Të nderuar besimtarë!
Allahu xh. sh. në ajetin që lexuam thotë: “Është Ai, që zbriti qetësi në zemrat e besimtarëve, për t’ua forcuar besimin, krahas besimit që paten”.[1]
Ndërsa në hadithin që përmendëm i Dërguari i Allahut a.s. thotë: “Më i miri prej jush është ai prej të cilit pritet e mira dhe prej të cilit nuk pritet asnjë e keqe”.[2]
Të gjithë ne, që nga momenti kur hapim sytë në këtë botë dëshirojmë të ndihemi të sigurt. Duam të jemi larg së keqes dhe të shmangim shqetësimet dhe frikën tonë. Secili prej nesh, përpiqet të jetojë në paqe e në një mjedis të sigurt. Sepse, pas besimit ndjenja e të qenurit i sigurtë është një nga bekimet më të mëdha që Zoti i Madhëruar na ka dhuruar.
Të nderuar besimtarë!
Burimi i vetëm i sigurisë është Zoti i Plotfuqishëm. Një nga emrat e bukur të Allahut është El-Mu’min- Ai që vërteton dhe jep sigurinë. Ai është Allahu, që jep paqe dhe shpëtim. Është Ai që i bën robërit e Tij të jetojnë në siguri dhe besim. Është Ai që meriton ti besohet më shumë. Është Ai që u jep siguri nga frika dhe ankthi atyre që strehohen tek Ai.
Çdo besimtar që beson në Allah është nën mbrojtjen dhe mbikqyrjen e Tij. Kjo e vërtetë shprehet në Kur’anin Famëlartë si vijon:
وَتَوَكَّلْ عَلَى اللّٰهِۜ وَكَفٰى بِاللّٰهِ وَك۪يلًا
“Mbështetu tek Allahu; Allahu të mjafton si mbrojtës!”.[3]
Të nderuar vëllezër dhe motra!
Si besimtarë që besojmë me gjithë zemër në këtë ajet, e dimë se Zoti i Plotfuqishëm nuk na lë kurrë vetëm dhe pa rrugëdalje. Ne e dimë se është Ai që e bëri zjarrin të ftohtë dhe të padëmshëm për Ibrahimin a.s. që u hodh në të për hir të Teuhidit. Është Ai që e nxorri prej pusi Profetin Jusuf a.s., të cilin vëllezërit e hodhën dhe e bëri sulltan të Egjiptit. Është Ai që e nxorri Profetin Junus a.s. nga barku i peshkut në bregun e shpëtimit. Wshtw Ai qw detin e bëri rrugë pwr Profetin Musa a.s. dhe e shoqëroi atë me fuqinë e mëshirën e Tij. Është Ai që e shpëtoi Profetin Muhamed a.s., të Dërguarin e Mëshirës, nga kurthi i politeistëve dhe e çoi të sigurt në Medine.
Besimtari, me fjalët dhe veprat e tij është person i besueshmërisë. Ai është si një kështjellë besimi që i bën njerwzit rreth tij të ndihen të sigurt. Ai është i vetëdijshëm se është përgjegjës për gjithçka dhe për këdo në masën e fuqisë së tij. Ne besojmë se besimi është siguri. Besimtari është ai qw beson vetë dhe wshtw i besueshëm për të tjerët. Universi i është besuar njeriut dhe njerwzit i janw besuar njëri-tjetrit. Ndërkaq Pejgamberi a.s. thotë:
الْمُسْلِمُ مَنْ سَلِمَ الْمُسْلِمُونَ مِنْ لِسَانِهِ وَيَدِهِ وَالْمُؤْمِنُ مَنْ أَمِنَهُ النَّاسُ عَلَى دِمَائِهِمْ وَأَمْوَالِهِمْ
“Musliman është ai që muslimanët e tjerë janë të sigurtë prej gjuhës dhe dorës së tij. Ndërsa Besimar është ai prej të cilit njerëzit besojnë se jeta dhe pasuria e tyre janë të sigurta”.[4]
Prandaj, sjelljet që dëmtojnë besueshmërinë si cënimi i pasurisë së tjerëve dhe dëmtimi i jetës së njerëzve, janw gabim i rëndë dhe mëkat i madh.
Le të jemi strehë e sigurt dhe e besueshme për njëri-tjetrin përballë vështirësive dhe sprovave. Le të sjellim lehtësim për zemrat e trazuara dhe gëzim për zemrat e trishtuara. Mendjet dhe zemrat tona le të gjejnë ngushëllim në dhembshurinë, mëshirën dhe në komunikmin mes njëri-tjetrit. Të mos harrojmë se nëse mbështetemi dhe besojmë në Allah, nëse kemi vetëdijen e besueshmërisë dhe amanetit ndaj njëri-tjetrit, mëshira dhe ndihma e Zotit do të jetë me ne.
Hutben e përfundojmë me ajetin e mëposhtëm, i cili shpreh besimin e Profetit Muhamed a.s. te Allahu, në momentin më të mundimshëm të udhëtimit të hixhretit:
إِذۡ هُمَا فِي ٱلۡغَارِ إِذۡ يَقُولُ لِصَٰحِبِهِۦ لَا تَحۡزَنۡ إِنَّ ٱللَّهَ مَعَنَاۖ فَأَنزَلَ ٱللَّهُ سَكِينَتَهُۥ عَلَيۡهِ وَأَيَّدَهُۥ بِجُنُودٖ لَّمۡ تَرَوۡهَا وَجَعَلَ كَلِمَةَ ٱلَّذِينَ كَفَرُواْ ٱلسُّفۡلَىٰۗ وَكَلِمَةُ ٱللَّهِ هِيَ ٱلۡعُلۡيَاۗ وَٱللَّهُ عَزِيزٌ حَكِيمٌ
“…Kur ishin në shpellë e ai i thoshte shokut të vet (Ebu Bekrit): “Mos u mërzit, se Allahu është vërtet me ne!” Atëherë, Allahu zbriti qetësinë e Vet mbi të, e ndihmoi me një ushtri të padukshme (engjëjsh) dhe bëri që fjala e mosbesimtarëve të jetë më e poshtëruara, kurse Fjala e Allahut të jetë më e lartësuara. Vërtet, Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.[5]
[1] Fet’h, 4.
[2] Buhariu, Edeb, 57.
[3] Ahzab, 3.
[4] Tirmidhiu, Iman, 13.
[5] Teube, 40.