gjitha mundësitë e kohës. I Dërguari i Allahut, Muhammedi a.s. kurrë nuk ra në dëshpërim përballë vështirësive dhe mbështetej tek Krijuesi me këtë lutje:

حَسۡبِيَ ٱللَّهُ لَآ إِلَٰهَ إِلَّا هُوَۖ عَلَيۡهِ تَوَكَّلۡتُۖ وَهُوَ رَبُّ ٱلۡعَرۡشِ ٱلۡعَظِيمِ

“…Më mjafton Allahu, s’ka zot tjetër përveç Tij. Unë mbështetem tek Ai që është Zot i Fronit të Madh!”.[3]

Të nderuar besimtarë!

Edhe ne mund të hasim herë pas here në vështirësi të ndryshme. Mund të përjetojmë probleme në jetën tonë familjare, të punës dhe tregtare, si dhe në marrëdhëniet tona me fqinjët dhe të afërmit. Megjithatë, sado të mëdha të jenë problemet dhe hallet tona, mëshira dhe dhembshuria e Zotit përfshin gjithçka. E rëndësishme është, që ne të përmbushim përgjegjësitë tona ndaj Krijuesit, ndaj vetvetes, familjes, mjedisit dhe ndaj mbarë njerëzimit. Prandaj, le ta zbukurojmë jetën me vepra të mira dhe me moral të bukur.

Sot, ka nga ata, që duan ta kthejnë botën në një ambjent të pa jetueshëm dhe përdorin të gjitha llojet e së keqes për të shkatërruar shpresën e njerëzimit. Nga njëra anë, me miliona njerëz nuk kanë nevojat bazike të jetës siç është ushqimi, uji dhe shërbimet shëndetësore. Nga ana tjetër, kërcënohet e ardhmja e familjes dhe njerëzimit duke përhapur ideologji perverse që shkatërrojnë arsyen, natyrën, moralin dhe dëlirësinë. Nisma të tilla, duan të errësojnë ëndrrat e të rinjve dhe t’i vjedhin shpresat e tyre me anë të alkoolit, bixhozit, prostitucionit, lëndëve narkotike dhe përmbajtjeve të dëmshme mediatike. Pavarësisht kësaj, ne besojmë se caktimi hyjnor ekziston dhe mbizotëron mbi të gjitha planet dashakeqe. Allahu xh. sh. Thotë:

  وَمَكَرُواْ وَمَكَرَ ٱللَّهُۖ وَٱللَّهُ خَيۡرُ ٱلۡمَٰكِرِينَ

Dhe ata i përgatitën një kurth, por edhe Allahu u përgatiti kurth (dënim), se Allahu është strategu më i mire[4]

Përballë një situate të tillë, pra në një kohë kur kërkohet të përhapet e keqja dhe të shkatërrohen shpresat, idealet dhe ëndrrat e mirësisë, detyra jonë është të mos lejojmë kurrë mungesën e shpresës në jetën tonë. Pasi të mobilizojmë të gjitha mjetet dhe mundësitë që kemi në dispozicion, duhet të kërkojmë strehim në mbrojtjen dhe mëshirën e Zotit të Madhërishëm. Misioni ynë është që të ofrojmë të gjitha llojet e mbështetjes për fëmijët dhe rininë tonë, për t’i ndihmuar ata të arrijnë ëndrrat dhe idealet e tyre pozitive për të ardhmen. Gjithashtu, e kemi për detyrë, që ti zgjasim duart e shpresës, mëshirës dhe dhembshurisë atij që është i zhytur në mëkat dhe i përfshirë në haram dhe atyre që kanë rënë në hutimin e zakoneve të këqija si alkooli, bixhozi, imoraliteti, etj.

Hytben e sotme po e përfundojmë me duanë e bërë nga Pejgamberi a.s. ku thotë:

اللَّهُمَّ أَسْلَمْتُ وَجْهِى إِلَيْكَ ، وَفَوَّضْتُ أَمْرِى إِلَيْكَ ، وَأَلْجَأْتُ ظَهْرِى إِلَيْكَ ، رَغْبَةً وَرَهْبَةً إِلَيْكَ

O Allah! Ty të jam drejtuar, Ty ti kam besuar punët e mia, te Ti gjej strehim me shpresë dhe me ndrojtje[5]

[1] Zumer, 53.

[2] Hud, 42.

[3] Teube, 129.

[4] Ali Imran, 54.

[5] Buhariu, Vudu’, 75.