Qendra MINBER

Atij që dhuron mëshirë, i dhurohet mëshirë

Home » Atij që dhuron mëshirë, i dhurohet mëshirë

 

Të Nderuar Besimtarë!

Pejgamberi ynë (a.s.) ushqente një dashuri të thellë për fëmijët. Një herë, teksa po qëndronte në mesin e sahabëve, pranë i erdhi nipi i tij, Hasani r.a. Pejgamberi (a. s.) menjëherë e mori atë në prehër, e shtrëngoi në gjoks dhe e puthi. Një burrë, duke parë këtë sjellje të butë të Pejgamberit, tha: “Unë kam dhjetë fëmijë dhe nuk kam puthur asnjërin prej tyre”. Duke u drejtuar nga burri, i Dërguari Fisnik (a. s.) u shpreh: مَنْ لاَ يَرْحَمُ لاَ يُرْحَمُ “Kush nuk tregon mëshirë, atij nuk i tregohet mëshirë”.[1]

Të Dashur Besimtarë!

Një ndër ndjenjat fisnike me të cilën Allahu i Lartësuar e ka mbrujtur njeriun është mëshira. Mëshira është reflektimi i emrave të Allahut xh. sh., “Er-Rrahman” dhe “Er-Rrahim”, në zemrat e njerëzve. Mëshira nuk është një ndjenjë e thjeshtë keqardhjeje; por ajo është të bëhesh melhem për zemrat e lënduara dhe të prekësh me butësi shpirtrat e pikëlluar. Mëshira nuk është pandjeshmëri, duke thënë “Ç’më duhet mua!”, por është ndjeshmëria e lartë për të pyetur “Çfarë më takon mua të bëj?” ndaj gjithçkaje dhe gjithkujt. Mëshirë nuk do të thotë vetëm të largosh brengat materiale të njerëzve, por t’i ushqesh mendjet me dituri e urtësi dhe t’i mbushësh zemrat me dhembshuri e dashuri. Mëshira nuk është thjesht të qëndrosh kundër së keqes, por t’i bashkosh njerëzit rreth së mirës e t’i gjallërosh të gjitha shpresat me vëmendje dhe dashuri.

 Besimtarë Të Nderuar!

Besimtari, mbi të gjitha, duhet të jetë i mëshirshëm ndaj vetes, familjes, shoqërisë dhe gjithë krijesave të Zotit. I Dërguari i Allahut (a. s.) në një Hadith fisnik urdhëron {اِرْحَمُوا مَنْ فِى الأَرْضِ يَرْحَمْكُمْ مَنْ فِى السَّمَاءِ} “Mëshironi ata që janë në Tokë, që t’ju mëshirojnë Ata që janë në Qiell”.[2] Megjithatë, fatkeqësisht, sot po ballafaqohemi me një atmosferë dhune e cila ka mbërthyer çdo anë, dhe pamëshirshmëria është bërë tejet e përhapur. Plot njerëz janë bërë robër të mllefit, urrejtjes dhe zemërimit, duke e humbur ndjenjën e çmuar të mëshirës. Si pasojë, çdo ditë në shoqëri, shumë vatra familjare shpërbëhen dhe shumë jetë largohen nga kjo botë për shkak të justifikimeve të cekëta. Sakaq, besimtarët e pajisur me durim dhe devotshmëri, të cilët jetojnë një jetë të mbushur me besim dhe moral të lartë, bëjnë që mëshira të jetë sunduese në shoqëri. Nëse ata i luten dhe i drejtohen faljes dhe mëshirës së Zotit, duke u penduar me vendosmëri për të mos u kthyer më në mëkate, do të arrijnë Rahmetin e pafundmë Hyjnor.

Besimtarë Të Dashur!

Ne jemi umeti i Muhammedit (a. s.), i Dërguari i Mëshirës Hyjnore. Jemi përfaqësues të një qytetërimi që mëshirën e ka udhërrëfyesin e tij. Ajo që na takon ne është që: Prindërve tanë të mos u themi as “Uh!”, por mbi ta t’i shtrijmë krahët e dhembshurisë. Të sillemi me bashkëshortët e bashkëshortet me dashuri dhe butësi, ndërsa me fëmijët tanë me interesim dhe përzemërsi. Të ndërtojmë marrëdhënie të mira me të afërmit dhe fqinjët, duke u bërë kështu garantues të besimit dhe qetësisë shpirtërore. Të sillemi me respekt dhe mirësjellje ndaj gjithkujt, të cilit i ofrojmë apo marrim shërbim për shkak të profesionit tonë, duke treguar zell për të ndihmuar njëri-tjetrin. Të heqim nga zemrat tona inatin dhe urrejtjen, dhe t’i stolisim shpirtrat tanë me Rahmetin Hyjnor dhe Mëshirën Profetike. Dhe, mëshirën ta përdorim për të fuqizuar vëllazërinë tonë, duke konsoliduar edhe më tej unitetin dhe bashkimin. Nga ana tjetër, të mos rendim drejt harameve, por të mbështetemi me shpresë tek Mëshira e Allahut të Lartësuar, si dhe të mos shkelim hakun e robit dhe hakun e shoqërisë. Në këtë kontekst, kurrë nuk duhet ti nxjerrim nga mendja ajetet fisnike ku Allahu xh. sh. urdhëron: نَبِّئْ عِبَاد۪ٓي اَنّ۪ٓي اَنَا الْغَفُورُ الرَّح۪يمُ “Njoftoi robërit e Mi se vërtet Unë jam Ai që fal shumë dhe jam mëshirues i madh[3] si dhe “وَاَنَّ عَذَاب۪ي هُوَ الْعَذَابُ الْاَل۪يمُ “Po (njoftoji) se edhe dënimi Im është ai dënim i dhembshëm”.[4]

Hutben e sotme dua ta mbyll duke përmendur këtë dua që përmendet në Kur’anin Famëlartë: رَبَّنَا آمَنَّا فَاغْفِرْ لَنَا وَارْحَمْنَا وَأَنْتَ خَيْرُ الرَّاحِمِينَ “…O Zoti ynë, ne besuam, prandaj na falë dhe na mëshiro, se Ti je më i miri i mëshiruesve!”.[5]

[1] Buhariu: Edeb, 18.

[2] Tirmidhiu: Birr, 16.

[3] Hixhr: 49.

[4] Hixhr: 50.

[5] Mu’minun: 109.