Të nderuar besimtarë, Allahu xh.sh në ajetin që lexuam thotë: “Atyre që besuan dhe bënë vepra të mira, All-llahu u premtoi falje për mëkate dhe shpërblim të madh.”[1] Ndërsa Pejgamberi a.s. në hadithin e mësipërm thotë: “Personi që ka këto tri cilësi do ta shijojë besimin: Të duash Allahun dhe të Dërguarin e Tij më shumë se çdo gjë tjetër, ta duash personin që do vetëm për hir të Allahut dhe të kesh frikë nga kthimi në mosbesim pas besimit ashtu siç ke frikë frikë nga hedhja në zjarr”[2]
Të nderuar besimtarë!
Bazat e besimit Islam janë besimi në Allahun, Engjëjt e Tij, Librat e Tij, Profetët e Tij, Ditën e Gjykimit dhe besimi në Caktimin e Tij të të mirës dhe të keqes.[3] Besim do të thotë premtim për t’iu bindur urdhrave të Zotit, për t’iu shmangur ndalesave të Tij dhe për të qenë besimtar i drejtë në rrugën e Tij. Besim do të thotë të heqësh të gjitha pengesat në rrugën drejt së vërtetës dhe drejtësisë, mirësisë dhe mëshirës, paqes dhe lumturisë. Është përmbajtja me gjithë zemër e parimeve hyjnore të sjella nga Kur’ani dhe marrja si udhërrëfyes i jetës shembullore të Profetit tonë a.s. në çdo fushë.
Besimi e arrin kuptimin e tij të vërtetë nëse reflektohet në sjelljet tona dhe drejton moralin tonë. Kur besimi pasqyrohet në gjuhën tonë, kthehet në dhikër/kujtimi i Allahut dhe falënderim. Kur reflektohet në sytë tanë, bëhet dëlirësi dhe ndershmëri. Kur ai reflektohet në fytyrën tonë, kthehet në buzëqeshje dhe kur reflekton në mendjen tonë, kthehet në soditje dhe meditim.
Kur reflektohet në zemrat tona, bëhet sinqeritet dhe kur besimi reflektohet në familjen tonë, ai është dashuri, respekt, dhembshuri dhe mëshirë. Në saje të besimit zemrat tona mbushen me dashuri, e shtëpitë tona gjejnë paqe. Kur besimi ynë reflektohet në jetën tonë të punës e biznesit, punët tona kryhen me ndershmëri dhe drejtësi. Me anë të besimit, forcohet ndjeshmëria për hallallin dhe haramin, respektohen të drejtat e njerëzve dhe publikut. Kur besimi ynë reflektohet në jetën shoqërore, arrihet drejtësia, besimi i ndërsjelltë dhe paqja. Kështu forcohet bashkëpunimi, uniteti dhe solidariteti dhe shfaqen shembujt më të mirë të vëllazërisë.
Allahu xh. sh. në thotë: اللَّهُ وَلِيُّ الَّذِينَ آمَنُوا يُخْرِجُهُمْ مِنَ الظُّلُمَاتِ إِلَى النُّو
“All-llahu është mbikëqyrës i atyre që besuan, i nxjerr ata prej errësirave në dritë…”[4]
Ajo që do të na bëjë ne durimtarë në sprovat e kësaj bote është besimi se Zoti i Madhëruar është gjithmonë me ne dhe se nuk do të na lërë asnjëherë vetëm. Është besimi ynë, ai që do të na bëjë të fortë përballë të gjitha vështirësive dhe për të mbajtur gjallë shpresën për të ardhmen. Besimi na jep forcën për t’i rezistuar shtypjeve, të keqes dhe padrejtësisë.
Hutben po e mbyllim me duanë që na mëson Allahu në Kur’anin Famëlartë:
رَبَّنَا إِنَّنَا سَمِعْنَا مُنَادِيًا يُنَادِي لِلْإِيمَانِ أَنْ آمِنُوا بِرَبِّكُمْ فَآمَنَّا ۚ رَبَّنَا فَاغْفِرْ لَنَا ذُنُوبَنَا وَكَفِّرْ عَنَّا سَيِّئَاتِنَا وَتَوَفَّنَا مَعَ الْأَبْرَارِ
“Zoti ynë, ne dëgjuam një thirrës që ftonte për besim (e që thoshte): Të besoni Zotin tuaj! E ne besuam! Zoti ynë, na i fal mëkatet tona, na i mbulo të metat dhe pas vdekjes na bashko me të mirët!”.[5]
[1] Maide, 9.
[2] Muslim, Iman, 67.
[3] Ibën Hanbel, I, 28.
[4] Bekare, 257.
[5] Ali Imran, 193.